Një serb i ofrohet Lirisë
Derisa futbollistët dhe trajnerët kosovarë ëndërrojnë të transferohen nëpër liga të ndryshme evropiane, nuk janë të paktë lojtarët dhe strategët e huaj të cilët dëshirojnë që karrierën e tyre ta vazhdojnë në Superligën e Kosovës, edhe pse vendi ynë ende nuk është anëtar i UEFA-s e FIFA-s.
Liria është njëra prej klubeve kosovare, e cila më së shpeshti kontaktohet nga menaxherë të futbollistëve të huaj, posaçërisht atyre nga Afrika, të cilët i ‘lusin’ prizrenasit që t’i angazhojnë klientët e tyre.
Ndërsa, së fundmi bardhezinjve u është vetë-ofruar edhe një trajner i huaj me nënshtetësi serbe, që ka edhe licencën A të UEFA-s. Fjala është për Simeon Efremov, i cili në vitet 1964-1967 si futbollist i kishte mbrojtur ngjyrat e ish Jugosllavisë.
Efremov nëpërmjet postës elektronike ka vënë kontakte me prizrenasit. Ai ka shprehur gatishmërinë që karrierën ta vazhdojë në qytetin e lashtë kosovar, derisa kërkesa e tij tani po shqyrtohet nga prizrenasit.
“Pas shumë e shumë futbollistëve, tani na ka kontaktuar edhe një trajner. Ky është rasti i parë që një trajner i huaj shpreh gatishmërinë për ta udhëheqë Lirinë. Ai na ka dërguar të gjitha informacionet rreth karrierës së tij, si CV, licencat e tij dhe informacione tjera. Unë rastin ia kam paraqitur kryetarit të klubit, Fatmir Gashi dhe bordit të Lirisë”, deklaroi për Express zëdhënësi i klubit të famshëm kosovar, Bashkim Kajdomcaj.
Megjithatë, ai nuk beson se bordi i klubit do t’ia besojë detyrën e trajnerit Efremovit. “Oferta e tij po shqyrtohet me seriozitet. Por, duhet theksuar se që nga vitit 2008, kur u privatizua Liria, klubi ynë vazhdimisht ka pasur trajnerë vendorë, respektivisht trajnerë prizrenas. Ndërsa, sa u përket futbollistëve, ne jemi të fokusuar në tregun e Shqipërisë, sepse lojtarët nga atje adaptohen më shpejt dhe më mirë në Prizren sesa lojtarët nigerianë, e po ashtu çmimi i tyre është më i volitshëm për ne”, theksoi ai.
Efremov është 68 vjeç, derisa në 30 vitet e fundit e ka ushtruar zejen e trajnerit duke i udhëheq kryesisht disa skuadra nga shtetet aziatike, atë nga Kuvajti, Al Shabab-Al Ahmady, ato të Libisë: El Madina-Tripoli, Al-Shabab Tripoli, Dahra Tripoli, ekipet nga Tunizia: Club Atletique Bizertin, Club Sportif Sfaxien, Club Olimpique De Medenine, derisa Efremov e pati udhëhequr edhe skuadrën greke A.O. Apolon.
Kohë më parë edhe trajneri finlandez i skuadrës finlandeze PK-35, Pasi Pihamaa ka shprehur dëshirën që në një të ardhme të afërt ta udhëheqë ndonjë ekip të Superligës së Kosovës.
Mirëpo, një trajner i huaj nuk kaloi mirë në vendin tonë. Gjermani Wolfgang Jerat u shkarkua nga FC Prishtina vetëm katër muajsh, pasi iu kishte besuar posti i trajnerit.