E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk duhet të ekzistojë më imuniteti për korrupsionin dhe krimin e zakonshëm

Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, u shpreh dje se kufizimi i imunitetit është një nga arritjet më themelore të 16 viteve të fundit. Në fjalën e tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha vuri në dukje se një nga arritjet më themelore të të gjithë këtyre 16 viteve do të jetë vota e deputetëve shqiptarë për të rrëzuar murin e imunitetit, gjë që i bën nder shumë Parlamentit, çdo deputeti, çdo politikani”. “Kjo shënon realisht një kapitull të ri në përpjekjet e këtij vendi për transparence, përgjegjshmëri ligjore, barazi para ligjit, jo vetëm të politikanëve, por të të gjithë imunitarëve” - tha Berisha. Kryeministri theksoi se imuniteti për korrupsionin dhe krimin e zakonshëm nuk duhet të ekzistojë për asnjë person në Republikën e Shqipërisë i çfarëdo rangu, i çfarëdo pushteti qoftë. “Përmes heqjes së imunitetit ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse instalojmë një model që demokracia më e konsoliduar dhe më e madhe në botë e ka instaluar 200 vjet më parë në Kushtetutën e vet. Jemi të hapur për mendimet e opozitës, për mendimet e grupeve të interesit dhe institucioneve të tjera, të cilat kanë bërë punë serioze gjatë gjithë këtyre muajve në këtë drejtim” - deklaroi kreu i qeverisë. Berisha vlerësoi me këtë rast vendosmërinë e deputetëve të maxhorancës, por dhe bashkëpunimin e opozitës për të proceduar me reforma në fushën e sistemit të drejtësisë dhe fusha të tjera. Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, kryeministri theksoi se “këto janë reforma themelore për çdo shtet, që kanë të bëjnë, para së gjithash me pavarësinë, transparencën, mirëadministrimin e këtij sistemi”. Kreu i qeverisë vuri në dukje se “një hap shumë i madh është bërë me ligjin e organizimit të drejtësisë, i cili, siç faktohet nga raporti i Komisionit Europian, është një ligj që i jep përgjigje të përshtatshme problemeve madhore, me të cilat përballej ky sistem”. Ai vuri në dukje se në proces e sipër të reformimit janë institucioni i Prokurorisë, administrimi i Gjykatave dhe profesionet e lira, Përmbarimi, duke nënvizuar se mund të shihen dhe ligje të tjera të lidhura me insitucionet e këtij sistemi, si Policia Gjyqësore. “Mbi bazën e eksperiencës së gjatë të krijuar, eksperiencës më të mirë ndërkombëtare, është e domosdshme që një legjislacion i standardeve më të mira të vendoset në bazë të këtyre institucioneve, një legjislacion që ka dy qëllime themelore; të konsolidojë pavarësinë e tyre, t’i bëjë ato më transparente ndaj publikut, të gjithë veprimtarinë e tyre dhe më të përgjegjshme” - theksoi më tej Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›