E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat "termet" ne hipoteka

Reforma në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka marrë trajtat e një tërmeti, ku 155 persona janë shkarkuar nga detyra, ndërsa 25 çështje i janë dërguar tashmë për ndjekje penale Prokurorisë së Përgjithshme. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të ZRPP-së, të cilat thanë dje për "Shqip" se "lufta ndaj korrupsionit në këtë institucion është përditësuar dhe ka dhënë rezultate që janë vlerësuar si të kënaqshme". Sipas këtyre burimeve, përgjatë vitit 2007 në këtë institucion janë larguar 105 persona për shkelje në detyrë dhe tre të tjerë janë pezulluar deri në sqarimin e plotë të çështjes nga ana e prokurorisë, ndërsa gjatë vitit 2008 janë larguar edhe 30 punonjës të tjerë. Nga ana administrative, rreth 100 punonjës të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kanë marrë vërejtje që shkojnë deri në paralajmërim për largim nga puna për shkak të parregullsive që janë vënë re në punën e kryer nga ana e tyre.

Procedimi penal

Por duket se reforma e ndërmarrë nga drejtuesit e ZRPP-së nuk është ndalur vetëm në masat administrative, por është shtrirë edhe në përgjegjësinë penale të punonjësve për të cilët ka pasur prova për korrupsion apo shkelje në detyrë. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka dërguar deri më tani në Prokurorinë e Përgjithshme 25 çështje për ndjekje penale, ndërsa është në përmbyllje të dosjeve edhe për 50 çështje të tjera që do t‘i dërgohen organit të akuzës. Shkeljet që janë në përpunim e sipër janë zbuluar nga ana e Kontrollit Tekniko Ligjor të ZQRPP-së kryesisht në dy qytetet bregdetare si në Vlorë dhe në Durrës. Por nga ana e zyrtarëve të ZRPP-së vijnë edhe pakënaqësi lidhur me punën e Prokurorisë ndaj denoncimeve të bëra. Sipas tyre roli i prokurorisë deri pak kohë më parë ka qenë inekzistent paçka se ZQRPP ka bërë denoncime të shumta. Dozat e vlerësimit politik nuk mungojnë në prononcimin e ZRPP-së, kur vërehet se bashkëpunimi me prokurorinë është intensifikuar kohët e fundit, çka duket se nënkupton periudhën pas emërimit në krye të organit të akuzës së Ina Ramës.

Inventarizimi

Një element shumë i rëndësishëm i reformës së brendshme në hipotekë është inventarizimi i të gjithë dokumentacionit. "Procesi i inventarizimit ka përfunduar në shumicën e rretheve të vendit, ndërsa është në përfundim e sipër në qytetet kryesore për shkak të volumit të madh të dokumentacionit. Kjo do të sjellë pamundësinë e manipulimit me dokumentet apo zhdukjen e tyre, fenomene që janë vënë re rëndom në dhjetë vitet e fundit", thotë Xhevahir Llakaj, drejtor i Drejtorisë së Informatizimit dhe Përpunimit të të Dhënave në ZQRPP. Sipas tij i gjithë dokumentacioni është duke iu nënshtruar skanimit dhe brenda një kohe optimale shërbimi i këtij institucioni do të dixhitalizohet, sipas parashikimeve të projektit të hartuar nga Banka Botërore, i cili është në implementim e sipër.

Për të shmangur abuzimet me tokat bujqësore, ZQRPP ka nxjerrë një urdhër të brendshëm që kërkon konfirmimin në qark të të gjithë dokumentacionit, duke e bërë të pamundur manipulimin e tyre. Për këtë problem të konstatuar nga ZQRPP janë vënë në dijeni të gjitha institucionet përkatëse. Nisur nga ky shqetësim i ngritur nga ana e zyrës, Ministria e Bujqësisë ka hartuar një projekt-ligj, i cili është duke u diskutuar në komisionet parlamentare, i cili synon të zgjidhë problematikën që ka ardhur nga abuzimet që janë bërë me tokën bujqësore.

Mbivendosjet

Një shqetësim tjetër i ngritur nga ZQRPP është reflektuar me ndryshimin e ligjit ku përcaktohet edhe fshirja e mbivendosjeve apo e regjistrimeve të paluajtshme. Ky proces ka filluar dhe bazohet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Deri në vitin 2009, zyra ka përcaktuar të fshijë të gjitha mbivendosjet dhe të krijojë një regjistër unik të pasurive të paluajtshme. Xhevahir Llakaj thotë se që nga fillimi i vitit 2007, ZRPP ka ndërmarrë edhe disa reforma të brendshme institucionale, duke synuar afrimin te prioriteti i saj, që është shërbimi ndaj qytetarëve dhe biznesit. "Është impelentuar sistemi elektronik i aplikimit të qytetarëve. Kjo do të thotë se një qytetar vjen në ZRPP, tërheq një biletë ku ka të shkruar orarin e aplikimit dhe brenda dhjetë minutash mbaron aplikimin e tij. Të dhënat ruhen në një server dhe janë të monitorueshme. Kjo shmang radhët e gjata që kanë qenë problematike në këtë institucion dhe mitëmarrjet për të kaluar më shpejt aplikimet. Gjithashtu, të gjitha aplikimet janë të kontrollueshme nëpërmjet rrjetit kompjuterik, duke bërë të pamundur shmangien e praktikave nga ana e punonjësve", tregon me detaje mënyrën e funksionimit të sistemit drejtori i Drejtorisë së Informatizimit dhe Përpunimit të të Dhënave. Sipas tij efikasiteti i implementimit të kësaj reforme tregohet edhe nga fakti se gjatë vitit 2007 në këtë zyrë janë përpunuar 40% më shumë dosje se në vitin 2006 dhe kjo duket edhe nga rritja e ndjeshme e të ardhurave që vijnë nga shërbimet që ofron institucioni.

Zbutja e barrierave

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka ndërmarrë disa masa që synojnë në zbutjen e barrierave burokratike, kryesisht për biznesin, duke hapur sportele dhe sektorë të posaçëm për të. Drejtuesit e kësaj zyre pretendojnë se tashmë kohëzgjatja e aplikimit dhe përpunimit të dosjeve për biznesin është shumë e shkurtër. Ata përcaktojnë se aplikimet për transaksione nëpërmjet bankave zgjasin vetëm 48 orë, ndërsa është lehtësuar ndjeshëm rruga burokratike që ata duhet të ndjekin.

Qëllimi kryesor i ndryshimeve në ZRPP duket se mbetet modernizimi i sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Kjo po realizohet nëpërmjet projektit LAMP të Bankës Botërore, që konsiston në kompjuterizimin e sistemit dhe të gjitha të dhënave. Modernizimi do të bëjë që aplikimet të trajtohen në një kohë rekord dhe aksesi te të dhënat e ZRPP-së të jetë sa më i lehtë.

Reforma

Duke vërejtur të gjithë problematikën në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ZQRPP ka ngritur një grup pune i cili po harton rregulloren e brendshme të institucionit. Kjo rregullore mendohet se do të normojë punën e zyrës, duke mënjanuar të gjithë problematikën që është vënë re deri më sot. "Natyrisht që probleme ka ende në këtë zyrë që është keqpërdorur për vite radhazi, por ne po punojmë me ritme të shpejta që ta bëjmë institucion sa më efikas dhe ta sjellim sa më afër misionit të saj, të qenit një bankë e të dhënave të pasurive të paluajtshme të shqiptarëve", thanë burime zyrtare pranë ZQRPP-së. Zyrtarët e ZQRPP-së kanë deklaruar se "lufta ndaj korrupsionit në këtë institucion me rëndësi të veçantë është orientuar në radhë të parë si reformë institucionale dhe së dyti si një kontroll i vazhdueshëm mbi ligjshmërinë e praktikave që përpunohen nga ana e punonjësve. Kjo luftë është e përditshme dhe jo me fushata". Në dukje mjaft konstruktive, gjithsesi këto deklarata vijnë vetëm një ditë pas paralajmërimit të ministri të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për "reformë të shpejtë ligjore në zyrat e hipotekës".

Situata në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive është paraqitur me nota jo shumë optimiste nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Në një intervistë dhënë dy ditë më parë për "Top Channel", drejtuesi i dikasterit të drejtësisë është shprehur se zyrat e hipotekës janë mekanizma të shtetit ku korrupsioni dhe abuzimi me detyrën janë bërë shkak për shumë padrejtësi dhe konflikte që kanë shkaktuar edhe krime. Si një provë të pakundërshtueshme të këtij fakti Alibeaj ka përdorur arrestimet e fundit që u janë bërë disa prej punonjësve të këtyre zyrave. "Nëse këto arrestime kanë ndodhur, ka pasur një bazë të vërtetë, që do të thotë se ata njerëz kanë ofruar praktika shërbimi joligjore dhe korruptive", është shprehur ministri i Drejtësisë.

Më shumë se 50 për qind e proceseve gjyqësore në Shqipëri zhvillohen për konflikt pronash dhe Alibeaj mendon se ky është një problem që vjen për shkak të dokumentacioneve, si ato të trashëguara, ashtu edhe ato që janë manipuluar me kalimin e kohës. "Saktësia e tyre në pjesën në të cilën ato ekzistojnë është për t‘u lavdëruar, por një pjesë e madhe e titujve të pronësisë së asaj kohe nuk kanë qenë të inventarizuara, por kanë qenë të identifikuara në arkivat tona", ka theksuar gjatë intervistës ministri. Në të njëjtën kohë kreu i dikasterit të drejtësisë ka paralajmëruar një reformë të shpejtë që do të përfshijë zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Sipas tij, mentaliteti në zyrat e hipotekës është i vjetruar dhe ato duhet të përfshihen në një reformë ligjore të shpejtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›