E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një sezon turistik në agjërim

Klajdi Myzaferaj/ qytetar, Vlorë

-Edhe pse ka kohë që stina e verës ka ardhur, mund të themi se ende nuk po shohim një sezon turistik ashtu siç do t’i kishte hije në këto ditë. Në fillim u mendua se fushata zgjedhore solli një frenim të fluksit turistik, se gjasme ndryshimi i situatës politike ka një ndikim të drejtpërdrejtë në planifikimin e pushimeve, edhe pse duhet thënë se shqiptarët janë aq shumë pasivë në kohë fushate, sa të duhet t’i drejtosh me “forcë” edhe drejt kutive të votimit. Ky argument ishte një farsë e nxjerrë nga vetë qeveria në ikje për të justifikuar dështimin e një politike për zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Tashmë ka kaluar më shumë se një muaj nga zgjedhjet e qershorit dhe është kohë e mjaftueshme për t’u kthjelluar nga stresi i zgjedhjeve, por sërish ndodhemi në të njëjtën situatë. Edhe pse jemi në kulmin e sezonit turistik, situata duket e pashpresë në krahasim me pritshmëritë tona të përvitshme. Tani, sipas zyrtarëve të Ministrisë na doli edhe një faktor tjetër, që po e mban peng sezonin turistik. Për fat të “keq” na ndodhi të jetë muaji i Ramazanit dhe gjasme shumica e shqiptarëve janë në agjërim. Ky nuk është një faktor shumë i rëndësishëm në këtë aspekt edhe pse duhet ta pranojmë se një pjesë e mirë e turistëve në Shqipëri janë nga Kosova, ku ka besimtarë të devotshëm të fesë myslimane dhe riteve të saj. Shqetëson më tepër mungesa e një politike për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit. Mungesa e infrastrukturës, investimeve, energjisë dhe ujit e kanë bërë të papërshtatshëm zhvillimin e turizmit në shumë destinacione turistike. Kemi nevojë për një turizëm që bazohet në një gamë të gjerë produktesh turistike, jo vetëm atë bregdetar, por duke e shtrirë ofertën gjatë gjithë vitit, duke përfshirë edhe turizmin kulturor, historik, atë të trashëgimisë, malor etj., të cilat vendi ynë i ka me bollëk. Një turizëm me një politikë çmimesh konkurruese me destinacionet afër Shqipërisë, duke minimizuar kështu braktisjen nga turistët shqiptarë, të cilët më shumë preferojnë të frekuentojnë destinacionet e huaja. Një turizëm që nuk do t’i varte shpresat te emigrantët që kthehen çdo verë, duke e bërë këtë më shumë si një zgjedhje të detyruar, e jo si një preferencë për të bërë pushime. Ka shumë mënyra për ta vënë në rrugë të mbarë turizmin tonë edhe pse 8 vite do të ishin mëse të mjaftueshëm për t’i dhënë identitet turizmit shqiptar që ne të mos gjendeshim në befasi të tilla.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›