E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një rrugë në Tiranë merr emrin “Ibrahim Rugova”

Në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Bashkia e Tiranës do të zhvillojë ceremoninë me rastin e emërtimit të një rruge të kryeqytetit me emrin “Ibrahim Rugova”. Ceremonia do të zhvillohet në orën 11:00, pranë pallateve të Shallvareve ku do të jenë të pranishëm kryeministri Sali Berisha, dhe kryetari i komunës së Prishtinës dhe i LDK-së, Isa Mustafa.

Një orë para kësaj ceremonie, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha do të presë kreukomunarin Mustafa, të cilin Basha ditën e djeshme e ka uruar për Ditën e Pavarësisë edhe me një mesazh.

Në letrën e urimit, Basha thekson progresin që ka shënuar Prishtina që nga shpallja e pavarësisë, si dhe i garanton kreut të komunës së Prishtinës mbështetjen dhe përkrahjen e projekteve të kryeqytetit të Kosovës.

“Ndërsa vazhdoni angazhimin tuaj, për të përmirësuar sa më shumë jetën e banorëve të Prishtinës dhe në këtë ditë feste për të gjithë shqiptarët, më lejoni t`ju garantoj se tek Bashkia e Tiranës dhe unë personalisht do të gjeni mbështetje dhe përkrahje për të gjithë projektet tuaja”, thuhet pos të tjerash në mesazhin e urimit të Bashës.

Ndërkohë në ditën e Pavarësisë së Kosovës Kryeministri Hashim Thaçi do të vizitojë Tiranën ku do të marrë pjesë në përurimin e godinës së re të Ambasadës së Kosovës në Tiranë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›