Një spektakël dramatik që do të mbahet mend gjatë
Esenca e teatrit, ndoshta, në mënyrë krejtësisht të arsyeshme mund të shprehet përmes emrit njeri. I iniciuar dhe i paramenduar nga ana e vetë njeriut teatri realizohet në skenë si dhe i dedikohet publikut. Nikolai Jevreinovi, njëri prej teorikëve më të njohur, i cili ka marrë pjesë edhe në krijimin e formave të reja moderne të teatrit duke hulumtuar vetë të kaluarën e teatrit, do të gjente se: teatri buron nga natyra e njeriut. Shi për këtë mendoj se edhe drama dhe shfaqja e fundit e Haqif Mulliqit, “Një varr për majorin e Mbretit” është një krijimtari e rrallë e cila ngërthen më shumë dimensione brenda vetes, qoftë brenda vetë dramës, apo edhe vetë shfaqjes e cila solli një madhështi në këtë skenë. Ndoshta atë që i ka munguar teatrit shqiptar deri më sot.
Ndarja drithëruese e shtresave të vetëdijes
“Një varr për majorin e Mbretit”, mbi të gjitha flet për fatin tragjik të njeriut, por, në këtë kuadër vjen edhe si shpërfytyrim të një mentaliteti që la gjurmë të pashlyera ndër shqiptarët, si dhe fytyrën e një të keqeje të madhe të cilën e përjetuan mbi lëkurën e tyre shumë njerëz. Kjo vepër e Mulliqit bart në vete një të vërtetë artistike për shkaqet dhe shkaktarët të bërat e së cilës duhet të diskutohen. Për dallim nga disa fejtone teatrore (të cilat i kemi hasur në gjithë hapësirën teatrore kombëtare) që lindën viteve të fundit , në të cilat është pretenduar të nxirret ndonjë aluzion proteste apo edhe i nacionalizmit të kamufluar, si ndonjë karrem i vogël për publikun, mendoj se “Një varr për majorin e Mbretit” ndez zjarr te ne dhe në të njëjtën kohë na tundon fuqishëm mbi të gjitha ngase kemi të bëjmë me një vepër të madhe artistike, qoftë në formën e dramës së shkruar apo edhe të shfaqjes që shikuam. Në këtë dramë hasim një si zhytje dhe depërtim dhe të stimulimit, gati të pashpjegueshëm të labirinteve më të mprehta të shpirtit të njeriut. Një dramë si një lëvizje tronditëse mbi kredhjet e shtresave të rrafshëta të vetëdijes, e që mund të lexohet edhe si një dramë autentike e kohës dhe hapësirës sonë. Ndërsa vetë drama ngërthen në vete diçka mitike, të cilën e hasim tek ritualet që i ndërton Haqif Mulliqi në veprën e tij (me ndihmën e koreografit të jashtëzakonshëm Haki Mulliqi) por edhe epike për të arritur tek vetëdija religjioze (shih skenën e vajit të grave dhe të gjëmës së burrave) kur njerëzit, përmes ritualeve pagane përpiqen t’i kundërvihen regjimit antinjerëzor dhe ateist, duke u përpjekur që, në këtë mënyrë të ruhet lidhja me identitetin nacional. Vetëdijen shqiptare.
Ndaj dhe për këtë arsye mund të thuhet se, kjo vepër e Mulliqit, qoftë në trajtën e vetë veprës dramatike, apo edhe të spektaklit madhështor të cilin e ngjiti në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, mund të jetë, apo edhe të ndikojë si një vërejtje, respektivisht si kërkim i shkaqeve të një gjendjeje latente që ka ekzistuar, por që, për fat të keq, në një trajtë apo edhe tjetrën vazhdon të jetojë. Kjo këtë ndikim e përforcon me atë se në të vërtetë mund të gjejmë disa momente katarsistike. Për këtë edhe gjuha regjisoriale e fuqishme dhe moderne e përdorur nga Mulliqi në këtë pjesë, por edhe format tjera artistike që i përdor në këtë vepër, si për shembull etno-koreografia, skenografia funksionale apo edhe muzika, e dimensionojnë këtë shfaqje përtej standardeve të teatrit bashkëkohor shqiptar.
Instinkti i teatralitetit si imanentë e tërë shoqërisë
Sipas gjithë kësaj që u tha, “Një varr për majorin e Mbretit” e Haqif Mulliqit sjell para nesh një tragjedi autentike të kohës sonë. Kjo është e këtillë ngase në të hasim plotë e përplot esencash ideore, por edhe për shkak të pasqyrimit brilant, do të thosha, te një periudhe të mundimshme, tragjike, të errët dhe të dhimbshme të botës shqiptare. Kjo, ngase, personazhet në këtë dramë – spektakël, janë të gdhendura saktësisht dhe të ndërtuara si të tillë që të arrijnë të jenë heronj tragjik. I këtillë eshë Majori i Mbretit dhe Genti i cili detyrohet që për pesëdhjetë vjet të komunizmit në Shqipëri t’i bart eshtrat e babait në një valixhe. Edhe varrmihësit të cilët për pesëdhjetë vjet kanë varrosur dhe zhvarrosur njerëz që e pësuan nga diktatura. Edhe gruaja e Gentit, e cila, për shkak të amanetit që duhet ta sendërtojë i shoqi, bashkëjeton të thuash tërë diktaturën në shtëpi. Por, edhe të tjerët. Ndërsa, në prosedeun e saj vepra “Një varr për majorin e Mbretit” e Haqif Mulliqit është dramë mbi një kohë shumë të afërt për shumicën prej nesh; dramë mbi një gjendje, e cila, përmes eshtrave të të zhdukurve apo edhe të të vrarëve akoma vazhdon.
Është fjala për një produksion të jashtëzakonshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës që vjen në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Një shfaqje e shkëlqyeshme. Me një regji të bukur dhe inventive e cila ka munguar në këtë skenë. Me një aktrim të nivelit më të lartë (në veçanti Blerim Gjoci, Mentor Zymberaj, Sunaj Raça, Ismet Azemi, Skënder Tafaj, Çamëri Ceraja, Lumnie Sopi, Basri Lushtaku, Shkëlzen Veseli, etj.). Me një koreografi të Haki Mulliqit që të lë pa frymë dhe e cila sjell diçka absolutisht të re në skenat shqiptare. Me një skenografi tejet funksionale. Me kostume të përzgjedhura bukur nga Samka Ferri si dhe një kolonë zanore të mrekullueshme të profesorit nga Tirana, Fatos Qerimaj e cila lë mbresë të madhe tek secili shikues. Këta emra, por edhe pjesa tjetër e aktorëve si Ramadan Malaj – Badi, Shkumbin Osmani, Valina Muçolli, Naser Shatrolli dhe Vigan Nuza, të gjithë së bashku (në një shfaqje tejet kolektive) bënë përpjekje që të krijojnë një tregim skenik mbi një të keqe duke ricikluar një tersi të situatave jetësore, me përplot tensione dramatike të cilat mund të kuptoheshin qoftë nga vetvetja apo edhe përmes konteksteve të krijuara, duke mos lënë në mes shumë dykuptimësi ideore. Gjithashtu do të mbahet mend gjatë edhe për shkak të mënyrës së si është ndërtuar në të e vërteta artistike duke u ndërthurur me të vërtetën historike. Për këtë arsye është e mundshme që të kuptohet edhe reaksioni i intelektualëve, pra i publikut të edukuar të teatrit i cili këtë shfaqje e ka pranuar si një protestë jetësor dhe autentik kundër dhunës ndaj individit, por edhe si një thirrje artistike dhe estetike kundër përjashtueshmërisë, ndarjes mes njerëzve, apo edhe kundër trashëgimisë së zezë të cilën, kjo shoqëri, deshi kush apo jo, do ta bart pas vetes edhe gjatë kohë. E për ta arsyetuar këtë, propozoj të kthehemi edhe njëherë fare në fillim të këtij shkrimi! Jevreinovi duke folur për tetarin ka pohuar se instinkti i teatralitetit nuk është vetëm imanentë e njeriut por atë e gjejmë të përhapur në shoqërinë të cilës ai i përket. Ndërsa filozofia e teatrit të cilën e kanë mbështetur dhe rekomanduar ky apo edhe artistë të tjerë del se mbështetjen duhet ta kërkojë edhe tek teatri që s’është vetëm qëllim i vetvetes. Por edhe tek teatri në jetë i cili, ndoshta është edhe kushti i vetëm i ekzistimit të teatrit në përgjithësi. Mendoj se ky ishte parimi dhe qëllimi i Haqif Mulliqit dhe bashkëpunëtorëve të tij në këtë projekt, meqë, para nesh sollën një prej realizimeve më spektakulare, më të bukura dhe më të qëndrueshme që ka njohur kjo skenë teatrore.