E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër: Zjarr pranë depozitave të naftës

21/07/2009  Masat urgjente shmangin katastrofën

GJIROKASTËR - Punonjësit e repartit zjarrfikës në qarkun e Gjirokastrës vunë në kontroll të hënën, pas një operacioni që zgjati 4 orës, vatrën e zjarrit që u shfaq në afërsi të fshatit Mashkullorë, rreth 300 metra larg depozitave rezervë të naftës të kompanisë "Armo". Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së qarkut Gjirokastrës, pohuan për ATSH-në se, vatra e zjarrit është identifikuar nga disa banorë të fshatit Mashkullorë, rreth orës 10.00 të ditës së sotme. Falë ndërhyrjes në kohë të zjarrfikësve u bë e mundur lokalizimi i vatrës së zjarrit nga pjesa jugore, në të cilën ndodheshin katër depozitat e naftës. Ndërkohë, policia lokale ka nisur hetimet për të zbardhur të plotë rrethanat e shfaqjes së zjarrit, e cila mund të kishte shënuar pasojë tepër të rënda në rast se punonjësit e repartit të zjarrfikëses nuk do të ndërhynin energjikisht për të normalizuar situatën.

Ky është rasti i parë që gjatë këtij sezoni vere një vatër zjarri shfaqen në kurorat e gjelbërta në jug të vendit.

Gjatë vitit të kaluar në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës janë evidentuar 60 vatra zjarri. Mbi 400 hektarë sipërfaqe dhe kullotë u dogjën plotësisht, si dhe 800 rrënjë ullinj u shkrumbuan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›