E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i filmit, gati filmat për konkurrim

20/07/2009  Durrës

Kinemaja bashkëkohore italiane do të zërë një hapësirë të veçantë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, që do të mbahet për të dytin vit në Durrës më 22–30 gusht të këtij viti. Tanimë pranë grupit të seleksionuesve kanë mbërritur të gjithë filmat që synojnë të konkurrojnë në këtë festival. Prej disa ditësh ka nisur përzgjedhja zyrtare dhe janë përvijuar tri seksionet kryesore të festivalit. Në seksionin konkurrues “Vizione bashkëkohore” do të shfaqen 14 filma, produksione të vendeve të Bashkimit Evropian dhe po kaq filma nga vendet e Gadishullit Ballkanik do të projektohen në seksionin “Bota ballkanike”. Krahas tyre jashtë konkurrimit, pavarësisht nga origjina e prodhimit të tyre, do të shfaqen tre nga filmat më të mirë të sezonit 2008–2009. Edicioni i dytë i festivalit do të nisë traditën e përvitshme të njohjes së kinemasë së një vendi evropian përmes krijimtarisë kinematografike të tre vjetve të fundit. Në mbrëmjet e organizuara në amfiteatrin antik dhe në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” do të shfaqen disa nga filmat më të mirë të regjisorëve të shquar bashkëkohorë italianë, si Pupi Avati, Dario Argento etj.

Statueta e “Gladiatorit të artë” edhe këtë vit do t’i jepet filmit më të mirë konkurrues, ndërsa regjisori më i mirë do të marrë çmimin special të jurisë. Juria e seksioneve konkurruese do të ketë pesë anëtarë, personalitete të botës së kulturës dhe kinemasë. Nga kjo juri do të përcaktohet edhe aktori dhe aktorja më e mirë e këtij edicioni të dytë të festivalit si dhe filmi më i mirë ballkanik.

Një tjetër statuetë e dytë “Gladiatori i artë” do t’i jepet për karrierën dhe krijimtarinë njërit prej kineastëve më të famshëm të botës. Ndërsa një juri tjetër do të funksionojë brenda festivalit. Një grup gazetarësh shqiptarë të kryesuar nga njëri prej kritikëve të shquar të kinematografisë botërore do të përzgjedhë në seksionin “Vizone bashkëkohore”, filmin që ka shfrytëzuar më mirë instrumentet dhe teknologjinë kinematografike për të rrëfyer subjektin. Pikërisht ky film do të shpallet si “Filmi i kritikës”. Një vend të veçantë në këtë edicion do t’i kushtohet muzikës filmike. Tingujt muzikorë, që i japin jetë imazhit kinematografik, do të jenë në qendër të një programi special, që do të drejtohet nga një kompozitor i njohur i filmit.

Një vit më parë çmimi i madh “Gladiatori i artë” iu dha regjisorit çek Jiri Menzel për filmin “Unë i shërbeva mbretit të Anglisë”. Çmimin special të jurisë e fitoi filmi norvegjez me temë shqiptare “Mirush”, ndërsa çmimin për filmin më të mirë kombëtar e fitoi filmi "Koha e kometës" me regji të Fatmir Koçit. Çmimi i karrierës në fushën e regjisurës iu dha regjisores Xhanfize Keko (pas vdekjes), autore e 12 filmave. Çmimi i karrierës për kontributin e dhënë si aktor iu dha aktorit Sandër Prosi (pas vdekjes). Çmimin si aktorja e më e mirë e fitoi protagonistja e filmit grek me temë shqiptare "Correction" Ornela Kapetani.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›