E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një roman shqiptar në frëngjisht

Këto ditë në një nga sallat e bashkisë së Parisit në Rue Amelie, 7 eme. Arrondissement ku zhvillohen aktivitetet kulturore, Shtëpia Botuese Non Lieu, bëri paraqitjen e romanit Terre brûlée (Tokë e djegur) të Dashnor Kokonozit.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe mjaft njohës të letërsisë, anëtarë të shoqatës Albania, shkrimtarë, gazetarë dhe studiues të njohur.
Përkthyesja e romanit Evelyne Noygues, përmendi faktin se libri është botuar së pari në Tiranë, nën titullin Trans. Ajo foli pastaj për ngjarjet që shoqëruan shembjen e piramidave financiare në vitin 1997, të cilat janë në qendër të romanit të Kokonozit, si një përjetim artistik. Kishte qenë kjo arsyeja, që sipas saj, sapo i kishte rënë në dorë ai libër, ndjeu menjëherë një atmosferë, të cilën vetë ajo e kishte njohur në vitet e para të tranzicionit shqiptar, kur ishte me punë në Shqipëri. Kompozicioni i veçantë i romanit, personazhet dhe fatet dramatike që i ndjekin ata në një vend që kishte dalë jashtë çdo kontrolli, më shtynë që të filloja menjëherë përkthimin e tij, tha ajo.
Ndërsa drejtuesi i Shtëpisë Botuese, Jérôme Carassou foli për stilin e autorit, gjuhën e përpunuar dhe natyrën universale të problematikës që trajton libri. Vendosa që ta botoj sapo lexova kapitullin e parë, – tha ai midis të tjerash. Janë ngjarje që mund të ndodhin kudo, sikurse po ndodhin, dhe kjo bën që ky roman të jetë i kuptueshëm dhe tu flasë lexuesve të cilitdo vendi.
Pasi i u përgjigjën pyetjeve të shumta nga salla, takimi përfundoi me një seancë dedikimesh nga ana e autorit dhe e përkthyeses Evelyne Noygues
Romani i parë i D. Kokonozit, Shtrati i Prokustit, që trajton prirjen kongjenitale të diktaturave për të deformuar natyrën njerëzore, u botua në Tiranë, në vitin 1989.
Aleko Likaj
Paris

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›