E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një shtet në mjegull

Këto ditë, kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanderi, pushoi nga puna ministrin e brendshëm dhe ministrin e drejtësisë, si dhe kreun e policisë kombëtare; e gjithë kjo, ndodhi për shkak se u qëllua për vdekje mbi një avokate të re. Po për këtë ngjarje, presidenti i vendit, Stipe Mesiçi, u shpreh se të gjithë ata që thonë duhet bërë diçka për të përmirësuar sigurinë në Kroaci, kanë të drejtë.

Tani, le të vijmë në këtë Shqipërinë tonë (gjithnjë) të pushtuar nga ankthet dhe stresi. Pas një sërë sulmesh pa precedent në administratën dhe policinë e mëparshme, në një terren gjithnjë e më të mjegullt, u erdhi radha ballafaqimeve tejet dramatike.

Pas ngjarjeve në Gërdec, u tha se shteti nuk funksionoi. Ishte fjala jo thjesht për një ministri, por edhe për institucionet e tjera financiare e të kontrollit. Por, në sferat e larta, pse jo përgjegjëse për ngjarjen, askush nuk u pushua nga puna, me përjashtim të disa ushtarakëve të lartë, që fundja nuk u penalizuan për asgjë(!). U gjend i vdekur një biznesmen, emri i të cilit u bë i njohur pas denoncimit të fuqishëm që ai bëri për trafikun e armëve. Dhe, prapë, askush nuk u përgjigj dhe as që ka ndërmend të përgjigjet për këtë. Në të njëjtën errësirë, mbetet ende vrasja e biznesmenit Remzi Hoxha. Të akuzuarit ndërrojnë petkat, por mbeten gjithnjë në skalionet e para të administratës së “duarve të pastra”.

Ka shpërthyer sakaq një tjetër skandal i paparë. Në qendër të tij, është “qytetari i lirë”, Damir Fazlliçi, kompanitë e të cilit (përveçse në errësirë të plotë, si gjithnjë), del se nuk kanë paguar asnjëlloj takse. Sikur të mos mjaftonin dyshimet e qytetarëve, mediave, politikanëve dhe ekspertëve të prokurorisë, skota e qeveritarëve të çoroditur, hidhet në sulm, duke kërcënuar mediat dhe opozitën, pse ato kërkojnë të dinë më shumë për “qytetarin e lirë” dhe lidhjet e tij të mbrapshta në Shqipëri.

Madje kërkohet hetim ndërkombëtar, fillojnë e thuren legjenda sipas të cilave, “tjetërkush duhet të ketë frikë nga zoti Fazlliç...”. Shumë sinjifikative! Por do të ishte e udhës që kërcënuesit të shpjegonin ndërkaq e, më së pari, lidhjet dhe zgjidhjet e tyre me individin në fjalë. Ata kanë marrë një mandat politik, që gjatë gjithë kohës është “përkthyer” si përbetim për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të fshehësh “çudirat” në këtë temë të fundit, është njësoj sikur të përpiqesh të na hedhësh hi syve ne qytetarëve të këtij vendi.

Në korrik (2005) fitoi PD-ja dhe aleatët e saj. Në gusht, u ngrit kabineti i parë i kryeministrit Berisha. Në shtator, “i përvëluari” për fatete demokracisë shqiptare, ngriti sakaq tre apo katër kompani e biznese në Shqipëri(!). Ai, pra, shtiu fall që “Shqipëria do të hapej”; se më parë, na qenkësh e mbyllur.

Edhe kjo histeri, është tejet e rrezikshme. Nga teza “Historia jam unë!”, ka vuajtur shumë ky vend; edhe më tej do të vazhdojë të vuajë, me sa duket. Është turp të thuash se historia fillon me ty, kushdoqofsh. Kanë qenë këtu edhe më parë, pothuaj gjithë përfaqësuesit e makinave më të njohura në botë, nga Benzi tek Toyota. Kanë qenë këtu AMC-ja, Vodafoni. Kanë qenë këtu firmat koncesionare që shfrytëzojnë naftën dhe minierat e vendit. Janë inauguruar edhe më parë fabrika çimentoje. Është skicuar që atëherë privatizimi i Alb-Telecom-it, e kështu me radhë... Ja që historia nuk qenke ti. Natyrisht, çdo qeveri, merr përsipër të bëjë më mirë e të shpjerë përpara atë që kanë nisur të tjerët. Për këtë edhe i besohet mandati politik. Kjo është e thjeshtë.

Tani të gjithë mund të pyesin se ç’është ky vend dhe ç’janë këta qytetarë që “gëlltisin” kaq shumë. Me të drejtë. Të përpiqesh të ulesh në terren, të ndjekësh emisionet e televizioneve të ndryshme, atë çka shkruajnë njerëzit në gazeta dhe në blog-e, e kupton edhe më mirë se diçka nuk shkon. Po, nuk shkon fare. Të gjithëve na kujtohet se si (përpara nja dy vitesh) protestoi për netë të tëra Budapesti; vetëm e vetëm pse kryeministri i vendit kishte lënë të kuptohej në një mbledhje të partisë së tij se (pak a shumë) “i kemi gënjyer qytetarët”.

Në Shqipëri, qytetarët jo vetëm gënjehen, por edhe kërcënohen. Ndër precedentët e fundit dhe që ka për protagonist kryeministrin e vendit, ishte edhe paralajmërimi që iu bë deputetëve të majtë në Kuvend, se do të bëhej transparenca transparencë, me filmime, me foto, me kushedi ç’tjetër... Ç’është gjithë kjo fanfarë? Përse na duhet? E kemi dëgjuar disa herë kryeministrin të shantazhojë deputetët apo politikanët kundërshtarë, sikundër kemi parë se si i zhvleftësoi akuzat që ai kishte formuluar më parë ndaj ish-liderit të PS-së, Fatos Nanos.

Llafet dhe lloqet e ditëve të fundit, janë gjithë në po atë format e tonacion. Nuk mbeti deputet e politikan pa u njollosur, pa “llagap-e”. Dhe ndërkaq, kurrfarë përgjegjësie e shpjegimi pse vendi përpëlitet kësisoj midis gënjeshtrave prej gati 20 vitesh. Sot dhe mot e njëjta hipokrizi.

“Është e rëndësishme që të ndahen veprimtaritë e përditshme të njerëzve nga struktura e përgjithshme e zakonshme, brenda së cilës, ato zhvillohen.” Kështu thotë nobelisti Milton Friedman-i. Dhe më tej: “Veprimtaritë e përditshme janë si veprimet e pjesëmarrësve në një lojë; ndërsa struktura, si rregullat e lojës që ata luajnë.” Ka ardhur koha që intelektualët dhe politikanët, po aq edhe qytetarët e këtij vendi, të vendosin për një format tjetër qeverisjeje; për një strukturë tjetër loje politike; për një kontratë të re, bashkënënshkruesit e së cilës, të mos guxojnë t’iu hedhin hi syve dhe as të thonë “Historia jam unë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›