“XiiiK”, fitues i Startup Weekend Prishtina

Startup Weekend Prishtina, e organizuar nga Innovation Centre Kosovo (ICK), i kushtohet zhvillimit të bizneseve të reja në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Gjatë tri ditëve, ekipet kanë punuar në zhvillimin e ideve të biznesit. Startup Weekend Prishtina i ka ofruar mundësi të gjithë të interesuarve që duan të merrem me biznes inovativ të bazuar në teknologji, që t’i shpalosin idetë dhe vizionin e tyre të biznesit.
Çelik Nimani, menaxher i trajnimeve në ICK si dhe organizator i Startup Weekend Prishtina, ka thënë se qëllimi i këtij aktiviteti, është edukimi i ndërmarrësve në sektorin e ndërmarrësisë në Kosovë, duke u mundësuar kështu personave të rinj por dhe atyre të moshuar që të nisin bizneset e tyre dhe të jenë krijues të vendeve të tyre të punës. E tërë kjo, sipas tij, është një formë e mirë, se si mund të targetohet tregu i Kosovës dhe si munden investitorët ta shohin potencialin e këtij vendi, duke biseduar direkt me ekipet që janë duke krijuar diçka, brenda një vikendi.
“Realisht mund të themi që kemi një rini, e kemi një moshë mesatare prej 25 vjet në komunitetin tonë, që ka potencial të jashtëzakonshëm dhe mund të sjellin ide që kanë potencial global dhe një infrastrukturë si Startup Weekend Prishtina, një arenë e tillë, ku mund të testohen idetë. Është një hap i mjaftueshëm për të shkuar m tutje, në një shkallë globale, për shkak se këtu kemi pasur të pranishëm dhe investitorë nga vende të ndryshme të rajonit , të cilët kanë vëzhguar prej së afërmi punën që është bërë nga ekipet”, pohoi ai.
Ndërsa Leart Zogijani, fituesi i ekipit “Xiik”, të cilët në këtë organizim janë paraqitur me idenë e krijimit të një kompanie e cila krijon lojëra 3D për telefona mobil, tha se kjo fitore është si rezultat i një pune të jashtëzakonshme. Ai beson se ekipi i tij i cili doli fitues do të zhvillohen në një biznes fitimprurës, i cili nuk do të përfundoj me Kosovën, por i cili do të jetë i pranishëm në gjithë botën.
“Po shohim që aq shumë të rinj po kërkojnë të dalin jashtë, pikërisht për shkak të pamundësive ekonomike. Këto ide mendoj që janë ide e shkëlqyer për t’i mbajtur këta të rinj këtu, për të mbajtur një fuqi të jashtëzakonshme në Kosovë. Pa dyshim që rinia jonë ka ide shumë të mëdha, mjafton me pas një mbështetje qysh gjendet sot pikërisht këtu në ICK”, pohoi ai
Ekipi fitues i çmimit kryesor në SW Prishtina do të ketë mundësinë të konkurrojë edhe në Global Startup Battle që organizohet nga Global Entrepreneurship Week, që është gara më e madhe në botë e ndërmarrësisë, ku pritet të marrin pjesë më shumë se 130 qytete në mbi 100 shtete, me afro 1200 ekipe anembanë botës. Ashtu si edhe gjatë dy edicioneve të mëparshme Startup Weekend Prishtina, po iu ofron të gjithë të interesuarve, që duan të merrem me biznes inovativ të bazuar në teknologji, një mundësi të shpalosjes së ideve dhe vizionit të tyre të biznesit.