E Diel, 1 Nëntor 2026

Fhilip Reeker: Vlerësimi pozitiv nga Brukseli, i merituar për Shqipërinë, palët të vazhdojnë reformat

20-10-2012 / Gazeta 55

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndesin vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit në BE, ndërsa inkurajon klasën politike në vazhdimin e reformave dhe përmbushjen e kushteve të integrimit në BE
Greva e ish të përndjekurve/ Dënojmë veprimet që çojnë në dëmtime fizike

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Euroazinë, Philip Reeker bën thirrje për uljen e tensioneve sa i takon grevës së disa ish të përndjekurve politik dhe gjetjen e rrugëve të kompromisit, për të zgjidhur me qetësi çështjen.
Reagimi i zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit vjen në një kohë kur disa grevistë, ish të dënuar politik gjatë regjimit komunist, vijojnë prej 29 ditësh grevën e urisë në Tiranë me metoda kërcënuese ndaj qeverisë, familjarëve të tyre dhe shoqërisë. Përpos formës së saj si shprehje indinjate, protestë, greva u shfrytëzua edhe për vepra penale, pasi dy grevistë përfunduan me djegie të rënda në trup, ndërsa 7-8 të tjerë edhe sot e kësaj dite kërcënojnë me vetëflijime dhe mosbindje ndaj autoriteteve shtetërore. Kësisoj, në këtë drejtim, Reeker, u bëri thirrje si autoriteteve, ashtu edhe grevistëve, të mos ndërmarrin hapa që, “do të çonin në dëmtime fizike të vetes së tyre ose të të tjerëve. Situata, tha zyrtari i lartë amerikan, duhet zgjidhur me dialog dhe me qetësi”.
“Palët, shtoi ai, nuk duhet të ndërmarrin sulme personale dhe politike të cilat kanë treguar se përshkallëzojnë situatën dhe pengojnë mundësinë e dialogut”.
Si të mos mjaftonte shqetësimi social i shtresës së të përndjekurve në përgjithësi dhe jo vetëm 7-8 grevistëve që bëjnë shantazhe kërcënuese, kauza e tyre ka rënë në rrjetën e interesave politike të Partisë Socialiste, me qëllimin e vetëm për të damkosur vuajtjen e të dënuarve politikë dhe diskredituar rezistencën heroike të mijëra shqiptarëve në burgjet e diktaturës hoxhiste. Fakt ky që, e bën akoma edhe më të pabesueshme kauzën e vërtetë të këtyre ish të përndjekurve, sot në grevë urie.
Ndërkaq, duke u ndalur te zhvillimet e fundit në Shqipëri, të cilën ai për herë të fundit e vizitoi 2 muaj më parë, Reeker tha se vlerësimi pozitiv nga KE, për statusin kandidat është vlerësim i drejtë dhe i merituar. Sikundër tha ai, Uashingtoni nxit palët politike të vazhdojnë reformat, në mënyrë që Shqipëria të ecë drejt integrimit në BE.
“Shqipëria, mori një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian lidhur me çështjen e statusit të vendit kandidat. Ky është vetëm një hap drejt procesit të anëtarësimit në BE dhe vendi duhet të vazhdojë reformat”, tha ndër të tjera, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Euroazinë, Philip Reeker.
Reeker i bëri këto komente gjatë një konference shtypi në Uashington mbi Ballkanin perëndimor

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›