E Diel, 1 Nëntor 2026

Një tjetër ekspert shqiptar deklaron: Plumbi që vrau Ziver Veizin ishte rikoshet

gjyqi

Eksperti i kërkuar nga mbrojtja në procesin për 21 janarin ka dëshmuar në gjykatë, duke pohuar se plumbi që vrau demonstruesin Ziver Veizi para portës së kryeministrisë ka goditur më parë një objekt të drunjtë.

Gani Jahelezi tha se nga shqyrtimi i bërë provave rezulton se shenjat e vjaskave në relievin e tyre mund të bëjnë të mundur shkëputjen e copëzave nga objekti i drunjtë, ato mund të bien, ose mund të udhëtojnë bashkë me plumbin, siç ka ndodhur në rastin konkret, raporton Vizion Plus.

Kjo është arsyeja, sipas ekspertit Jahelezi, se pse në rrobat e Ziver Veizit janë gjetur pjesë të vogla të drunjta. Ndërsa eksperti tjetër i kërkuar nga prokuroria, Dritan Zoto, tha në seancë se nuk kishte krijuar ende bindjen mbi faktin nëse plumbi ishte rikoshet apo jo. Zoto kërkoi materiale fotografike ku të dukeshin copëzat e drunjta.

Pas kërkesës, gjykata i ofroi ekspertit një material filmik, ku tregohej këqyrja e rrobave të viktimës Ziver Veizi nga eksperti i parë në proces, Ndoc Çardaku.

Pas marrjes së provave, eksperti Dritan Zoto pritet të japë konkluzionet e tij ne seancën e radhës. Dëshmitë e ekspertëve në procesin për vrasjen e 21 janarit vijnë pasi gjykata rrëzoi disa seanca më parë dëshminë e ekspertit Ndoc Çardaku, i cili deklaroi se vrasja e Ziver Veizit ndodhi me një plumb rikoshet. Ky fakt hasi ne kundërshtimin e prokurorisë, çka detyroi gjykatën të caktonte nga një ekspert për secilën palë për të dhënë vlerësimet e tyre. Për vrasjen e Ziver Veizit akuzohet ish-gardisti Agim Llupo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›