E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një triptik nga udhëtimet e Shuteriqit

21/07/2009  1. Udhëtimi për në Korçë

Më 1920 Simon Shuteriqin, të atin e Dhimitrit, e transferuan mësues të gjuhës shqipe në liceun e Korçës. Ai thoshte se, megjithëse ishte i vogël, gati 5 vjeç, e ndiente se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme. Ishte shumë i emocionuar. Madje, duke treguar atij i dukej sikur përjetonte edhe një herë copëra nga ai udhëtim i paharruar. Ai e fillonte kështu rrëfimin: “Kur morëm rrugën për në Korç녔 Një fëmijë nuk e kupton se çdo të thotë të shkosh nga njëri vend në tjetrin, po ndërsa ideja e lëvizjes e gjallëron, ndarja nga shokët e lodrave dhe nga vetë lodrat i shkakton një shqetësim të turbullt. Ai kishte një shok, me të cilin luante e që, kur i shkonte në shtëpi, ndiente ankth, sepse shtëpia ishte e madhe dhe e heshtur. Në Elbasan do të mbeten shumë gjëra të tjera, por për atë kanë rëndësi shokët e vegjël dhe Dana e Tol Qylit, që bënte kukulla. Ai e kishte ngulitur në mendje portretin e saj dhe e përshkruan kështu te ditari “Fletë nga jeta ime” : “Ishte një plakë me qerpikë të rëna; vetullat si dukeshin; zgavrat e syve i kishte të futura, pala-pala; mbante mbi kokë një napë të bardhë, që i zbriste mbi ballë; me zë të shuar, pak të gërricur; me çitjane pulla-pulla”.

Familja u nis për Korçë një ditë të bukur maji. Pranvera kishte ardhur e mbarë. Lulet dhe gjethet kishin çelur. Qielli ishte i kaltër. Ajri ishte i ngrohtë. Me plaçkat e domosdoshme, të bëra dengje e të ngjeshura nëpër arka, karvani e kishte marrë rrugën shtruar. Bashkë me Efemien, domethënë me të ëmën e Dhimitrit, dhe fëmijët do të shkonte edhe moma, nëna e Efemies, me një djalë shtatë-tetë vjeç. Ajo kishte mbetur e ve në moshë të re me dy fëmijë. Ishte gruaja e Jani Andonit, sahatçiut me famë, që u bë verem se sahatin ia dhanë një tjetri për tu kujdesur. Simoni, që kishte shkuar fillimisht vetë, se shkolla u hap në dimër, i priste atje. Dhimitrin e kishin rregulluar mirë në një arkëz. Vogëlushi shihte hapësirën e pafund, që hapej përpara syve të tij të habitur, dhe nuk fliste. Sa kaloje Elbasanin, rruga ishte me të përpjeta e të tatëpjeta, një herë nga e majta e pastaj nga e djathta e Shkumbinit, që nëpër grykë të ngushta rridhte i rrëmbyer. Kur kuajt e lëkundnin shumë arkëzën e tij, ai mbërthente duart e vogla nëpër dorëzat e arkës dhe mbahej fort. Pa u futur në Librazhd është rruga “Egnatia”. Tërë rrugëtimi gjallonte me tringëllima e zëra. Shumë vjet më pas te libri i mahnitshëm me rrëfime për fëmijë “Gurnecka” ai do ta përshkruajë kështu:“Bëhej kështu një muzikë këmborësh, cicërimash e përrenjsh, që rrjedhin ëmbël, muzikë që vetëm ai që e ka dëgjuar mund ta marrë me mend mirë. Të gjitha më kanë mbetur në kujtesë si gjëra të çuditshme.”

Në fëmijërinë e Dhimitrit udhëtohej me kalë, edhe pse në Europë, së cilës i përkitnim, veturat dhe treni kishin hyrë prej kohësh. Shqipëria ishte e prapambetur. Çunaku i futur në arkë kolovitej dhe dëgjonte me kureshtje historitë e karvanarëve. Ata tregonin ngjarje që lidheshin me udhëtimet e tyre të mëparshme, me njerëz të famshëm ose thjesht me ndonjë ngjarje që kishte ndodhur në viset nga kalonin. Karvanarët ishin njerëz që e shkonin jetën në udhëtim, duke hedhur ura shpirtërore mes njerëzve e vendeve. Sa pushonin së foluri ata, vocrri i mbyste me pyetje për zogjtë që fluturonin sipër kokës së tij, për drurët e blertë, për shkëmbinj e gërxhe. Karvanarëve u pëlqeu shumë dhe, kur qëndronin për tu freskuar në ndonjë burim, mblidhnin lule të egra plot ngjyra të ndezura e ia jepnin. Madje, ndonjëri nuk përtonte ti sillte edhe ndonjë gur të bukur, po ta gjente. Udhëtimi nga Elbasani në Korçë zgjaste tri ditë dhe ditën e parë ata e kaluan natën në hanin e Qukësit. Karvanarët gati nuk flinin. E kalonin kohën me histori, me këngë e shakara. Ditën e dytë familja Shuteriqi u nis që menatë. Gjatë tërë agimit, kur qielli ndryshonte ngjyrat, kalonte nga mavi në ngjyrë të trëndafiltë, nga trëndafili në ar e të kaltër, Dhimitri provoi një gëzim të madh të brendshëm. Nuk kishte ndonjëherë horizont që çelej. Mbas Qukësit kishte pyje me lisa. Pasi kaloje Përrenjasin, rruga sa vinte e bëhej më e shtruar e më e gjerë. Dhe në një çast u shfaq së largu si një mrekulli Fusha e Domosdovës.

“Ata që se kanë parë atë fushë, të mos e lënë pa e parë, se është një nga më të bukurat e Shqipërisë. Është një pllajë e madhe, rrethuar prej malesh të larta, herë të gjelbëruara, herë të përhirta dhe shkëmbore. Nëpër fushë - ara misri, gurore, shelgjishta të gjata, nën të cilat rrjedhin ose burojnë, të padukshme, ujëra të kristalta. Rrëzë maleve zbardhojnë shtëpitë e kaq fshatrave.”

Nëpër rrugën e qetë nga e djathta, kur dielli e kishte ndritur krejt horizontin, vogëlushit ia tërhoqën vëmendjen një tufë dallëndyshesh, që u ndalën në grup mbi telat e telefonit. Ato kishin lënë viset e ftohta për të ardhur sërish në fole. Ku e kishin ato shtëpinë e vërtetë? Kjo është një enigmë dhe djali nuk e ftillonte dot. Qielli u mbush me cicërima dhe krahët e tyre u varën poshtë të lodhur. Duke ecur, kuajt u afruan pranë telave dhe zogjtë shtegtarë u trembën e shkuan më tej, por disa i kishte sfilitur aq shumë udha e gjatë, sa, kur u bënë të lëviznin, ranë poshtë si të vdekur. Vogëlushi, që po e ndiqte këtë teatër dramatik që nga arka e tij, u trishtua aq shumë, sa shpërtheu në të qara. “Dallëndyshet, nëne!” - thirri me zë të ngashëryer. Ai do që tu japë pak frymë nga zemra e tij e rezë, por si? Hysa, karvanari i fillimit i ndali kuajt e nxitoi ti merrte dallëndyshet e mjera që tia sillte çunit për ta qetësuar. Ai i mori në dorë dhe duke qeshur përmes lotëve u gëzua që ato ishin të gjalla. Ishin tri dallëndyshe të vockla sa grushti i tij, që u përpëlitej zemra imcake në kraharor. Ai i përkëdheli me ngrohtësi duke i afruar te gjoksi dhe ato u tulatën e u çlodhën. Pastaj dy prej tyre cicërinë dhe morën guxim për të fluturuar. Ai i shoqëroi me sy dhe, kur ato iu bashkuan shoqeve, gëzimi i djalit ishte i parrëfyer. Dallëndyshja që kishte mbetur e provoi, por smundej. Çfarë nuk bëri çuni për ta ndihmuar: e lëmoi me duar, e puthi, e ngriti hopa me duar në ajri, por zogu i gjorë skishte forca. Më së fundi ai u shkëput i dëshpëruar për tu bashkuar me të tjerët, fluturoi paksa poshtë, pastaj u ngjit lart si i dehur dhe u lëshua vrik poshtë e u përplas në dhe. Dhimitri mbuloi sytë me duar dhe shqiptoi duke qarë: “Bobo, dallëndyshja!” Të gjithë u munduan ta pushojnë, por në zemrën e djalit trishtimi nuk hiqej.

“Shpesh kam menduar më pas për atë dallëndyshe dhe mendoj edhe sot me trishtim. Ne ishim nisur për një udhë të gjatë, si dhe zogjtë. Merreni me mend sikur dhe ndonjëri nga ne të kishte mbetur udhës, ashtu siç mbeti ajo dallëndyshe fatzezë.”

Karvanarët qeshnin. U dukej i çuditshëm çuni. Kaloi edhe fshati Lin. Kur zbritën në Pojskë, djali ishte nën përgjumjen e ëndërrimit, aq i bukur iu duk peizazhi. Ai nuk mund ta përfytyronte se njëzet vjet më vonë aty në atë vend përrallor do ta përgjonin plumbat e vdekjes, në një përpjekje të pabarabartë me fashistët italianë, e njohur në histori si “Beteja e Pojskës”, ku u vranë nëntë djem në lule të rinisë, mes tyre edhe shoku i tij i fëmijërisë dhe i rinisë Ptoleme Xhuvani. Pogradeci dukej tutje i ngrohtë, me çatitë e kuqe të shtëpive, që pasqyroheshin në kaltërinë e liqenit. Anës liqenit kishte ca çadra në formë kupoleje të vogël. Për atë tani ishte një botë e re, e tejdukshme si në përralla, e panjohur më parë. Ai i ka si të ngulitura në mendje ca çadra me flamurë shumëngjyrësh rreth e qark tij. Ishin ushtarë francezë, që kishin mbetur që nga Lufta e Parë, megjithëse ajo kishte dy vjet që kishte mbaruar.

Atë ditë ata e kaluan në Pogradec. Në mbrëmje madhështia e liqenit ishte e parrëfyeshme. Ia kalonte çdo bukurie. Dhimitri ishte i gëzuar, mezi priste të gdhinte, ngase i thanë se të nesërmen do të mbërrinin në Korçë, ku i priste i ati.

Të nesërmen që në mëngjes ata morën rrugën për në Korçë. Kuptohet: tani nuk kishin për të bërë një rrugë të gjatë. Do të ishin atje para mesditës. Dita përsëri ishte e kthjellët si kristal. Hapësira ndrinte nga dielli. Pamja ishte e mahnitshme. Fusha e Korçës sikur ishte shtruar me qilim shumëngjyrësh, ua ngrohu zemrat. Përshtypja e ëmbël e asaj dite pranvere kur së largu u përjetua me emocione të fuqishme pamja e Korçës, e mbështjellë me një vello të blertë nga shpërthimi i pranverës, nuk do ti hiqej Dhimitrit për tërë jetën. Shumë vjet më vonë ai do ta kuptonte se sa ndjeshëm kishte ndikuar Korça në formimin e tij.

“Vërtet kisha lindur në Elbasan, që e dua shumë, por Korça mbetet si vendlindja ime e dytë. Unë kalova një pjesë të fëmijërisë atje dhe pastaj shkova në lice për të studiuar nëntë vjet. Vajta fëmijë dhe u bëra burrë. Ai qytet joshte këdo.”

Mbërritja në Korçë do të mbetej një nga çastet më të gëzuara të jetës së tij. Në hyrje të Korçës kishte dalë ti priste Simoni. Dhimitri i kujtoheshin si të kishte ndodhur dje sytë e tij të qeshur në atë fytyrë që ishte përherë serioze. Simoni takohet me përmallim me të gjithë, ashtu siç rrëfenin për të se kishte një natyrë të brishtë. Pastaj e zbret të birin nga arka duke e përqafuar dhe e merr për dore. Dhimitri befas ndihet më i rritur sesa kishte qenë kur u nisën. Ata ecin drejt shtëpisë. Koha ka përftuar një përmasë të re. Në të majtë të xhadesë ishin varrezat. Djali nuk e di se çfarë janë, po kur sheh statuja mermeri, e thyen heshtjen e pyet me zë të lartë se mos i kishte ngurosur kuçedra ata njerëz. Të gjithë qeshin, por djali nuk e di ende çfarë është varreza. Simoni është i qetë se tani e më pas do të jetë me familjen dhe i sigurt se mund ti sigurojë asaj një jetë të mirë me rrogën e tij si mësues. Kjo dëshmohet edhe në një fotografi familjare, në të cilën kanë dalë Simoni me Efemien dhe të dy fëmijët, Dhimitri dhe një motër njëvjeçe. Prindërit dhe fëmijët aty duken sikur janë në një komunikim të heshtur e të vazhdueshëm. Fotografitë familjare të hershme çlirojnë pareshtur melankoli, sepse ato lidhen me jetë dhe fate që kanë fituar përmasa mbirealiste.

Për Dhimitrin ai udhëtim do të jetë një nga kujtimet më të bukura të fëmijërisë së hershme. Një kujtim gati romanesk, të cilin ai do ta tregojë disa herë gjatë jetës, përveç faktit që ai e ka përshkruar tek tregimi i parë i librit “Gurnecka”, duke dëshmuar se në atë udhëtim fillon edhe jeta e vërtetë e tij prej fëmije që do të bëhet shkrimtar.

2. Udhëtimi për në Greqi

Gjatë pushimeve verore të vitit 1935 Dhimitër S. Shuteriqi liceist shoqëron të atin që shkon për tu vizituar në Athinë. Simoni krenohej me të birin. Djali i ri sigurisht ka lexuar shumë për antikitetin grek dhe kjo vizitë do ti japë mundësi ti shohë nga afër monumentet e kulturës helene. Rrugën Korçë–Follorinë e bënë me autobus dhe nga Follorina në Selanik shkuan me tren. Për Dhimitrin kjo ishte ngjarje. Ishte hera e parë që liceisti dilte në Europë. Ishte njëzet vjeç, plot shëndet e gjallëri, i mbushur me ëndërrime për vepra të mëdha e të guximshme. Bota ishte vërtet e madhe, e larmishme, e bukur. Ai nuk e rrokte dot tragjicitetin e saj. Sigurisht që përjetonte melankolinë si poet i ri. Në Selanik fjetën në një hotel shqiptarësh. Nga Selaniku në Pire shkuan me vapor. Deti ishte i gjerë, i pafund, blu i thellë, që të zgjonte frymëzime të fuqishme. Kur qëndruan në Vollos, plasi vaji. Kishte vdekur një i ri i martuar rishtas dhe e qante e shoqja. Dhimitri u prek nga ajo skenë dhe qëndroi vetëm disa minuta në kuvertë i menduar. Ato çaste i afrohet një zjarrndezës (fokist) dhe e pyet. Dhimitri e kishte të fiksuar në mendje atë bisedë, sepse e kishte përsëritur disa herë në jetë. Ishte si dialog baladash:

- Nga Arbëria e madhe jeni? (Ai me siguri e kishte dëgjuar që fliste shqip me të atin.)

- Po, nga Arbëria. Ne i themi “Shqipëri”.

- Çfarë jeni?

- Babai është profesor.

- Po ti?

- Unë jam duke mbaruar liceun, që është shkollë e mesme.

- Ku?

- Në Korçë.

- Ka shkollë të mesme Korça?

- Po.

- Shqip?

- Jo, frëngjisht.

-Shqipja nuk u shkruaka…

- Shkruhet. Kam bërë gjashtë vjet shkollë shqipe.

- Po me çfarë shkronjash?

- Me latine.

- Pse me latine?

- Sepse me latine është shkruar me kohë.

- Pa më thuaj: “Patri mon…”

- Ati ynë që je në qiell…

- Thuaje këtë edhe një herë ngadalë.

- A t i y n ë q ë j e n ë q i e ll…

-A t i y n ë q ë j e n ë q i e ll…Pa ma shkruaj pak.

Dhimitri ia shkroi. Mbante mend edhe se ku: mbi kapakun e një kutie shkrepësesh.

Kur e pa të shkruar, arvanitasi hapi sytë i çuditur e tha:

- U shkruaka bukur! Kam djalin që mëson italisht. Do ti tregoj si shkruhet shqipja.

Hynë në Vollos. Ishte një qytet i vogël, me ndërtesa të ulëta. Që pa zbritur nga vapori dukej një kishë e madhe dhe dëgjoheshin kambanat. Në Vollos do të qëndronin gjashtë orë derisa të niseshin prapë. Ata dolën atë e bir nëpër qytet për të ngrënë mëngjes. “Vollosi, - thoshte Dhimitri, - ishte si Korça.” Në krye ishte një sanatorium. Ato ditë në atë sanatorium kishte qenë Migjeni, por ata e morën vesh kur u kthyen në Shqipëri. Migjenin ai e njihte përmes poezive të botuara. Atë pranverë ai i kishte çuar të fala me një shokun e tij, Hajdar Delvinën, që kishte qenë në Pukë. I ati shihte tabelat, sepse dinte greqisht, që të gjenin lokalin e ndonjë shqiptari. E gjetën. Ishte një dibran, por që nuk e fliste shqipen, sepse prindërit i kishin vdekur dhe e kishin lënë të vogël. Hëngrën aty dhe dibrani u dha edhe një qese me ushqime për rrugës. U kthyen në vapor. Nga Vollosi shkuan në Pire. U ndanë me mallëngjim me arvanitasin, që punonte në vapor, sikur të ishin njohur prej kohësh.

Dhimitri ndalej dhe rrëfente me dhimbje lajmin e hidhur që mori kur u fundos vapori “Heleni” – kështu quhej – i bombarduar nga fashitët gjatë Luftës së Dytë. Gjithçka përfundoi në fund të detit, udhëtarë dhe ekuipazh. Bashkë me ta ishte sigurisht edhe shqiptari që u ngazëllye për shkrimin shqip.

Pireu i bëri shumë përshtypje Dhimitrit. Ishte port kolosal. Së andejmi u nisën për në Athinë me një tren të shpejtë. Në kryeqytetin grek mbërritën në mesditë. Dolën në sheshin “Omonia”. I ati ishte informuar se prej aty të dilnin në një rrugë ku ishte hoteli i një shqiptari. Vajtën edhe te mjeku që i kishin rekomanduar. Simoni doli me gur në veshka, por që nuk pati pasoja se zënë vend. Gjatë ditëve që ndenjën në Athinë, Dhimitri pati mundësi të njihej me qytetin dhe antikitetet e famshme. Gjendja politike-shoqërore në Greqi ishte e rëndë dhe atmosfera politike në Athinë ishte e tensionuar. Para ca ditësh kishte përfunduar një grevë, që e kishte udhëhequr poeti Kostas Varnalis, që ishte bërë i njohur që me librin e parë poetik të frymëzuar nga idetë marksiste “Drita që djeg”, më 1922. Por kohët e fundit ai kishte botuar librin “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, që është botuar edhe në shqip. Djaloshi ynë, që ishte edhe ai poet, përgatitej të pranohej komunist në vjeshtë. Kuptohet se kjo gjë e entuziazmonte. Para universitetit kishte një librari me libra frëngjisht, ku shquheshin emrat Maksim Gorki, Romen Roland, Louis Aragon, Henri Barbus. Dhimitri bleu revistën “Commune”, që e drejtonte Roland e ku ishin të botuara aktet e kongresit të parë të shkrimtarëve sovjetikë. Atëherë ai lexoi teorikisht çështë letërsia sociale. Athina ishte qytet i bukur, plot gjallëri. Atij i pëlqeu jeta e atjeshme në lëvizje dhe ra në dëshpërim kur krahasoi botën e qytetëruar greke dhe botën anadollake shqiptare. Rrugëve të Athinës hasi edhe në shqiptarë të mjerë që punonin për të huajin.

Ato ditë, kur ishte vetëm gjatë vizitës në një tempull të Akropolit, iu afrua një burrë i gjatë, flokëverdhë, me vështrim të mprehtë. Ishte Teni Konomi, që ishte informuar për të futur shtyp komunist në Shqipëri, por Dhimitri mezi e njohu, sepse Teni rrinte pakëz i maskuar. Ai kishte filluar të merrej me organizimin e bërthamës komuniste në liceun e Korçës me porosi të Ali Kelmendit dhe ai e kishte parë në Korçë. Rrëfyesi i Akropolit, kur e dëgjoi që po i përkthente Tenit, e pyeti mos ishte francez. Kur e mori vesh se ishte shqiptar, rrëfyesi grek i ftoi të pinin për Gjergj Kastriotin dhe Marko Boçarin. Kur po ndaheshin, Teni i kërkoi Dhimitrit që broshurat dhe gazetat ti fuste në Shqipëri përmes të atit, meqë atë nuk e kontrollonin. Por Dhimitri e mori vetë përsipër këtë gjë, duke mos dashur të ngatërronte të atin. Broshurat flisnin kryesisht për gjendjen e prapambetur të bujqësisë dhe për sëmundjen e malaries, që bënte kërdinë. Ai i futi ato te kutia e aparatit fotografik, ndërsa gazetat në astarin e palltos që bleu, të cilën e palosi sërish si mall tëri. Ishte gazeta “Liria kombëtare”, e themeluar që më 1925, e drejtuar nga patrioti demokrat Omer Nishani. Numri i parë i saj pati dalë më 29 korrik 1925, në Gjenevë të Zvicrës. Gazeta ishte botim i organizatës demokratike në mërgim “Komiteti i Çlirimit Nacional” (KÇN). Në kufi i ndihmoi një rastësi të kalonin fare lehtë, sepse doganierët, të zënë me kontrollin e ca mallrave për një dasmë, nuk u kushtuan rëndësi. Megjithatë, në Korçë, në hotel “Palace”, sot “Krimeja”, kur lexonte në shtrat Simoni ia pa gazetat dhe i kërkoi një. Sidoqoftë nuk i tha gjë. Dhimitri i la një gazetë ta lexonte dhe doli në qytet për tia çuar sipas porosisë njërit prej komunistëve të grupit të Korçës - Dhimitër Fallos. Kur erdhën në Pogradec, ata morën vesh disa hollësi për kryengritjen e Fierit dhe dështimin e saj, për vrasjen e Riza Cerovës dhe ekspozimin e trupit të tij të vdekur. Kryengritja e Fierit u përgatit nga një organizatë që ishte formuar në Tiranë që më 1934. Qëllimi i saj ishte përmbysja e monarkisë. Në këtë organizatë kishte elementë patriotë, kishte komunistë të moderuar, por edhe anarkistë, madje edhe çifligarë të pakënaqur dhe elementë që donin ta shndërronin atë nga një lëvizje demokratike në një puç të pastër për pushtet. Në këto kushte, kryengritja shpërtheu para kohe dhe dështoi. Dhimitri shpëtoi për një fije peri nga një arrestim i sigurt, po ti kontrollonin e ti gjenin shtyp komunist.

3. Udhëtimi për në Francë

Në tetor të vitit 36 të shekullit që shkoi, udhëtonte nga Shqipëria për në një nga universitetet e Francës një djalosh elbasanas, poet, tepër i hijshëm, me sy tërë dritë e ëndërrues. Në fytyrën e tij të rrumbullakët, me ca tipare të harmonishme, herë pas here binte një hije melankolie përzier me nostalgji, sepse kishte braktisur një dashuri që mosha e adoleshencës ua jep dhuratë thuajse të gjithëve, por edhe pse po e merrte malli për vendin ende pa u larguar. Flokët e dendur e të valëzuar, të ndarë me vizë në mes, bënin ti shquhej një ballë i lartë. I shëndetshëm dhe plot energji, i veshur si në perëndim me kostum të errët, ai dallohej për një mirësjellje aristokratike. Kishte mbaruar liceun francez të Korçës. Ai që shkruante se qe “andërrtar i penduem”, ishte edhe komunist i ri. Kishte botuar dy libra poetikë dhe ishte vetëm 21 vjeç. Quhej Dhimitër Shuteriqi. Në dy librat poetikë “Kangët e rinisë së parë” (1935) dhe “Kangë?” (1936) emrit dhe mbiemrit të tij i kishte shtuar edh një S në mes, domethënë Simon, emri i të atit. Sepse Dhimitër kishte shumë në fisin e tyre.

Qyteti që kishte zgjedhur për të bërë studimet ishte Grenobla. Profesori i filozofisë në lice, pozitivisti Meyer, ia pati lavdëruar aq shumë universitetin e atjeshëm si një qendër me tradita të mëdha kulturore dhe historike, sa kishte ndërtuar një mitologji të plotë për të. Dhe vërtet atë vit që vajti Dhimitri, bëheshin festimet e 600-vjetorit të tij. Në universitet ai po shkonte me shpenzimet e familjes. Qeveria e Zogut nuk mund ti jepte bursë një revolucionari, ashtu siç u dha disa të tjerëve, edhe pse Shuteriqi kishte dalë me nota të shkëlqyera. Simoni, i ati i premtoi se do ti jepte gjysmën e rrogës së vet mujore si mësues dhe kështu u vendos.

Kur tregonte për Francën, si rrëfimtar i madh që ishte, ai e niste gjithnjë me Tiranën. Provimet e baccaloreatit ai i pati dhënë në shtator, sepse në qershor ishte i dënuar me arrest shtëpiak, i akuzuar si frymëzues i grevës së liceistëve në mbështetje të grevës së bukës. Në ditët që ndenji në Tiranë me problemet e nisjes, ai njohu nga afër shkrimtarët e rinj që jetonin në kryeqytet: Petro Markon, Nexhat Hakiun, Aleks Çaçin, Andrea Varfin, Shefqet Musarain e të tjerë. Mes tyre ai çmonte shumë Petro Markon. Me Petron njihej që në Korçë te revista “ABC”. Ndërsa Andrea Varfi ishte edhe ai disi më i njohur se të tjerët, ngaqë kishte shkruar me dashamirësi për librin e tij të dytë “Kangë? ”, që doli atë vit. Ai u shoqërua kryesisht me Petro Markon dhe fjeti në shtëpinë e tij në Rrugën e Durrësit, pas centralit elektrik të dikurshëm. Ai e përshkruante me hollësi dhomën e tij të varfër me shtrat hekuri e një karrige, plot rrjeta merimange. Dhimitri thoshte se Petroja ishte një djalë i hijshëm, me flokë kaçurrela, që i binin mbi ballë, përherë buzagaz. Ai shkruante e bënte jetë si poetët bohemë, kishte njohje të gjerë. Punonte redaktor te “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit. Edhe Petroja ishte komunist. Komunizmi konsiderohej atëherë si e ardhme e botës. Petroja e njohu me Brankon, i cili shkruante se “komunizmi nuk ka bazë sociale në Shqipëri”. Dhimitri thoshte se mendja e tij filozofike nuk pajtohej me idealin komunist, me këtë “utopi”. Dhimitri në krijimtari ishte simbolist, bodlerian, por në botëkuptim kishte ndryshuar shumë që kur kishte hyrë në hasje me idetë komuniste. Ai madje kishte përkthyer tekstin e Marksit “Manifesti i Partisë Komuniste” dhe kishte lexuar disa nga klasikët marksistë si dhe filozofë të tjerë, si Pascal, Descartes, Kant, Durkheim e të tjerë. Ato ditë ai dhe Petroja bënin diskutime nëse mund të kishte një mendim filozofik shqiptar. Kur ndodheshin në redaksi, Brankoja futej në një mënyrë shumë interesante në diskutim, sa i bënte të rinjtë ta dëgjonin me vëmendje. Bisedonin pastaj për poezinë, për poetët, për përpjekjet e tyre nën regjimin censurues të Zogut. Sigurisht, bisedat e tyre kishin edhe çaste lirike, si ai i ditës kur Petro Markoja, Nexhat Hakiu dhe ai i kushtuan nga një poezi një vajze te kafene “Venecia”.

Kur u nis me vapor për Itali nga Durrësi, ai nuk e harron kurrë. Ishte një vapor i vogël dhe natë. E përcolli Petro Markoja. Në mëngjes u gdhi në Bari. Një udhëtim natën kishte qenë si një vizion përrallor me shumë përfytyrime. Gëzim i përzier me pak melankoli. Dita e bukur me diell u ngjante pak çasteve të përshkruara nëpër legjenda për personazhet mitikë që nisen në kërkim të fatit. Ndonëse jetohej në epokën e modernitetit, edhe kjo një mënyrë për të kërkuar fatin ishte. Deti Adriatik shkëlqente poshtë diellit rrezatues. Në molo e priste një shok tjetër i liceut, Hajdar Delvina, që kishte shkuar dhe ia kishte arritur të regjistrohej për farmaci. Bashkë me Hajdarin i uroi mirëseardhjen edhe një shqiptar tjetër, një i mërguar politik i vitit 1924, Qamil Çela, shok i Avni Rustemit. Me Qamilin Dhimitri do të miqësohej më shumë një vit më vonë, kur ai do të rimërgonte në Lion. Qamili u mallëngjye që po takonte një komunist të ri, por edhe një elbasanas. Kuptohet që Hajdari i kishte folur për bindjet e Dhimitrit, madje edhe për Elbasanin, se gjysmelbasanas ishte, si nip i Aqif Pashës, por “Mësuesi” (kështu ishte pseudonimi i Qamil Çelës) u bë nostalgjik. E pyeste gjithë mall për Elbasanin, për Shqipërinë. Ai kishte qenë edhe nxënës i Simonit, në vitin e parë më 1909, kur u hap shkolla normale. E pyeste edhe për Simonin, për shkollat e shumë gjëra të tjera, që i kujtonin mëmëdheun. Komunisti i ri i përgjigjej me krenari dhe ndihej i lumtur që po takonte një komunist të vjetër, i cili kishte parë socializmin në Bashkimin Sovjetik me demokratët e tjerë të arratisur pas ardhjes në fuqi të Ahmet Zogut: Zai Fundo, Selim Shpuza, Sejfulla Malëshova, Ali Kelmendi, Thanas Ziko e të tjerë. Djali i ri dëgjon, por nuk e kupton se si një komunist mund të rrinte në Itali. Vetëm kur pajtoni qëndroi para hotelit “Moro”, ai u kujtua se duhej të zbriste. Rastësisht ato ditë hoteli qe plot me tregtarë elbasanas, që e shtuan “ziafetin” kur erdhi “çuni i zotit Simon”. Dhimitri tregonte se ata jetonin “si mos më keq”, se gatuanin vetë dhe flinin shumë vetë në një dhomë.

Në Bari Qamili i tregoi për jetën në Bashkimin Sovjetik, ndërsa Hajdari e njohu me Barin historik. Një herë vajtën të tre në opera dhe panë pjesën e famshme të Donizetti-t, “Luçia di Lamermoor”. Dhimitri e mbante mend edhe pasi kishin kaluar gati shtatëdhjetë vjet nga ajo ditë. Ajo që i bëri përshtypje më tepër Dhimitrit ishte se Italia ndryshonte krejtësisht nga Shqipëria. Në Itali bëhej jetë e gjallë kulturore; ato ditë ishte hapur sezoni i fillimit të veprimtarive muzikore. Në pjesën e vjetër apo historike të qytetit ai vizitoi një kishë të shekullit XI-XII, ndërtuar që në kohën e normandëve. Ishte e stilit romak dhe quhej “Bazilika e Shën Kollit”. Thuhej se aty ruhej gishti i shën Jon Vladimirit, por Dhimitri nuk e pa. Tempulli mesjetar e mahniti. Mesjeta pati, si të thuash, shfaqjen e saj të parë magjike, që ai do ta pasuronte pastaj në gjashtë vjetët e studimeve universitare në Francë. Megjithatë, në klasat e fundit të liceut ai ishte njohur pjesërisht me poezinë mesjetare epike franceze “Chansons de geste”, me poemën “Chanson de Roland”, me disa këngë të kreshnikëve, por edhe me trubadurët dhe me poezinë tjetër lirike të Ruteubeuf, i shekullit XII, që kish theks social, ose me poezinë e një poeti tjetër të madh, François Villon. Në ndërgjegjen e tij estetike kishte filluar të trokiste fort ndjenja sociale.

Për në Romë u nis me Vasil Tomçon, që kishte qenë edhe ai student në lice e studionte mjekësi në Lion. Në Romë u bënë tre shqiptarë studentë dhe u mahnitën pas bukurive arkitekturore të saj. U lanë mbresa të pashlyeshme koloseu dhe katedralja e shën Pjetrit. Madhështia e katedrales e futi në ëndërrime poetin e rri, ashtu siç ndodh me të gjithë poetët kur bien në hasje me bukurinë. Njëri nga shokët i pëshpëriste afër veshit se Marksi i tij nuk e linte të mendonte për parajsë dhe engjëj. Ai u mahnit shumë edhe me një kor hyjnor murgeshash. Materialisti i ri po të rrinte edhe një javë, do të ishte konvertuar në prift katolik. Familja e tij, edhe pse nuk ishte praktikante e fesë, shkonte në kishë, ku ai i vogël do të habitej pas shenjtorëve nëpër ikona, duke qëndruar me minuta të tëra para tyre, si të donte të zbërthente një mister të madh. Madje, te libri poetik “Kangë?”, që kishte botuar atë verë, ai flet për misteret që nuk i zgjidh dot. Te poezia “Veritas?”, që e shoqëron me pikëpyetje, ashtu si dhe titullin e që shprehin dyshimin absolut për botën ku jetojmë, ai shkruan: “ E ndjeva kangën teme, qi shkoi të kërkojë dritën / nëpër skëterrë të jetës, të kthehet nshpirtin tem. / Më tha : “ Errsina e jetës, kangtar, kudo më tremb ! / Su gjindka drita mâ! ”.

Rruga drejt Grenoblës kalonte nëpër bregdetin tirenian, që atë ditë shkëlqente nga kaltërsia. Tomço u nda që në fillim, se përgatiste një provim. Ndërsa Dhimitri vazhdoi me biletën e klasit të dytë, i mahnitur me kokën në dritare. Shihte peizazhet, tokën e qëndisur si me dorë, qytete të skalitura me bardhësi, fshatra si një lule vigane e shumëngjyrshme mes gjelbërimit, sido që ishte vjeshtë. Një qytet dukej e zhdukej i mahnitshëm dhe pasqyrohej në një lumë, nën ca kodrina të mbjella me ullinj e limonë, që tundnin lehtë degët si përshëndetje e dhembshur lamtumire. Ai pyeti një udhëtar se çishte ai qytet i bukur. “Flloransë, monsieur, Flloransë”, - u përgjigj burri duke tërhequr valixhen për të zbritur. Francezët i thonë Floransë (Florence), por ai e shqiptonte me ll i ndikuar nga dialekti i Jugut. Mbase ishte edhe francez që banonte në Firence, ku ta dish? Qyteti i Rilindjes, par excellence, Firencja, që ngrihet e bukur mbi lumin Arno, atë ditë rrëzëllente dhe dukej sikur pëshpëriste me zë melodioz emrat e mëdhenj Dante Alighieri, Botiçeli, Donatello e të tjerë. Dhe sigurisht në ajrin e qëruar mbase kishte zbritur nga parajsa Beatriçe Portinari, që frymëzoi Danten për të shkruar një nga krijimet më të mëdha të njerëzimit.

Treni dukej sikur fluturonte për në verri. Para syve të tij parakalonin qytete, fshatra, pyje me pisha, plantacione me palma, zona turistike, shkëmbinj si të vendosur me dorë. Një peizazh i mrekullueshëm qytetar dhe natyror. Kaluan pastaj ca tunele të vogla dhe papritur mes palmave doli në dritë një qytet i mermertë si i mbirë nga ndonjë përrallë. Quhej Santa Margerita. Qyteti ishte vërtet ashtu siç kishte emrin, një margaritë e gjallë, plot ngjyra jete dhe drite. Djali i ri mbërtheu çantën e zbriti nga treni. Do ta sodiste nga afër atë magji. Ai do ta kujtonte atë ditë të jashtëzakonshme si një nga episodet e takimit të tij me bukurinë edhe pas gjashtëdhjetë e pesë vjetësh, kur rrëfente të plotë udhëtimin e tij për në Grenoblë. Shëtiti tërë ditën e gjer natën vonë si i magjepsur dhe të nesërmen që me natë mori trenin për Torino. Lekët e kishin pësuar. Nuk shihte më nga dritarja se i trembej rrëmbimit nga bukuria. Ai e kishte parë një herë ndryshimin e madh mes peizazhit të një Shqipërie të prapambetur e të varfër dhe botës së pasur e të qytetëruar, sepse një vit më parë kishte qenë në Athinë, por një dendësi të tillë bukurie e bëri atë shumë të menduar e të trishtuar për gjendjen e mjeruar të atdheut të vet.

Kur arritën në Chambery, kryeqytet i Savojës, historia e së cilës nis që në kohërat romake, kishte rënë nata. I hutuar ai gjeti vend në një ndenjëse mes dy-tre burrave të heshtur dhe priti tërë kureshtje trenin që do ta çonte në Grenoblë. Kur hipi në trenin francez në Chambery, djaloshi u zmbraps pak se mos kishte gabuar klasin, ngaqë vagonët iu dukën të rinj e të pastër, veshur me pelush të kuq. Por fatorinoja e siguroi se ishte treni i klasit të dytë që shkonte në Grenobël.

I mbetur vetëm në kabinën luksoze, djali zuri të përfytyronte vendin e lashtë të keltëve, të vendosur aty që në mijëvjeçarin e dytë para erës sonë, të cilin në vitet 50 para erës së re e pushtoi Jul Qezari. Ai i filloi fushatat pushtuese në vitin 58 para erës sonë, kur u emërua konsull i Galisë cisalpine, ashtu siç e quanin romakët Golën (Gaule) dhe e ndau atë në tri pjesë. Kundërshtimi i popullatave vendase qe i madh, sidomos revolta e Overnjës e vitit 52 para erës sonë, për të cilën Dhimitri kishte lexuar historinë rrëqethëse të komandantit goluaz Vercingétorix, që kishte bashkuar 800 000 burra në luftë kundër pushtuesve. Pas shumë fitoreve ai kishte pranuar të nënshtrohej, duke parë trimat që vdisnin, në agoninë e tmerrshme që sjell kriza e urisë gjatë rrethimit, e ia kishte dorëzuar vetë armët Cezarit. Cezari e pati çuar menjëherë në Romë, për të treguar triumfin e betejës. Heroi legjendar vdiq në burg në vitin 46 para erës së re, i mbytur natën në gjumë, për të shuar përfundimisht nga kujtesa e popullit golua idenë e qëndresës. Shoqëria e ndërtuar sipas imazhit kelt ndahej në tri klasa: fisnikëria luftëtare, populli dhe druidët, të cilët ishin mbartës të dijes e të traditës fetare. Pas rënies së Perandorisë Romake në vitin 476 të erës së re, perandori të tjera barbare u dyndën mbi atë truall, por frankët me mbretin Klovis qenë ata që triumfuan e që i dhanë emrin e tyre asaj hapësire, që sot është një nga shtetet më të fuqishme të Europës, vendi i Dritës dhe i të Drejtave të njeriut. Kur u nis treni, përpara tij shtrihej Franca, për të cilën Montaigne thoshte se lavdia e saj është një nga stolitë më të fisnike të botës. Ai po hynte në atë truall ku kishin jetuar Ronsard dhe Villon, Deckart e Paskal, Voltaire e Hugo, Roussot e Diderot, Emilie du Chatelet e Marie Curie, Flaubert e Proust dhe shumë të tjerë që i kanë dhënë dritë jetës me veprën e tyre. Atdheu i tij i dytë, për të cilën kishte studiuar nëntë vjet dhe dinte për të gati më shumë se një francez, po i uronte mirëseardhjen. Ishte pajisur me një barrë dijesh që do ti pasuronte e zgjeronte. Kishte edhe një përvojë të re, një ëndërr utopike që priste të realizohej.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›