Një rrëfim historik për mbretërit e vrarë
16/01/2012 Drurët e lartë tërheqin rrufetë. Kokat e kurorëzuara tërheqin vrasësit. Ky nuk është një ligj i natyrës, por kështu është. Në këtë libër të bukur, Filip Dëlorm na rrëfen me talent dhe emocion këto fate tragjike ku të Vjetrit kishin parë ndërhyrjen e frikshme të Fatum-it.
Mbreti është diçka e ndryshme nga një njeri, ai është një simbol. Ai mishëron një atdhé, që do të thotë një hapësirë të përbashkët, të pajisur me një histori të përbashkët dhe një shpirt të përbashkët. Personi i monarkut është imazhi i gjallë i kësaj bashkësie kujtimesh e shpresash. Ta sulmosh atë, nuk do të thotë të çlirohesh nga një njeri i bezdisshëm apo i urryer, por të duash të shkatërrosh çdo gjë që ai përfaqëson, ai është një gjest mohimi absolut.
Mbretvrasja është në njëfarë mënyre një akt metafizik, ky është refuzimi kryeneç që një idé, një parim, mundet një herë të mishërohet në një njeri. Ky refuzim është shenja dalluese e një krenarie të skajshme, që do të thotë e krimit të mirëfilltë kundër shpirtit. Sovrani manifeston në mënyrën e tij dhe me vetë qenien e tij një idé thelbësore, atë të kuptimit se e fundmja mund dhe duhet të jetë streha e të pafundmes.
Zhak dë Burbon Bysé i Akademisë Franceze
Luigji XVI
Paris, 21 janar 1793.
Luigji XVI u zgjua në 5 të mëngjesit. Që prej katër muajsh ai është mbyllur në kështjellën e Tempullit, një fortesë e zymtë e me lagështirë. Qysh nga 11 dhjetori ai nuk ka mundur ta shohë familjen e tij. Mbrëmë, një dekret i Konventës e lejoi atë t’u thotë lamtumirë gruas dhe fëmijëve të tij. Ai e di që do të vdesë. Ai është gati. Mbreti u lut për një kohë të gjatë, pastaj pushoi i qetë në natën e tij të fundit.
Është ora 6. Në qelinë e tij, Luigji po ndjek meshën. Abati Exhuorth, ky prift autoritar që ishte caktuar të jetë i pranishëm në çastet e tij të fundit i jep atij kungimin. Me shumë qetësi, mbreti ndjek meditimin dhe kuvendimet e tij të përshpirtshme. Ai i beson në vijim shërbyesit të tij të dhomës Klerí, unazën e martesës për t’ia dorëzuar mbretëreshës, po ashtu edhe një orë relike të gdhendur me stemën e Francës për të birin. Ai nuk mban gjë tjetër në gishtin e tij përveç unazës së Kurorëzimit.
Në orën 8, komandanti i Gardës kombëtare, Santerr, i shoqëruar nga dy oficerë të Komunës, paraqitet në burg. Ata vijnë ta lajmërojnë “tiranin” se ora e drejtësisë ka rënë dhe se ata do ta shpien drejt ekzekutimit. Në oborrin e dytë të Tempullit pret një pajton. Është agimi i zbehtë i një dite dimri. Bie dëborë e shkrirë, dhe një baltë e ngrirë mbulon rrugët e ngushta. Karroca lëviz me shumë vështirësi, përmes një heshtjeje varri. Dyert e dritaret janë të mbyllura. Një urrejtje e tetëdhjetëmijë burrave të armatosur me pushkë dhe ushta vigjëlon mbi lëvizjen e kësaj karroce. Do të duhen dy orë të gjata për të mbërritur nga bimsat e Tempullit në sheshin e Revolucionit. Luigji është i zënë me recitime lutjesh të atij që heq shpirt dhe psallme të Davidit.
Ora 10 e 10 min. Mbreti arrin në këmbët e podiumit të gijotinës që është ngritur mbi sheshin e sotëm të Konkordës, ndërmjet piedestalit të statujës së Luigjit XV dhe avenysë Shanz Elizé. Që nga mesnata, batalione të federuara të Provansës dhe Brestit, megjithë të ftohtit, janë vendosur në radhët e para, për të mos humbur asgjë nga shfaqja. Luigji vështron nga gijotina me vendosmëri, qetësi e siguri. Ai e heq vetë frakun dhe jakën mbretërore, dhe nuk mban veçse një jelek të thjeshtë prej shajaku të bardhë. Ai nuk pranon në fillim t’ia qethin flokët dhe përpiqet të kundërshtojë. Por një vështrim i vetëm i priftit e bën të vendosë t’u nënshtrohet këtyre fyerjeve të fundit.
Me një hap të sigurt – duke u mbështetur mbase te Exhuorthi sepse i ka duart të lidhura pas shpine – i dënuari ngjit ato pak shkallë që e ndajnë nga Përjetësia. Tamburet e eskortës nuk pushojnë së ushëtuari. Atëhere, Luigji zhvendoset drejt pjesës së përparme të podiumit dhe kërkon të flasë. Zhurmërimat heshtin.
“Po vdes i pafajshëm për të gjitha ato krime që m’i ngarkojnë; i kam falur autorët e vdekjes sime. I lutem Zotit që gjaku që jeni duke derdhur të mos bjerë mbi Francën....”
Fjalët e fundit humbasin në zallamahinë e tambureve, që rinisin zhurmën e tyre me urdhër të Santerrit. Mbreti detyrohet t’ua ripërsërisë mesazhin e tij xhelatëve që po e lidhnin mbi dërrasë.
“Zotërinj, jam i pafajshëm. Uroj që gjaku im të mund të çimentojë lumturinë e francezëve.”
Ora 10 e 22 min. Trashëgimtari i kësaj dinastie të lartë që, qysh nga Hyg Kapé, ëndërroi për Francën, nuk është më. Koka e mbretit, e mirosur në Reims me vajin e shenjtë të Shën Ampulës bie në koshin e krundeve. Ekzekutuesi e mbërthen dhe e tund para popullit. Popullit? San-kylotët e pranishëm, të dehur nga fitorja e tyre, njomin hekurin e ushtave, bajonetave apo shpatave të tyre në “gjakun e papastër” të despotit të flijuar. Një qytetar kacaviret te gijotina dhe zhyt krahun e tij në lëngun e kuq që rrjedh bollshëm nga podiumi. Ai spërkat të pranishmit që i përgjigjen klithmës së tij me brohoritjen “Rroftë Republika!”
Kështu lindi republika e Francës; kryesisht nga shfuqizimi i mbretërisë, votuar ngutshëm gjatë seancës së parë të Konventës, më 21 shtator 1792. Luigji XVI, më pak se çdonjeri nga monarkët tanë, meritonte fatin që pësoi. Ai paraqitet shpesh si një burrë trim pak naiv, me mjaft virtyte vetiake por i paaftë të qeverisë një vend të madh si Franca. Historiografia e re i flak tej paragjykime të tilla. Princ i mësuar dhe i ditur, sovrani i fundit i regjimit të vjetër ishte gjithashtu ai që autorizoi mbledhjen e të parës asamblé të zgjedhur me votim popullor e që i kërkoi çdo famullie të mbretërisë së tij të mbajë një regjistër ankesash të popullsisë së saj…
Jul Cezari
Fate, ne po ashtu do të njohim ëndjet tuaja!
Që do të vdesim e dimë fare mirë!
Por kur do na duhet të vdesim,
Ja çfarë njeriu do të donte të dijë.
Uilliam Shekspir
Jul Cezari
Cezari do të bëhet mbret. Me këtë kusht të vetëm, vepra e tij e madhe do të mund të mbijetojë. Nëse arrin t’ia kalojë pushtetin e tij trashëgimtarit që ka zgjedhur, nipit të tij të vogël Oktavit, ai e di që e ardhmja e botës do të modelohet sipas ëndrrave të tij. Në atë fillim viti 44 para erës sonë, Kajus Julius Cezari ka marrë nga Senati titullin e diktatorit të përjetshëm. Në republikën romake, në rastin e rrezikut të skajshëm, diktatori, i emëruar për gjashtë muaj, ushtron të gjitha pushtetet, civile dhe ushtarake. Këtë autoritet absolut, Cezari e kishte siguruar përgjithmonë dhe pushteti i tij nuk mund të shfuqizohej ndryshe veçse me vdekjen e tij...
Përse atëhere, ende të ngurojmë për të kapërcyer këtë Rubikon të dytë që do ta bënte gjeneralin fitimtar një mbret të mirëfilltë? Tashmë, a nuk do të kishim përparësi nga kjo? A nuk ngrihet statuja e tij në tempullin e Kuirinusit, me mbishkrimin “zotit të pathyeshëm”? A nuk është vendosur imazhi i tij në gjirin e aeropagut të shenjtë të Kapitolit, pranë atij të Jupiterit të madh? Nëse Cezari është zot, a nuk mund t’i vihet diadema e thjeshtë e sovranit të kësaj bote?
Ai ka të drejtën të veshë kostumin e purpurtë të qendisur me ar dhe të mbathë këpucë të kuqe me qafa të larta të mbretërve të lashtë etruskë; ndenjsja e tij me fildish u zëvendësua me një fron të ndritshëm. Muaji i pestë i kalendarit, kuinktilis, ai i lindjes së tij, mori emrin julius. Cezari është konsull perandor i përjetshëm, ati i kombit, i veshur me fuqitë e tribunit. Personi i tij është i paprekshëm dhe i shenjtë. Ai është kreu i fesë, zotëron të drejtën e paqes e të luftës, ka në dorë provincat pretoriane. Ai është censor dhe njohës e mbrojtës i traditave, ai cakton gjykatësit....por ai nuk është mbret.
Qëkur senati dhe populli romak, katër shekuj e gjysmë më parë, përzunë Tarkuinin e Shkëlqyer, monarkia është kthyer për ta në objekt neverie dhe sinonim i tiranisë. Megjithatë, nderimet që binin si shi mbi Cezarin dëshmojnë që nëse romakët i tremben fjalës ata e pranojnë objektin. Sepse Cezari është më shumë se një mbret dhe republika ka vdekur prej shumë kohësh….
Henriku IV i Francës
“Vallë vrasës është kush vret princin e tij sovran?
- Holofern s’është mbret, ai është një tiran”
Dy Bartá
Xhudita e shtyrë nga Zoti për të vrarë tiranin Holofern
Nga mesnata, kapakët e rëndë të dyerve të abacisë Sen – Dení hapen për të lejuar popullin të presë, nën strehë , fillimin e ceremonisë së varrimit të mbretëreshës. Këtë mëngjes të së enjtes së 13 majit 1610, Henriku IV, që ka arritur një natë më parë, viziton nekropolin mbretëror, ndërkohë që punëtorët dhe klerikët i japin dorën e fundit përgatitjeve.
Qysh nga Dagobér, në shekullin VII, pothuaj të gjithë mbretërit e Francës kanë zgjedhur të prehen këtu, afër relikeve të fortlumturisë së tij Dení, i pari përhapës i kristianizmit i Lutecës (Luteca, qytet Gal, vendndodhja e të cilit përputhet me qendrën e Parisit të sotëm – Shënim i Përkthyesit) dhe martir i fesë. Trupat e bijve të Faramondit, Pepinit të Shkurtër dhe Hyg Kapetit janë pranë e pranë në “varrezën e mbretërve” sipas shëmbëlltyrës së shpirtrave të tyre, të mbledhur së bashku në parajsën e Krishtit.
Midis çregullimit të dukshëm të varrimit, prifti që shoqëron Henrikun, i tregon atij objektet më të shquara. Kështu, varri monumental i Dagoberit, që të kujton një timpan gotik (timpan quhet hapësira ndërmjet parvazit dhe dy anëve të pjerrta të një zbukurimoreje që stolis pjesën e sipërme të dyerve të mëdha hyrëse të pallateve apo kishave në Europën Perëndimore mesjetare – Shënim i Përkthyesit), përfaqëson shpirtin e çliruar të të ndierit nga ndërhyrja e shenjtorëve Dení, Morís e Martin nga kthetrat e djallit. …
…Maria de Mediçis ka kërkuar që Henriku të verë kurorë përpara se të niset për luftë. Kështu ajo do të mundë të ushtrojë regjencën gjatë mungesës së të shoqit. Pas shumë ngurimesh, mbreti u tërhoq por ai parandjen që ky vendim për të do të ishte fatal. Shumë herë atë e kishin paralajmëruar që do të vritej në të parën ceremoni madhështore që do të urdhëronte, e që do të vdiste në një pajton. Ministrit të tij Sylí, i deklaroi:
“Ah, miku im, sa më dëshpëron ky kurorëzim! Unë nuk e di se ç’është, por zemra më thotë se do të më sjellë një fatkeqësi.”
Sapo arriti në mbrëmjen e organizuar në Sen – Dení, ai i kërkoi mbretëreshës:
“Mikja ime, lutu për vete e për mua.”
Çuditërisht, zërat për vrasjen e Henrikut IV kishin marë Europën mbarë. Më 12 maj, Gaspar Sharl, borgjez i Anversës, i shkruan burgmajsterit të Këlnit që mbreti është vrarë nga goditja e një thike. Në Bruksel, ndalohen karrocat e postës të Francës për të marrë konfirmimin e lajmit. Në njëzet vende, në Montarzhí, Kambré, Liezhë, Mastriht, në Spanjë e në Milano flitet për atentatin, ndërkohë që ai ende s’është bërë. Në Diepe, një fetare i kërkon kryemurgeshës së saj të lutet për shpëtimin e monarkut, sepse, e siguron ajo, atë do ta vrasin…
Çarli I i Anglisë
Mërmërima e sheshit kishte pushuar plotësisht. Sytë e të gjithëve ishin fiksuar mbi dritaren e Uajt’hollit. Gojët gjysmë të hapura dhe frymëmbajtjet dëshmonin se pritej një shfaqje e tmerrshme.
Aleksandër Dymá
Pas njëzet vjetësh
Pas Hastingëve, më 1066, Uilliami i Normandisë (një emër që shqiptohet nga francezët Gijom, nga anglezët Uilliam dhe nga gjermanët Vilhelm – Shënim i Përkthyesit) sundoi me të drejtën e pushtuesit. Një shekull e gjysmë më vonë, kombi anglo-sakson ngré krye. Më 1215, kleri i lartë dhe baronët detyrojnë Xhonin pa Tokë të firmosë Kartën e Madhe. I mbështetur mbi tradita feudale, ky pakt këmbëngul mbi vlerat e lirisë individuale dhe i beson, një parlamenti të zgjedhur, kujdesin për të diskutuar ligjet e për të votuar taksat.
Në përfundim të luftës Njëqind Vjeçare, Anglia është zhytur në anarki. Nga 1455 në 1485, Trëndafili i bardhë i Jorkut përballej me Trëndafilin e kuq të Lejnkestërit (Është fjala për luftën e dy trëndafilave siç quhet përballja ndërmjet dy degëve të dinastisë së Anzhuinëve në Anglinë mesjetare – Shënim i Përkthyesit). Kur këta të fundit fitojnë, nën drejtimin e Henrikut VII Tudor, aristokracia, e rudhur në numër, nuk ka më fuqi t’i kundërvihet triumfit të absolutizmit. Çiltëria e dikurshme është mbytur. Populli ngjan të jetë i kapitur dhe i le mbretërit e tij të komandojnë si despotë.
Në këtë kohë, Reforma protestante nis të përhapet në Europë. Më 30 mars 1534, i zjarrti Henriku VIII, për t’u martuar me Ana Bolenën, prishet me papën dhe shpall veten si kreun e Kishës së Anglisë. Por vetëm nën mbretërimin e së bijës, Elizabetës I, protestanizmi vendoset në mënyrë përfundimtare. Kleri anglikan, mjaft i pasuruar, bën një betim për bindje ndaj kurorës. Kështu, sovranja mban në duart e saj dy skeptra, atë lëndor por edhe tjetrin shpirtëror. Monarkia angleze mbërrin atëhere zenitin e saj.
…Duke vdekur pa lënë trashëgimtar, Elizabeta i ofron viktimës së saj, Meri Stjuart, më të veçantën nga hakmarrjet e përtejvarrit. Biri i mirëfilltë i mbretëreshës martire dhe i burrit të dytë të saj lordit Darnli, Xheku VI i Skocisë, që rrjedh nga gratë e mbretit Henrik VII është thirrur në të vërtetë për ta zëvendësuar atë. Ardhja e atij që, me emrin Xheku I, bashkoi më në fund mbretëritë prej shumë kohësh rivale të Anglisë dhe Skocisë, nxit mirëfilltazi shpresa kontradiktore. Katolikët fillimisht përfytyrojnë që një Stjuart do të sjellë njëfarë zbutjeje të rreptësisë së ligjeve që i dënonin ata. Por, i rritur sipas kredos protestante, Xheku mbetet i papërkulur.
Nga ana e tyre po ashtu, presbiterianët skocezë mbështeten mbi një tolerancë më të madhe. Por edhe shpresat e tyre zhgënjehen nga Xheku I. Ai jo vetëm që nuk i dëgjon ankesat e tyre, por shpall se ka ndër mend të shtrijë në Skoci organizimin e Kishës së Anglisë, në pajtim me regullën që thotë se “atje ku nuk ka peshkopë, nuk ka mbret”. Jokonformistët që kundërshtojnë disiplinën e imponuar nga sovrani, përndiqen me të njëjtën egërsi si edhe ithtarët e Kishës romane.
Xheku përpiqet të ndjekë rrugën e përshkuar nga paraardhësit e tij dhe tregohet ziliqar ndaj privilegjeve të tyre. Por biri i Meri Stjuartit nuk ka përmasat e një Henriku VIII apo të një Elizabete I. Pas katër orvatjesh nguruese, mbreti shtrëngohet të mbledhë parlamentin. Ai ndeshet ngathtësisht me krenarinë e deputetëve me të cilët në fund të fundit është i detyruar të bjerë në ujdi.
I shëmtuar, me këmbë të holla, me pamje të plogët e të ngathët, ai dallohet moralisht nga një burracakëri e rallë. Opinioni e fajëson për orgjitë dhe shpenzimet e tij ekstravagante. Njerëzit shohin gjithashtu me sy të keq favoret e dyshimta me të cilat ai mbulon të zgjedhurit e tij.
I tillë, për të qarë hallin, është ky monark që vdes më 27 mars 1625 duke ia kaluar fronin birit të tij të ri, Çarli, më të rrezikshmit nga trashëgimtarët. Kudo, fermentet e revoltës dëmtojnë integritetin dhe autoritetin mbretëror. Besimtarët kërkojnë ushtrim të lirë të besimit të tyre, tregtarët, zanatçinjtë, siguri për veprimtaritë e tyre dhe të drejtën për t’u bashkuar në shoqëri të pavarura. Megjithatë, mbreti i ri është në mënyrë të pakundërshtueshme superior ndaj të atit, me një zgjuarësi më të madhe dhe me karakter më të vendosur….
Fryma e 1789-ës
Gustavi III i Suedisë
Por nëse s’shkoj atje, s’më shohin mua
Do të thonë që kam frikë, këtë s’e dua
Madje as të mendojnë se u dyshua.
Xhuzepe Verdi,
Një ballo me maska.
Një mbrëmje të Vandemierit (Vandemier, muaji i parë i vitit, sipas kalendarit republikan, që hartoi Revolucioni Francez i vitit 1789 – Shënim i Përkthyesit) viti IV (edhe vitet, në atë kohë, nisën të numërohen nga 1789-a, që u quajt viti I – Shënim i Përkthyesit) aty nga ora 9 dy burra po darkojnë në rrethinat e Sen-Zhermenit, te një restorant i rrugës dë Grenélë. Njeri prej tyre është francez. Theksi i të dytit tradhton prejardhjen e tij skandinave. I ulur në një tryezë fqinje, një gazetar rrezikon të pyesë: a e duan suedezët sovranin e tyre, të vrarë tre vjet më parë? Përgjigja është fshikulluese:
“Qytetar, ne nuk na dhimbsen horrat. Unë isha në një ballo kur tirani humbi jetën. Një nga bashkëpunëtorët e Ankarstromit (Jakob Johan Ankarstrom, 1762 – 1792, oficer i ushtrisë suedeze, i arrestuar dhe i ekzekutuar për vrasjen e mbretit Gustav III – Shënim i Përkthyesit) shetit i lirë sot e gjithë ditën nëpër Paris...”
Ai që flet kështu është realisht njeri nga nxitësit e vrasjes së mbretit Gustav III, të kryer natën e 16 marsit 1792, gjatë një balloje me maska të dhënë në opéran e Stokholmit. I mërguar përjetësisht nga atdheu i tij, konti Adolf-Luis Ribing ka gjetur azil në gjirin e Francës revolucionare. “Mbretvrasësi bukurosh” është pritur si hero nga shoqëria e shkëlqyer e Konventës. Madje ndonjëherë, ai mburret të ketë qenë autori i vërtetë i krimit.
Gustavi III ishte një princ i kohës së tij. I mbrujtur me kulturën franceze të shekullit të Iluministëve, ai donte shpirtin e lirë, të çliruar nga vlerat e besimeve të rreme. Pas ardhjes në fron, më 1771, ai i shkruante Marmontelit (Zhan Fransuá Marmontél, shkrimtar francez, 1723 – 1799, autor romanesh epike, tregimesh dhe pjesësh teatrale – Shënim i Përkthyesit):
“A mund të jetë mbretëria ime ajo e një filozofie të vërtetë, të asaj filozofie mirëbërëse e shpëtimtare që, duke respektuar atë që është vërtetë e shenjtë, të mos godasë veçse paragjykimet që ngjizin fatkeqësitë e popujve, e pra t’u sjellë atyre lumturi dhe siguri?” …
Zhoakim Murat, mbret i Napolit
Kjo ka mbaruar, unë nuk mund as të jetoj e as të vdes veçse në gjirin e popullit tim. Napoli, Napoli! Më duhet Napoli, të nxitojmë për t’u nisur.
Zhoakim MURAT.
Nga fundi i shekullit XVIII, kombi italian ngjan të ketë humbur çdo dëshirë për bashkim. Në vigjilje të Revolucionit francez, rreth dhjetë shtete të shpërndara e ndajnë gadishullin. Në veri republika serenissima (Italisht, cilësim që i jepej disa personaliteteve të larta ose disa shteteve, titull princor që ka kuptimin, i përndritur – Shënim i Përkthyesit) e Venecias nuk është veçse një hije. Austriakët kanë pushtuar Milanon dhe Lombardinë. Papa qeveris Romën. Për sa i takon mbretërisë së Dy Siçilive, atë e qeveris një degë e vogël e Burbonëve të Spanjës që mbretëron atje që nga viti 1738….
Më 9 shkurt 1801, paqja e Lynevilit, do të konfirmojë përparësinë e Francës matanë Alpeve. Artizan i këtij suksesi është Napoleon Bonaparti, gjenia ushtarake e të cilit u ka siguruar triumfin ushtrive të Revolucionit. Në disa këndvështrime ai mund të konsiderohet si themelues i Italisë moderne. Admirues i këtij djepi të Cezarizmit, krenar për prejardhjen fiorentine të familjes së tij, ai favorizon, pak a shumë me ndërgjegje, zhvillimin e nacionalizmit italian.
Në apogjeun e Perandorisë, Piemonti lindor, dukatet e Gjenovës, Parmës e Toskanës, shtetet e kishës i janë aneksuar Francës. Roma nuk është më veçse kryeqendra e departamentit të Grykëderdhjes së lumit Tiber. Në lindje dukatet e Lombardisë, Venecias, Módenas, Romanjas dhe Marçias, krijojnë mbretërinë e Italisë, ku Ëzhen dë Boharné, nip i Napoleonit, është nën-mbret. Së fundi, Ferdinandi IV, i dëbuar sërish nga Napoli, i ka lëshuar fronin e tij Zhozef Bonapartit, i zëvendësuar vetë ky i fundit, më 1808 nga Zhoakim Murat. Murati që, më fort se kunati i tij perandorak, do të meritonte titullin e pararendësit të vërtetë të Risorxhimentos.
A ka pasur një jetë që t’i ngjante më shumë një romani aventurash se ajo e këtij djali të një bujku të Kersisë (Kersí, krahinë franceze ndërmjet Gaskonjës dhe Masivit Qendror, në Francën jugperëndimore – Shënim i Përkthyesit) të shndërruar në mareshal, dukë i madh dhe mbret, përpara se të binte nën plumbat e një skuadre pushkatimi në një qytezë kalabreze? Murati është pa dyshim simboli më i mirë i shanseve që u ofroi 1789-a ambicieve të listës së të tretëve. Pa natën e Katër Gushtit, ai sigurisht do të kishte përmbushur një karrierë të ndershme ushtarake, por gradat e larta për të do të ishin gjithmonë të paarritshme. Në saje të Revolucionit, ai mundi të shprehë të gjitha potencialet e tij dhe të arrijë majat e pushtetit….
Maksimiliani i Meksikës
Sa të shtëna topi do të duheshin për t’i dhënë një perandor Meksikës, e sa të tjera për ta mbajtur atë në fron?
Princi Rikard de METERNIH.
Shtëpitë e ulëta të Verakruzit largohen në mjegullën e lehtë të verës. Maja e Orizabas lartësohet në fund të horizontit. Me ngadalë, vapori Perandoresha-Eugjení del nga rada, duke lënë në të majtë ishullin e Sakrificave, ku prehen aq shumë ushtarë francezë, të shfarosur nga ethja e verdhë. Këtë 13 korrik 1866, perandoresha Karlota merr me vete shpresat e fundit të monarkisë meksikane. Pas dy vitesh të një mbretërimi kaotik, ajo rikthehet në Europë për t’iu lutur papës t’i akordojë ndihmën e tij, dhe për ta detyruar Napoleonin III të mbajë premtimet e veta.
Perandori Maksimilian ka lënë të shoqen në fshatin d’Ajotla, pastaj është kthyer në Meksiko. Ai vazhdon të bëjë sikur po qeveris këtë vend të paqeverisshëm, të cilit mezi i kontrollon kryeqytetin. Kur ai aludon përpara Karlotës mbi mundësinë e një abdikimi, kjo e fundit përfshihet nga një furí e skajshme:
“Karli X dhe gjyshi im Lui-Filip u shkatërruan sepse kishin abdikuar, i thotë ajo atij. Të abdikosh do të thotë të dënosh veten me një patentë paaftësie, kjo nuk u shkon veçse pleqve dhe budallenjve. Sovraniteti është depozita më e shenjtë që mund të kenë njerëzit...”…
Koha e terroristëve
Elisabeta e Austrisë
Unë eci e vetmuar mbi këtë tokë
Prej kohësh e ndarë nga ëndjet, nga jeta
Asnjë shok nuk ndan të fshehtat e zemrës sime
Kurrë asnjë shpirt nuk diti të më kuptojë.
Elisabeta e AUSTRISË,
Shpirtrave të së ardhmes.
Që nga humbja tragjike e të birit, ajo vishet gjithmonë me të errta, dhe vetëm dorashkat e bardha ndriçojnë kostumin e saj të zisë. Më 10 shtator 1898, kontesha dë Hohenembs, e shoqëruar nga dama e saj e nderit Irma Shtaráj, nxiton të ecurën mbi platformën e Mon Blan në Gjenevë. Të dyja gratë nuk duan t’u ikë vapori i orës 13 e 40 min. që kryen shërbimin e regullt të liqenit Leman. Ato duan të shkojnë deri në Térrité dhe që andej, të kapin stacionin malor të Ko-syr-Montré, ku kontesha, e sëmurë, do të bëjë një kurë bjeshkësh ajri të pastër. Sherbëtori i tyre, një ushtar i vjetër, ka lënë i pari hotelin Bo Rivazhë (Beau Rivage, bregu i bukur – Shënim i Përkthyesit), për të regjistruar bagazhet e zonjës së tij. Kjo e fundit ka kaluar monumentin e dukës së Brunshvikut dhe drejtohet për në molo. Këtë fund vere, ndriçimi mbi kreshtat e maleve është ende i gjallë, përtej liqenit, ku ndahet nga qielli blu me një tejdukshmëri hyjnore.
Në çastin kur zonja fisnike hap çadrën e saj për t’u mbrojtur nga afshi i diellit, një djalë i ri veshur si punëtor turret drejt saj. Kur arrin pranë saj, ngjan sikur i merren këmbët. Ai i hedh një vështrim të shpejtë. Grushti i tij i djathtë ngrihet lart dhe godet konteshën në kraharor. Nën veprimin e ksaj goditjeje kontesha lëkundet dhe bie praptazi. Pa kthyer kokën, agresori vazhdon rrugën e tij duke vrapuar, dhe zhduket në rrugën e Alpeve.
Në dukje, kjo nuk është gjë tjetër veçse një veprim i shëmtuar i një njeriu të trashë, që rrëzon një kalimtare tek shkon në rrugën e saj. Viktima, sidoqoftë, nuk thotë asnjë fjalë. Rënia e saj u amortizua nga flokët e dendur pasuria e të cilave ishte njera nga stolitë më të bukura të rinisë së saj. Një karrocier pajtoni, që kishte qëndruar aty pranë, e ndihmon ndjekësen e saj të ngrerë konteshën. Dy shetitës i ofrojnë një furçë për të shkundur pluhurin nga robat. Një turist kurioz britanik informohet....
Zonja, e skuqur nga emocioni, pohon që nuk ishte asgjë. Ajo falënderon, me radhë, në gjermanisht, në frengjisht, e në anglisht. Ajo krihet dhe regullon kapelen e saj. Portieri i Bo Rivazh-it që, nga larg, kishte parë skenën, vrapon. Ai këmbëngul që klientja e tij të kthehet në hotel.
“Jo.... jo... e siguron ajo. Nuk ndodhi asgjë.”
Veç të tjerash, nuk ka më kohë për të humbur për të arritur anijen që është gati për nisje.
“ǒdonte pra, nga unë, ky njeri i frikshëm?”, pyet në hungarisht kontesha dë Hohenembs.
– Nuk e di Zonjë, përgjigjet Irma Shtaráj, por me siguri është një horr horri.
– Mbase donte të më vidhte orën?”
Zonja me të zeza është irnuar dhe mbështetet në parmakët e molit.
“A nuk jam shumë e zbehtë?”, vijon ajo.
Dama e saj e nderit nuk mund veçse të konfirmojë:
“Po, shumë e zbehtë. A vuan Zonja ime?”
Kontesha ankohet nga një dhëmbje në gjoks. Megjithatë ajo përshkon pasarelën e anijes dhe bën vetëm disa hapa. Por ajo kthehet menjëherë drejt Irmës dhe i lutet me një zë të ankthshëm:
“Tani shpejt, më jepni krahun tuaj. Shpejt!”
Pastaj ajo zaliset.
Gjatë kësaj kohe, avullorja Zhénévë është nisur dhe po largohet nga bregu. Në bord nuk ka mjek…
Karlos I i Portugalisë
Oh! Si një mbret që mirë qeveris duhet vigjëluar për atë që sa janë të ndërgjegjshëm këshilltarët dhe favoritët tuaj, sa kanë virtyte të brendshme dhe dashuri të sinqertë!
Luis de KAMOENSH,
Luisiadat, kënga VIII.
Luzitania e lashtë u shemb nën hordhitë vandale, suéve dhe vizigote. Pastaj në shekullin VIII, me pjesën tjetër të gadishullit, ajo ra nën dominimin e ushtrive të Profetit. Në veri ndërkohë, sovranët e Leonit dhe të Kastilias nuk do ta pushonin kurrë luftën e tyre. Hap pas hapi,vit pas viti, ata do të bëjnë të zmbrapset i Pabesi. Më 1093, mbreti kastilian Alfonsi VI, marton të bijën, Terezën, me Henrikun e Burgonjës. Ky princ Kapetién (Kapetiénë quhen zyrtarisht pjesëtarët e shtëpisë mbretërore franceze me prejardhje nga Frankët që sunduan në Francë nga viti 987 deri më 1848, me një ndërprerje në vitet e Revolucionit Francez dhe të Perandorisë së Parë – Shënim i Përkthyesit), stërnip i Robertit të Mëshirshëm , shkëlqeu në dëbimin e Maurëve (Maurë, emri që u dhanë Romakët, fiseve Berbere të Afrikës së Veriut dhe që në Mesjetë u përfshinë në trupat pushtuese arabe të Magrebit dhe të Spanjës – Shënim i Përkthyesit) të cilët u flakën deri përtej Tagos. Alfonsi VI ia kaloi dhëndrit të tij, kontit të Portos, si zotërim, këtë qytet që latinët e kishin quajtur Portus Kále….
Në brezin pasues, Alfonsi I Henrikez njihet nga papa me titullin mbret i portugezëve. Ai pushton Lisbonën dhe Alentezhon. Pasardhësit e tij do të përkryejnë veprën e gjyshërve, duke e shoqëruar me kryqëzatën kundër Almohadëve (Almohadët, dinasti Berbere që rrëzoi nga froni Almoravidët dhe sundoi mbi Afrikën e Veriut dhe gjysmën e Spanjës nga viti 1147 deri më 1269 – Shënim i Përkthyesit), edhe përftimin e urdhërave kalorësiake të Santiagos dhe të Kalatravës. Që nga mesi i shekullit XIII, Portugalia shtrihet drejt jugut deri në Algarve, dhe vendoset në kufijtë e sotëm. Më 1254, mbreti Alfons III fton në Kórtesin e Leiras (Kórtes, asamblé në vendet iberike, e ngarkuar për të diskutuar ligjet dhe për të votuar taksat – Shënim i Përkthyesit) për herë të parë deputetë borgjezë, me qëllim që të frenojë ndikimin e madh të klerit dhe të feudalëve të mëdhenj. Fuqizimi i autoritetit monarqik vijoi me të birin, Denisin. Ky i fundit favorizon zhvillimin e bujqësisë e të tregtisë, themelon universitetin e Koimbras, dhe ngre dialektin e Portos në rangun e gjuhës kombëtare.
Me vdekjen e tij, më 1383, Ferdinandi I nuk le veçse një vajzë, bashkëshorte e mbretit Huani I i Kastilias. Fisnikëria mbështet ambiciet e këtij monarku të huaj, aleat i Francës. Borgjezia, nga ana e saj, e vendosur të ruajë pavarësinë kombëtare, nxjerr në pah kandidaturën e një Huani [Zhoan në portugisht ] tjetër, mjeshtër i madh i urdhërit të Avizit dhe vëlla natyral i Ferdinandit I. Me ndihmën e mercenarëve anglezë, ky princ portugez është ngadhnjyes ndaj kastilianëve, më 1385. Po atë vit, ai kurorëzohet mbret nga kortesi i Koimbras. Kjo degë jo-legjitime e pasardhësve të Hyg Kapetit do të shoqërojë për dy shekuj me radhë ekspansionin e shkëlqyer të përtej deteve të Portugalisë së brishtë, e shtrënguar, nga fqinjët e saj të fuqishëm spanjollë, të hedhë sytë nga hapësirat ujore….
Aleksandri I i Jugosllavisë
Mbreti Aleksandër, për të ruajtur pavarësinë kombëtare, kërkoi aleatë. Ai pyeste veten drejt cilit vend të drejtohej. Një fuqi e vetme respektonte traktatin e Versajës. Ajo fuqi ishte Franca....
Tomas Foran dë Sén-Bar,
Portreti i një mbreti, Petri I i Jugosllavisë.
Bazilika e Shën Gjergjit në Topola, tetëdhjetë kilometra nga Beogradi, është ndërtuar nga mbreti Petri I për t’u kthyer në nekropol të Karagjorgjeviçëve. Atë të diel të 6 tetorit 1991, njëzet mijë njerëz janë mbledhur përpara vendit të shenjtë duke thirrur emrin e Aleksandrit. Mbërrin një burrë, ende i ri, shulak. Ai ngjit, i pëlotur, shkallët e kishës. Trashëgimtari i kurorës jugosllave shkon të kridhet në meditim pranë varreve të stërgjyshërve të tij. Pesëdhjetë e gjashtë vjet më parë, praktikisht ditë më ditë, gjyshi i tij, Aleksandri I, ra nga plumbat e një fanatiku. Drama u zhvillua në Marsejë. I vetmi krim i sovranit fatkeq ishte se u përpoq të krijojë një komb.
Disa javë përpara atentatit, mbreti Aleksandër kishte ardhur gjithashtu në Topola. Përpara mauzoleumit të të atit, Petrit I, bashkuesit të sllavëve të jugut, ai ishte lëshuar në një çast dekurajimi. Detyra së cilës i qé përkushtuar – të grumbullojë në një popull të vetëm mozaikun jugosllav – atij i ngjante ndonjëherë si fort e guximshme! Por ai shpejt e ndryshoi tonin. Me një timbër zëri disi me hope ngritje-uljesh, ai iu drejtua atyre që e rrethonin:
“Ju më merrni për disfatist? Jo. Unë nuk kam urryer kurrë asgjë në jetën time më shumë se disfatizmin. Ta dini mirë që nëse do të doja të përdorja forcën, unë do t’i sillja fare lehtë në binarë shkaktarët e intrigave dhe të anarkisë. Por nuk është forca ajo që sjell sukses të qëndrueshëm: është ideja. Unë nuk pres asgjë tjetër përveç idesë....” …
Në emër të popullit
Nikolla II i Rusisë
Të njëjtën natë, Belsacari
U vra nga skllevërit e tij.
Vargje të Hajnrih Hajnes
të shkruara mbi një mur të shtëpisë Ipatjev.
Ekaterinburg, 17 korrik 1918. Është pak pas mesnate. Komisari politik Jurovski hyn papritmas në dhomat e katit të parë të shtëpisë Ipatjev. Ai zgjon anëtarët e familjes perandorake dhe sherbëtorët e tyre, të burgosur aty që prej tre muajsh. Funksionari i Çeka-s (Çeka, Çrezvëjçajnaja Kamisija – Komisioni i Jshtëzakonshëm panrus për shtypjen e kundërrevolucionit dhe sabotazhit, shërbimi i fshehtë i krijuar më 20 dhjetor 1917 nga Feliks Xherxhinski, për të luftuar armiqtë e regjimit bolshevik – Shënim i Përkthyesit) u jep urdhër atyre të vishen me shumë nxitim e të bëhen gati ta ndjekin nga pas. Një kryengritje është në të shpërthyer e sipër. Për sigurinë e tyre të burgosurit duhet të lenë qytetin. Të gjithë shumë shpejt janë gati. Cari mban në krahë fëmijën e tij të sëmurë. Ai ndjek Jurovskin dhe adjutantin e tij Nikulin. Perandoresha dhe grand-dukeshat nuk kanë marrë as kapotat dhe as kapelet e tyre. Mjeku Botkin dhe tre sherbëtorë mbyllin vargun…
Fajsali II i Irakut
Njohja e fatit i përket Perëndisë. Ai bën të bjerë shiu. Ai di se ç’përmbajnë zgafellat e detrave, vetëm ai i di. Njeriu nuk di asgjë se ç’e pret të nesërmen. Njeriu nuk e di se në cilin breg do të vdesë. Vetëm Zoti është shkencëtari dhe mësuesi.
Kurani, XXXI-34.
Gjatë verës, verës së pamëshirshme irakene, temperatura ka raste që kalon të pesëdhjetë gradët në hije. Vetëm nata e qetëson disi furrën e ditës. Mbi Bagdadin e përgjumur, do të gdhijë heret agimi tragjik i asaj të diele të 14 korrikut 1958. Ndërkohë që qielli ka marrë ngjyrën e kuqërremtë të agut, batalioni III i brigadës së 20-të, nën urdhrat e kolonelit Abdel Salam Aref, futet në qytet nga rrethinat e Al Karhit. Duke zbatuar pikë për pikë një plan të menduar mirë, oficeri rebel i ndan forcat e tij në tre grupe. Ai vetë ka zgjedhur për objektiv studiot e radios, që nga do të mund të shpërndajë thirrjen e tij për kryengritje. Një kompani është dërguar drejt vilës së kryeministrit Nuri Said, në Karradet Mariam. Së fundi, njëmijë ushtarë, të komanduar nga kapiteni Mondir Saliem, marrin për mision të futen në pallatin e Rihabit, me qëllim që të sigurojnë kapjen atje të personit të mbretit Fajsal II dhe të ungjit të tij, regjentit të vjetër Abdulillah…
Sri Savang Vatthana i Laosit
Ai që hedh sytë mbi botën sikur të shihte një flluskë sapuni, apo sikur të shihte një ëndërr: ai do t’i shpëtonte syve të Sovranes Vdekje.
Poemë lirike budiste e Dhamapadas.
I kruspullosur midis fqinjësh gjigantë indokinezë, Laosi ka qenë gjithmonë vendi i ndeshjeve, një kryqëzim popullatash. Me mbërritjen e pushtuesve Khmerë, banorët më të vjetër do të grumbulloheshin drejt trojeve malore të handakosura e pa pronarë të zonave kufitare. Laosianët, me prejardhje nga fisi Thai, që i kanë dhënë emrin e tyre Laosit, themelojnë një principatë mbi bregun e majtë të Mekongut, me kryeqytet Xien-Tong, Luang-Prabangu i ardhshëm. Njeri prej sovranëve të tij, Fa Ngum, aleat i mbretit Angkor, arrin të bashkojë nën skeptrin e tij të gjitha tributë laosiane. Jemi në vitin 1353, ka lindur Lan Xang-u, ose mbretëria e Një Milion Elefantëve.
E tillë pra është prejardhja e lavdishme e dinastisë laosiane. Sigurisht, gjatë rrjedhës së shekujve, prestigji mbretëror do të sulmohet shpesh sistematikisht. Copëzimi gjeografik, ballafaqimet etnike, por gjithashtu edhe ndërhyrjet nga jashtë, do ta favorizojnë përçarjen e Lan Xang-ut. Në shekullin XVI, Setthatirati transferon kryeqytetin në Vientianë, e vendosur më mirë në zemër të krahinave të tij. Me vdekjen e tij, hapet një periudhë trazirash që çoi në çlirimin e krahinave vasale. Mbas një orvatjeje pë rililindje nën Surijá Vongsá, nga 1637 deri më 1694, mbretëria e Laosit u zhyt me durim të madh në përçarje dhe luftëra të brendshme…
Përkthyer prej origjinalit frëngjisht nga Skënder Shkupi