E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftojnë kurdisjet

Federata e Futbollit ka reaguar ashpër pas dyshimit për kurdisje të disa ndeshjeve në xhiron e 30’të të Superligës. Shtëpia e futbollit kosovar e ka formuar një komision, i cili do t’i hetojë në detaje ndeshjet e përfolura. Po ashtu, FFK ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit dhe organet tjera të hetuesisë që seriozisht të merren me këto raste.

Pas ndeshjeve të dyshimta, të cilat bënë bujë të madhe në fundjavë, Komiteti Ekzekutiv (KE) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), nën drejtimin e kryetarit Fadil Vokrri, është mbledhur të hënën.

KE i FFK-së e ka analizuar rrjedhën e garave, në veçanti ndeshjet e javës së 30-të, ku në opinion u krijua një përshtypje se disa nga ndeshjet, si Hysi – Prishtina (2:3), Gjilani – Trepça (0:4) e KEK-u – Lepenci (5:6), ishin të kurdisura.

Për t’i zbardhur këto dyshime, shtëpia e futbollit kosovar e ka formuar një komision, i cili do të merret në detaje me ndeshjet e dyshimta.

“KE e ka marrë me shumë seriozitet këtë dukuri dhe këto thashetheme, që e dëmtojnë rëndë imazhin e futbollit të Kosovës dhe do të punojë me një angazhim të madh për të ardhur deri te e vërteta. KE themeloi një komision që t’i hetojë një për një këto ndeshje”, shkruan në një komunikatë të lëshuar nga FFK.

Po ashtu, KE i FFK-së ka kontaktuar edhe Prokurorinë e Shtetit dhe organet tjera të hetuesisë, duke kërkuar që seriozisht të merren me këto raste. Njëkohësisht, nga këto organe KE ka marrë zotime se do të ndërmerren të gjitha masat e duhura në kompetencë të tyre.

Gjithashtu Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që të gjitha ndeshjet e tri javëve të fundit t’i monitorojë me super-vëzhgues, me qëllim të mbarëvajtjes sa më të mirë të garave.

Në fund, KE u ka bërë thirrje të gjithë akterëve të garave dhe të tjerëve që posedojnë fakte për kurdisje eventuale t’i deponojnë ato në FFK, në mënyrë që ta ndihmojnë këtë institucion dhe organet tjera të shtetit për zbardhjen e kësaj dukurie.

Ministri Krasniqi, i shqetësuar

Ndërkohës, ministri i Sportit, Memli Krasniqi, i ka ndjekur me shumë vëmendje raportimet e fundit për kurdisje të rezultateve në disa ndeshje të Superligës së Kosovës në futboll. Ai ka shprehur shqetësimin e tij, duke shpresuar që dukuri të tilla të mos përsëriten.

“Më lejoni ta shpreh shqetësimin tim të thellë për këtë gjë që po ndodh. Është edhe më shqetësuese kur këto zhvillime, gjithnjë e them në suaza të dyshimeve nga shumë anë, kanë ndodhur në sy të instruktorit të FIFA-s, e për të qenë pjesë e të cilës ëndërrojmë të gjithë dhe po punojmë me shumë vullnet”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ministri.

Krasniqi u ka bërë thirrje organeve të hetuesisë dhe FFK-së që t’i marrin masat e nevojshme për t’i qartësuar plotësisht këto dyshime. Ai insiston se bashkërisht duhet punuar në organizimin e brendshëm të sportit, para se të mendohet për ndërkombëtarizimin e tij.

“Ne kemi shumë sfida para nesh dhe është momenti i fundit që të gjithë ne, federatat, klubet, tifozët, të tregojmë një përkushtim dhe respekt të madh për sportin, në mënyrë që vërtet t’i dëshmojmë botës se e meritojmë të jemi pjesë e të gjitha garave ndërkombëtare, duke u përfaqësuar si të barabartë”, përfundoi Krasniqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›