HRW: Qeveria e Sirisë ka ekzekutuar civilë

Ky grup për të drejta të njeriut, me seli në New York, në raportin e vet më të ri, thotë se në këtë përfshihen disa ekzekutime masive në provincat kryengritëse Homs dhe Idlib.
Grupi theksoi se i ka përfshirë vetëm rastet e vërtetuara nga dëshmitarët, por ka marrë më tepër raporte për incidente të ngjashme.
Ekzekutimet janë bërë gjatë katër muajve të kaluar, ndërsa shumica kanë ndodhur në muajin mars.
Nga ana tjetër, një plan i ndërmjetësuar ndërkombëtarisht për ndaljen e dhunës dhe gjakderdhjes 13 mujore në Siri, duket se mund të dështoj, pasi qeveria e presidentit Bashar al-Assad, ka shtuar kërkesa të reja, të cilat janë hedhur poshtë menjëherë nga grupi më i madh i kryengritësve.
Plani i armëpushimit, i ndërmjetësuar nga i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, supozohej të hynte në fuqi më 10 prill.
Franca i ka dënuar kërkesat e reja të qeverisë së Sirisë, për t’i tërhequr trupat e saj nga qytetet deri më 10 prill, duke i cilësuar si të “papranueshme”.