Një tjetër burrë vret të shoqen, ndërsa policia mbledh kufomat. Në 6 muaj, 70 viktima!
Çdo ditë e më shumë Shqipëria është një vend ku nuk mund të jetohet, jo vetëm për shkak të varfërisë, por më së shumti për shkak se krimi ka prekur çdo qelizë të këtij vendi.
Vrasjet makabre në familje, maskat që dalin në rrugë, ezekutimet mes bandave mafioze, por edhe vjedhjet, regjistrohen në çdo sekondë të ditës.
E ndërkohë që krimi duket se është ulur këmbëkryq në këtë vend, deri më tani nuk kemi parë qoftë dhe një reagim të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Policia është prezent në vendngjarje për të mbledhur kufomat, se sa për plane masash për të garantuar rendin, askush nuk flet dhe jep llogari.
Vrasjet
Alketa Cani u ekzekutua mbrëmjen e së hënës në Tiranë.
Krimi i vetëm i 37 vjeçares ishte varfëria dhe kërkesa e llogarisë për jetën e shthurur të bashkëshortit të saj, prej të cilit gjeti vdekjen.
Varfëria, por dhe pija që Ilirian Cani konsumonte, bëhej shkak që çifti të kishte konflikte të herë-pas hershme.
Megjithëse të dhënat paraprake thonë se gruaja ka kërkuar ndihmën e policisë për dhunën e ushtruar nga i shoqi, burimet zyrtare thonë se zyrtarisht Alketa nuk ka kërkuar mbrojtjen e policisë.
Autori i krimit, punonjës civil i një prej reparteve ushtarake, njihej si person problematik kur ishte nën efektin e pijeve alkoolike.
Po kështu, burime nga grupi i hetimit thonë se borxhet e shumta të familjes ishin shkak i sherrit mes çiftit, që kishte edhe dy fëmijë.
Në të njëjtën gjendje, i dehur, Iliriani ka qenë dhe pasditen e së hënës, kur ka nisur të debatojë më gruan e tij.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën Sadik Petrela, në zonën e njohur si Kodra e Priftit.
Pasi ka vajtur në shtëpi i dehur, 42 vjeçari ka qëlluar me armë automatik, tip kallashnikov, gruan e tij, e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Më pas Ilirjan Cani ka qëlluar veten me të njëjtën armë dhe falë ndërhyrjes së fqinjëve, të cilët e kanë dërguar në Spitalin Ushtarak, ai i ka shpëtuar vdekjes.
E ndërsa motivi i ngjarjes është klasifikuar nga policia për motive të dobëta, mesditën e së hënës një tjetër ngjarje ka tronditur kryeqytetin.
Një 17-vjeçar është goditur me thikë dh për pasojë është në gjendje kritike për jetën. Ngjarja ndodhi pranë shkollës Gjon Buzuku në afërsi të zonës së Xhamllikut.
Adoleshenti Xh.Haxhillari ka qenë në një bar- kafe kur dy persona kanë nxjerrë një thikë dhe e kanë goditur tre herë 17-vjeçarin dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Policia sërish tha se po heton ngjarjen, ndërkohë që mbrëmjen e së dielës një ekzekutim i tipit mafioz u ka kujtuar kryeqytetasve kohën e luftës mes bandave.
Madje, vetë policia thotë se për të zbardhur krimin, ku gjeti vdekjen 50 vjeçari Edmond Dervishi, i është rikthyer dosjeve të krimit mes bandave që kanë qenë tmerri i Tiranës.
Por tashmë vendi është nën terrorin e vërtetë të krimit. Për 6 mujorin e parë të këtij vit janë regjistruar 60 ngjarje të rënda duke shkaktuar mbi 70 viktima.
Sigurisht që këtu nuk përfshihen aksidentet rrugore, që dhe ato për nga statistikat, krijojnë një bilanc lufte në Shqipëri. Fakti se pjesa më e madhe e krimeve kanë ndodhur si atentate tipike mafioze, tregon jo vetëm dorëzimin e Policisë së Shtetit, por më së shumti paaftësinë e saj për të garantuar rendin dhe sigurinë.
Nga 60 ngjarje të ndodhura brenda këtij harku kohor, janar-qershor 2013, rreth 18 vrasje janë cilësuar si mafioze e të realizuara nga vrasës me pagesë, që tashmë kthyer një biznes i pastër.
Vrasës me pagesë dyshohet se kanë kryer dhe krimin e të dielës mbrëma, për të cilin ende policia nuk ka asnjë autor.
Vrasjet e bujshme pa autor
Në këtë gjashtëmujor krimi nuk ka goditur vetëm familjen, por dhe Policinë e Shtetit, ndërkohë që vrasjet mafioze vazhdojnë të arkivohen si ngjarje pa autor.
E tillë është cilësuar nga policia vrasja e Admirim Sakos, i cili u ekzekutua në prani të bashkëshortes së tij. Sipas të dhënave dhe dëshmive të bëra në polici dhe në prokurori, e veja e Sakos ka rrëfyer se është e frikësuar për jetën e saj dhe të djalit të vogël dhe ndihet çdo ditë e kërcënuar, me frikën se vrasësit do rikthehen sërish. Kjo vrasje ende nuk ka asnjë autor, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Një lajm i cili nuk bëri bujë, por që në të vërtetë ishte vrasje e rëndë, është ajo e Bujar Barçit, artistit dhe kineastit të njohur, ndërsa arrestimi i autorit të krimit duket se nuk është bindës për familjarët dhe ndoshta edhe vetë prokurorinë që po vazhdon ende hetimet. Kjo ngjarje e rëndë u la disi në hije pasi media dhe vetë policia u zhvendosën sërish tek kërkimet e të miturit Julian Çela, pas arrestimit një personi që pranoi në polici se pasi e kishte rrëmbyer e kishte mbytur dhe hedhur në plehrat e sharrës minorenin.
Vrasja e koreografes Sonila Tafa, është një tjetër ngjarje ku autori është ende i lirë. E reja mbeti viktimë e një breshërie automatiku, në periferi të Tiranës. Autori i dyshuar i krimit është Artur Kuliçaj, por që endet i lirë.
Vrasja makabre në xhaminë e qytetit të Lushnjës e Shyqyri Muçës i cili u ther nga një besimtar, është cilësuar si një ndër rastet më të rënda të ndodhura ndonjëherë në Shqipëri, ndërsa vrasja e komisar Musa Skurës, në janar të këtij viti, ishte ngjarja që dëshmoi se krimi nuk kursen as policinë.
Komisar Skura u qëllua për vdekje nga një grup që trafikonte municione gjatë operacionit për arrestimin e tyre, ndërsa ekzekutimi i kryekomisar Dritan Lamaj do të gjunjëzonte Policinë e Shtetit përballë krimit të organizuar.
Vrasja e oficerit Selman Lena, në kryqëzimin e Kamzës, ishte një tjetër ngjarje që dëshmonte se policia, jo vetëm që nuk godet krimin, por si asnjëherë tjetër, ajo është vetë objektivi apo dhe viktima e grupeve kriminale.
Kështu, me ketë bilanc lufte, me një polici të dekurajuar për të siguruar rendin dhe një drejtor policie si Hysni Burgaj, që deklaron se është në punë, vrasjet, sado makabre qofshin, nuk çudisin më askënd.
Thjesht ngremë sytë nga qielli: Zot na ruaj!
