E Diel, 1 Nëntor 2026

Një shqiptare në gjurmët e Barbier

Antoine BARBIER tashmë njihet përtej Lionit. Piktori që kishte pasur një jetë të mbushur plot pasione, që e pëlqente aq shumë dritën, kishte mbetur në kufijtë e njohjes lokal, dhe veprat e tij, ashtu si të gjitha veprat e njerëzve modestë, ishin mbuluar nga një tis mjegulle. Edlira Rama, studente shqiptare në Universitetin Lion 2 në Francë, u njoh me Barbier nëpërmjet një biografie të shkruar nga vajza e tij, Marie Monique Bison-Barbier. Disa faqe lexim do të mjaftonin për të nxitur kureshtjen e vajzës për të mësuar më tepër mbi këtë autor. Ajo do të bënte gjithçka për të mësuar më shumë për Barbier. Udhëtimi nga Franca në Bullgari, apo në muze të ndryshme të Evropës, për të zbuluar sekretet e një prej personazheve më të njohur dikur të artit lionez. Ky studim do të bënte që Edlira të vlerësohej me "Medalje Nderi" nga Shoqata lioneze e Arteve të Bukura dhe Bashkia e Lionit. Tashmë Edlira është duke menduar realizimin e një katalogu të plotë të veprës së tij, që është ende e shpërndarë. Së shpejti në Lion do të hapet një ekspozitë retrospektive, para së cilës do të botohet dhe studimi i saj mbi piktorin nga shtëpia botuese "Mémoire des Arts", e specializuar në botimin e librave mbi Artet e Bukura. Libri do përmbajë parathënien e kritikut Alain Vollerin dhe botimi do financohet nga shoqata "Në gjurmët e Antoine Barbier". Historia e artit duket se do vazhdojë të jetë një ishull ku Edlira do vazhdojë të ndalet. Specializimin e saj tw dytw ajo ka vendosur tia kushtojë një prej siteve të trashëgimisë tonë kulturore, Voskopojës.

Si u njohët me piktorin Antoine Barbier dhe çfarë kishte te ky artist që ju shtyu të hulumtonit më tej?

Piktorin francez Antoine BARBIER (1859-1948) e zbulova fillimisht duke lexuar biografinë e shkruar nga vajza e tij, Marie Monique Bison-Barbier më 1997, libër që m‘u propozua në mënyrë shumë spontane nga Laurence Berthon, atashe konservatore në Muzeun e Arteve të Bukura të Lionit. Nuk e dija se një bisedë e natyrshme, ku i shprehja zonjës Berthon shqetësimin për gjetjen e një teme interesante specializimi, lidhur me pikturën franceze të shekullit XIX, do bëhej shkas për zbulimin e një personaliteti artistik, i cili gjatë një viti të tërë do pasuronte vizionin tim mbi konceptet e krijuesit, veprës, raportit të tyre të ndërsjellë, si dhe me artin bashkëkohor (shek. XIX-fillim shek. XX). Më tërhoqi menjëherë stili mjeshtëror i peizazheve të tij, finesa e ngjyrave dhe siguria e gjestit artistik. Fillova të interesohem më hollësisht mbi këtë piktor, i cili citohej nëpër vepra të përgjithshme mbi historinë e artit lionez ose fjalorë artistësh, por pa qenë objekt i një studimi të mirëfilltë shkencor. Në fakt, biografia e shkruar nga e bija e tij, gjithashtu piktore mjaft e talentuar, karakterizohej nga një frymë familjare e anekdotike. Emri i tij përmendej në rrethet e ngushta të koleksionuesve të pikturës lioneze, si dhe nga kritika thjesht si peizazhist, pa njohuri të thelluara mbi veprat e tij. "Fshehja" e veprave të tij në koleksione private në të gjithë Francën, si dhe në shtete të tjera (Zvicër, Bullgari, Algjeri, Tunizi, Egjipt etj.) kishte shkaktuar një harresë gjysmë shekullore të këtij artisti, i cili në kohën e tij u vlerësua jo vetëm nga publiku, por edhe nga shtypi e nga artistët e kohës së tij. Elementi tjetër që kishte luajtur rol në harresën e përkohshme të Antoine Barbier ishte edhe përkushtimi i tij ndaj artit figurativ, në kohën kur lindja e abstraksionit, si dhe më pas e rrymave të ekspresionizmit, kubizmit, dadaizmit, për të kulmuar me surrealizmin, revolucionuan artin përgjithmonë. Mendova se ishte koha për një shikim të ri kritik, nëpërmjet distancës kohore në raport me kontekstin historiko-artistik të epokës së tij, e cila do mundësonte një çlirim nga komplekset që synonin të "zhytnin" në pluhurin e harresës të gjithë pjesën tjetër të artistëve, përveç gjenive. Por e kuptova shpejt se Antoine Barbier bënte pjesë në ata piktorë që kanë pasur një kontribut të çmuar në krijimin e kësaj historie artistike. Emri dhe roli i tij përmendeshin nga kritikë arti lionez, por… veprat, ku ishin ato? Problemi parësor që shtrohej për kërkimin tim ishte gjetja e një numri sa më të madh veprash, nën dritën konkrete të të cilave do mund të spikaste realisht personaliteti i tij. Në këtë mision pata mbështetjen shumë të çmuar të shoqatës "Në gjurmët e Antoine Barbier", nga pasardhësit e piktorit, me dëshirën e madhe për të rigjetur shkëlqimin e dikurshëm dhe të merituar të Antoine Barbier. Dhe në fakt, geni i këtij artisti u transmetua brez pas brezi, për të arritur sot në gjeneratën e pestë të artistëve Barbier. Si të tillë, lidhja e tyre direkte shpirtërore me artin i shtyu të kërkonin dhe më tepër mënyra si të hidhnin dritë mbi rrugëtimin shpesh të ndërprerë nga mjegulla misteri të Antoine Barbier. Një nga aspektet më interesante të jetës së tij, shtegtimet e shumta në fillimet e karrierës në kërkim të eksperiencave të reja dhe të kristalizimit të identitetit të tij artistik, mbetej një enigmë jo vetëm për pasardhësit e tij, por edhe për publikun, i cili njihte kryesisht aktivitetin e tij zyrtar në Francë, sidomos në Lion. Prandaj u pasionova menjëherë nga piktori-shtegtar, nga rindërtimi i këtij "fjalëkryqi" në kërkim të gjurmëve të tij për të rikrijuar fillin e vazhdueshëm të itinerarit artistik. Dëshiroja të tejkaloja kufijtë lokalë të famës së tij kryesisht lioneze, për të bërë një demonstrim të vlerave dhe rolit të Antoine Barbier në rang kombëtar (duke pasur parasysh që me rang kombëtar kuptohen sallonet parisiane, kryeqendra të artit evropian) dhe ndërkombëtar në shtetet ku ai jetoi e krijoi. Fusha kërkimore që hapej para meje ishte e pallogaritshme: mungesë veprash, mungesë datash, mungesë njohurish mbi momente të caktuara të jetës, mungesë njohurish mbi mendimin kritik për artin të tij (cilësimet e shtypit të kohës). Të gjitha këto lakuna sillnin një dije mjaft abstrakte mbi pikturën e tij: nevojitej një analizë shkencore e teknike e veprave të tij, që do kurorëzonte aspektin kërkimor. Natyra e këtij studimi merrte formën e një monografie të plotë mbi jetën, veprën dhe kohën e tij.

Çfarë mund të na thoni më tepër për krijimtarinë e tij?

Krijimtaria e tij si piktor qe mjaft e larmishme: ai lëvroi teknikat e vajit, akuarelit, litografisë, ilustrimit, pikturës murale dhe tematika të ndryshme, duke filluar që nga fetarja, për të kaluar nga natyrat e qeta, interioreve orientale, marinat, për të gjetur përfundimisht veten në zhanrin e peizazhit, ku zhvilloi një teknikë krejt personale që e bëri të paimitueshëm. Kishte preferencë të veçantë për efektet atmosferike, sidomos të brymës e të mjegullës, të cilat i realizonte nëpërmjet nuancave të ndryshme të grisë, që harmonizoheshin në një unitet tonal. Pikërisht harmonia tonale, shkallëzimi i nuancave për të krijuar një ndjesi të përgjithshme mbizotëruese, përbënte një nga pikat e tij të forta si artist. Akuarelet e tij karakterizohen nga eleganca dhe rafinimi i veçantë që vënë në dukje profesionalizmin e tij. Aftësia e tij për të krijuar përzierje ngjyrash nëpërmjet eksperimentimeve personale, është një aspekt mjaft tërheqës për kritikën. Peizazhet e tij karakterizohen nga kompozicionet interesante dhe harmonitë e ngjyrave të ngrohta apo të ftohta (sepse ai qe piktori i harmonive dhe jo i kontrasteve).

Duhet të ketë qenë një aventurë kërkimi mbi jetën dhe veprat e lëna nga ky piktor?

Pjesa kërkimore e studimit tim ishte mjaft pasionante, e mbarsur me luhatjet e njëpasnjëshme nga gëzimi në zhgënjim. Gjatë kësaj rruge të vështirë krijova kontakte me shumë personalitete, të cilët lehtësuan punën time kërkimore. Kronologjikisht, etapat nëpër të cilat kalova ishin: në fillim hartimi i listës së veprave të cilat ekspozoi vit pas viti në Sallonin e Parisit dhe të Lionit. Për këtë kam shfrytëzuar arkivat e Shoqatës Artistike të Arteve të Bukura dhe të Muzeut të Arteve të Bukura të Lionit, si dhe të Muzeut Historik e Arkeologjik të Gjenevës. Në këto institucione pata ndihmesën e veçantë të Yves Malfroy Camine, president i SLBA dhe të Laurence Berthon, atashe konservatore në Muzeun e Arteve të Bukura në Lion. Më pas vazhdova me kërkimin e veprave të tij nëpër muze të ndryshëm në Francë: Paris (Carnavalet), Saint Etienne, Roanne, Bourg en Bresse etj., nëpër koleksionet private të pasardhësve të piktorit, të cilët më hapën dyert me shumë ngrohtësi, në galeri të ndryshme arti të specializuara në epokën e piktorit (Charvériat, Saint Hubert etj.), nëpër ankandet e veprave të artit (ANAF, Chenu-Scrive-Berard, etj.), si dhe në sitet internet të specializuara për komercializimin e pikturave. Paralelisht m‘u dha mundësia të shfrytëzoj një dokumentacion shumë të pasur intim me fotografi dhe korrespondencë që dispononte nipi i piktorit, që është njëkohësisht edhe president i shoqatës "Antoine Barbier", z. Marc Bisson. Në muzetë e Francës pata takime të drejtpërdrejta me konservatorë, si p.sh: Znj. Brigitte Bourret në muzeun e Roanne, zv/konservatore e muzeut Carnavalet në Paris, apo me përgjegjësin e koleksioneve të qytetit të Lionit, z. Bruno Cartier, të cilët më mundësuan fotografimin, matjen e dimensioneve, inventarizimin e veprave në koleksionet publike, si dhe të veprave që ndodheshin në rezerva, të cilat nuk janë të vizitueshme për publikun e thjeshtë. Kërkimi i veprave u shtri edhe jashtë kufijve të Francës, nëpërmjet rrugëve të ndryshme: qëndrimeve në vende ku piktori kishte jetuar dhe korrespondencave me konservatorë të institucioneve të tjera ku ruhen veprat e tij. Falë ndihmës financiare të shoqatës së piktorit, munda të organizoj një udhëtim kërkimor në Sofje të Bullgarisë, ku u shoqëruam nga znj. Janet Miteva, nëndrejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Arteve të Bukura. Këtu ekzistonte enigma më e madhe lidhur më aktivitetin artistik të Barbier, pasi për shkak të dëmeve shkaktuar në periudhën komuniste, shumë vepra arti ishin shkatërruar. Sidoqoftë munda të vizitoja e të fotografoja dekorimet e sapo restauruara që artisti kishte realizuar në pallatin mbretëror, si dhe të shfrytëzoja arkivat kombëtare. Ndërkohë, nëpërmjet korrespondencës së vazhdueshme me At Zhak Mason të urdhrit të Jezuiteve në Kajro, arrita të kem një dokumentacion të mjaftueshëm dhe foto të veprës së Barbier në Matarieh. Konservatori i Muzeut të Algjerit më mbajti në dijeni për veprat që kishin mbijetuar atje pas ngjarjeve të turbullta që kaloi vendi në vitet ‘60. Në të njëjtën mënyrë munda të mbaj lidhje edhe me përgjegjës të muzeut të Bërnes. Etapa pasuese ishte kërkimi në shtypin e viteve 1900-1948, i cili arkivohet në Bibliotekën Kombëtare të Lionit, punë mjaft e gjatë dhe e lodhshme për të mbledhur kritika të ndryshme mbi Antoine Barbier, në mënyrë që të krijoja dosjen e shtypit që i përkiste artistit në veçanti. Në këtë periudhë kam pasur mbështetjen e plotë të kritikut të artit lionez më të njohur, z. Alain Vollerin, anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikëve të Artit, themelues i shtëpisë së Botimit dhe të revistës artistike, "Mémoire des Arts". Më pas, vështirësia kryesore në hartimin e studimit përbëhej nga mungesa e datave të tablove. Duhej një punë mjaft e madhe për të dhënë një ide të epokës së krijimit, duke u bazuar në stilin e veprave, sepse kjo lloj analize presupozon një njohje të thellë të personalitetit dhe veprimtarisë së artistit, të fazave të pjekurisë së artit të tij, e cila fitohet me kalimin e kohës.

Cili ishte rezultati i gjithë këtyre kërkimeve?

Fryti i drejtpërdrejtë i kësaj pune kërkimore njëvjeçare ishte ridimensionimi i këtij piktori në shkallën e vlerave që i përkiste, nën dritën konkrete të rreth 200 veprave të tij që munda të inventarizoj. Synimi i punës time që në fillim kishte qenë të nxirrja në dritë pas shumë vitesh një personalitet artistik, i cili ishte lënë në heshtje për arsyet që përmenda më lart dhe kënaqësia ime më e madhe ishte kur kuptova se ia kisha arritur qëllimit. E kuptova këtë gjë nëpërmjet vlerësimit që pati puna ime: fillimisht, ditën e paraqitjes së rezultateve të punimeve para komisionit të përbërë nga pedagogë historianë arti dhe nga atasheja konservatore, ku z. Francois Fossier, historian arti, pedagog, specialist i shek. XIX francez më shprehu përgëzimet për punën kërkimore dhe foli për piktorin, duke e cilësuar si një "zbulim" nëpërmjet punës time, pasi për herë të parë paraqiteshin veprat e tij, të cilat nuk ishin të vizitueshme për publikun, duke mundësuar më në fund nëpërmjet katalogut të veprave vizualizimin konkret të individualitetit artistik që përkonte me emrin e piktorit, i cili deri më sot njihej më shumë nëpërmjet emrit dhe disa fakteve të rëndësishme për jetën artistike… Ai më inkurajoi të vazhdoja këtë kërkim, sepse talenti i piktorit, i sapopromovuar me një këndvështrim të ri, duhej të vihej në pah për t‘i ridhënë shkëlqimin e merituar që kishte njohur në kohën e tij. I njëjti cilësim "zbulim" u përdor edhe nga kritiku i artit, Alain Vollerin, i cili kishte pasur përherë dëshirën të vizitonte më shumë vepra të piktorit, si njohës specialist i pikturës lioneze. Ai më siguron një përkrahje të rëndësishme në projektet për të promovuar artistin nëpërmjet organizimit të ekspozitave, artikujve të ndryshëm, botimit të një libri. Gjatë vitit studimor kushtuar piktorit, anëtarët e shoqatës "Antoine Barbier", më dhanë një provë të shkëlqyer të besimit të tyre tek unë, duke më caktuar sekretare të shoqatës, funksion që e ushtroj me shumë pasion që nga maji i vitit 2007 dhe që konsiston në koordinimin e mbledhjeve e aktiviteteve të ndryshme, projekteve, si dhe shfaqjes së një buletini të vazhdueshëm mbi veprimtarinë dhe rezultatet e misionit të kësaj shoqate. Por evenimenti që më dhuroi një emocion të paharrueshëm ishte dhënia e një medaljeje nderi nga Shoqata lioneze e Arteve të Bukura, e themeluar më 1887 dhe me president nderi aktual kryetarin e Bashkisë së Lionit, Z. Gerard Collomb. Kjo medalje i jepet një herë në vit personit që ka kontribuar më tepër gjatë vitit për artin lionez. Ishte sigurisht vlerësimi më i bukur për punën time, një vlerësim të cilin nuk e prisja: ardhja e ftesës për në Sallonin Vjetor të Shoqatës së Arteve të Bukura të Lionit ishte një surprizë për mua si studente dhe as që më kishte shkuar në mend se pikërisht do të isha unë që do merrja medaljen e nderit për këtë vit. Ceremonia u bë më 1 mars 2008, ditën e çeljes së Sallonit të Pranverës, sallon ndërkombëtar që organizohet një herë në vit, nga Shoqata lioneze e Arteve të Bukura me pjesëmarrjen e personaliteteve artistike e politike, aktorë thellësisht të denjë të zhvillimit të vlerave qytetare e kulturore të qytetit. Fjala e hapjes u mbajt nga presidenti Z. Jean Francois Forest, i cili u pasua nga nënkryetari i bashkisë, njëkohësisht i deleguar për çështjet kulturore z. Patrice Beghain, nga kryetarja e njësisë bashkiake numër 5, si dhe nga kritiku i artit Z. Alain Vollerin. Procedimi i dhënies së medaljeve filloi pikërisht me medaljen e nderit, moment gjatë të cilit presidenti i dytë i nderit, z. Yves Malfroi Camine, bëri prezantimin tim duke theksuar origjinën time ("studente shqiptare"), të cilën mundohem ta vë në pah me krenari në çdo afirmim. Pastaj ai foli për itinerarin e studimeve të mia dhe veçanërisht për punën e bërë mbi piktorin Antoine Barbier, të cilit në këtë sallon i kishin kushtuar një vend të veçantë nëpërmjet ekspozimit të dy veprave në shenjë homazhi retrospektiv. Sigurisht, në një moment të tillë të veçantë përfitova për të falënderuar të gjithë personat që më kishin shoqëruar me aq interes gjatë kërkimeve, dhe për të përmbledhur edhe një herë rëndësinë e artistit, pasi këtë medalje unë e quaj gjithashtu një homazh për artistin Antoine Barbier, i cili kontribuoi me shumë përkushtim në mbarëvajtjen, rritjen e cilësisë dhe zgjerimin e famës së kësaj shoqate, qendër artistike e Lionit, e duke përfunduar me një përshëndetje speciale për familjen time, që më ka sjellë një forcë morale shumë të çmuar pavarësisht nga distanca. Ndërkohë, një tjetër fitore e bukur për mua është ajo më e fundit, e cila m‘u komunikua në fillim të majit: propozimi që kisha paraqitur para disa muajsh në Bashkinë e Lionit si sekretare e shoqatës së piktorit, për emërtimin e një rruge "Antoine Barbier", u përzgjodh nga këshilli bashkiak, ndërmjet 20 kandidaturave të personaliteteve të fushave të ndryshme. Mendoj se ky rezultat është një nga më domethënësit për rikthimin e përhershëm të këtij piktori në elitën e artistëve që kanë "bërë" në mënyrë literale historinë e artit lionez. Tashmë kjo ringjallje do të mund të materializohet së shpejti në një simbiozë të Antoine Barbier me rrugët e qytetit të tij, të cilat nuk reshti së i përjetësuari gjithmonë në mënyra të reja, të ndryshme, në pëlhurat e akuarelet e tij.

E ndiqni artin bashkëkohor në Francë? Cilat janë prirjet e kritikës sot?

Pavarësisht se nuk i jam përkushtuar artit bashkëkohor, në specializimin tim përpiqem ta ndjek sa herë kam mundësi dhe kohë të lirë, pasi më pëlqen të përballem me risitë, guximin dhe metamorfozat e një arti që sot është me prolifik se kurrë dhe që ka pushtuar çdo lloj suporti të mundshëm. Nga pikëpamja artistike në përgjithësi, kontaktet me botën e artit në Francë karakterizohen nga një ritëm i pamundur për t‘u ndjekur tërësisht. Thjesht mbi artistët e sotëm, në muajt e fundit në Paris janë çelur një numër i konsiderueshëm ekspozitash, ku do përmendja artistët minimalistë Bruce Nauman e Frank Stella, me një dimension të theksuar simbolik në veprat e tyre; Christian Boltanski, i cili i drejtohet pareshtur vokacionit të shenjtë të veprës së artit, duke na zhytur në një hapësirë meditimi; Richard Serra, një nga artistët më të mëdhenj të skenës internacionale sot, në një ekspozitë me peizazhe të çelikta radikale e poetike njëkohësisht etj. Kur flasim për art bashkëkohor në Francë, nënkuptojmë një art internacional, karakter që mundësohet jo vetëm nga ekspozitat e përkohshme, por edhe nga bienalet, sidomos Bienalja e famshme e Lionit, edicioni i nëntë i së cilës u mbyll në janar të këtij viti. Është një nga evenimentet artistike më të ndjekura në Francë, pasi shumë artistë bashkëkohorë e të huaj shpalosin veprat e tyre, intimitetin në raportin e veçantë që ka secili me "krijesën" e tij, duke u bërë kështu nismëtare të tendencave krejtësisht të ndryshme e të larmishme. Në të tilla manifestime artistike e kuptoj realisht se në ç‘proces dinamik e kompleks ka hyrë arti bashkëkohor. Me zhvillimin e teknologjive të reja, informatikës, internetit, shpesh kritikët e artit flasin për një tekno-art, për të karakterizuar shprehjet radikale në kontekstin e sotëm si p.sh: artin video që përdor magnetoskop, holografinë (përdorim laseri) e teknika të tjera teknologjike që shpesh mbeten në sferë virtuale dhe synojnë të gërshetojnë përbërës informatike dhe inteligjence artificiale. Edhe fotografia apo rikuperimi dhe ripërpunimi plastik i sendeve ekzistuese për t`i kthyer në vepër arti, apo format skulpturore realizuar me materiale nga më të ndryshmet, mbetën shprehje artistike mjaft të preferuara. Limitet e suporteve klasike janë shpërthyer prej kohësh, për të marrë formën e performancave ku artisti vete vë në skenë trupin e tij; të "happenings" (ndërhyrje artistike spontane, të cilat kërkojnë pjesëmarrjen aktive të publikut), apo instalimet e ndryshme komplekse të cilat e ftojnë spektatorin të kthehet në aktor për të provuar ndjesi të reja. Pra, është një art që shkon gjithnjë drejt zbulimit, drejt eksperimenteve dhe sensacioneve, pa harruar aspektin provokues që sot përbën një nga pikat kyçe që disa kritikë arti zgjedhin për të shfryrë dufin e tyre dhe për të zhvilluar debate pafund mbi "krizën e artit bashkëkohor", apo mbi dikotominë sipërfaqësore "art" dhe "jo-art", e cila i detyrohet disiplinës universitare të historisë së artit, që me gjithë evolucionin, ende s‘ka arritur të çlirohet nga metodat dhe interpretimet klasike të së shkuarës.

Shkrimtarja e fëmijëve

E shkruara ka qenë gjithnjë pasion për Edlirën. Në moshën 10-vjeçare ajo ka botuar romanin e parë, "Udhëtim në botën qiellore", ndërsa në moshën 11-vjeçare boton përmbledhjen me përralla, "Kur vallëzojnë lulet" (1996) (parathënia nga Bedri Dedja), i cili u vlerësua me çmimin kombëtar të letërsisë për fëmijë, "Vehbi Kikaj". Në vitin 1997 u botua libri i saj i tretë, po me përralla, "Kaprolli që donte diellin", i cili u pasua dy vjet më vonë nga "Xixëllonjat dhe teatri i Borëbardhës". Libri i saj i pestë, "Ishulli i fëmijëve", botuar në vitin 2000, shënon romanin e dytë për fëmijë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›