Një trombist kërkon punë
Petrit Hajro, sot i quajtur Kleanthi Gjika, pas 17 viteve emigracion kthehet në atdhe, por së pari i duhet një punë. Ish solisti i Operës dhe Baletit kërkon t'i nënshtrohet konkursit dhe të marrë një përgjigje. Heshtjen e quan një lloj korrupsioni. Kanë kaluar dy vjet
Petrit Hajro, është emri i vërtetë i 48-vjeçarit dhe me këtë emër mund ta indentifikosh personin e tij në dosjet e administratës së Operës dhe Baletit, ku ai u emërua trombë e parë më '86-ën. Punoi aty deri më 1991, vit kur emigroi në Greqi dhe ku u bë Kleanthi Gjika.
Petriti ka vendosur të kthehet përfundimisht, por së pari i duhet të gjejë një punë.
Ai mendon se halli i tij nuk ka të bëjë me varfërinë e institucioneve, ku ka kërkuar punë, por me heshtjen e tyre. "Mbyllja e gojës është një lloj korrupsioni" thotë ai. Heshtjen ai e lidh me përjashtimin, po edhe me fshehjen e gjendjes së institucioneve ku kultivohen muzikë dhe instrumentistë.
"Konservatori është shndërruar në varr, shkolla ka humbur autoritetin, kurse nga studiot e instrumentistëve pasditeve nuk dëgjohet më një vegël..."
Petriti Alias Kleanthi ka tani një problem jetik të dyanshëm: material dhe shpirtëror. Sa ç'duket individual i pari, aq është i dyti problem i shumë të tjerëve, i lexuesve të këtyre radhëve dhe i të ngjashmëve të tyre.
Petrit çfarë shqetësimi doje të ngrije me këtë bisedë?
Shqetësimi im është ky: mbas një aktiviteti si muzikant e konkretisht si trombist, desha të rehabilitohesha përsëri pas një kurbeti shumë të gjatë, rreth 17 vjet, jashtë vendit. Por e shoh të pamundur.
Përse?
Kam bërë të gjitha përpjekjet për t'u rikthyer në vendin e punës, i cili është e vetmja mundësi që unë të rehabilitohem, siç i thonë ndryshe, të ushqehem, pavarësisht se kjo është puna që më jep kënaqësi dhe punë tjetër nuk bëj dot. Kam trokitur në shumë dyer, jam konsultuar me miq e shokë dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje pozitive.
Në ç'formë je përpjekur?
Forma më e mirë që unë vazhdoj ta mendoj për punësimin tim është konkursi. Mora pjesë në një konkurs shtetëror jo më larg se para një viti, në RTSH me drejtor artistik Edmond Zhulalin.
Çfarë rezultati pate dhe me çfarë niveli u ballafaqove?
Konkursi u bë me një komision të rregullt, u bë me regjistrim dhe kjo është gjë shumë e mirë, provon nivelin e muzikantit dhe vlerësimin që ka bërë komisioni. Kështu që ekzistojnë të gjitha incizimet e atij konkursi. Më thanë se paraqitja ime ishte pëlqyer.
U bë publik rezultati?
Çdo gjë u bë brenda për brenda, rezultatet nuk u shpallën. Mua më erdhi një përgjigje jozyrtare se nuk kisha fituar. Konkursi ishte për trombën e parë, për solistin dhe fatkeqësisht atje vendi është akoma bosh.
Ku tjetër ke provuar?
Sigurisht, në Teatrin e Operës dhe Baletit, institucioni ku unë u emërova mbas shkollës së lartë në vitin 1986, trombist i parë, për 6 vjet.
Përmend përvojën jo vetëm me repertorin botëror të operës dhe baletit, edhe shoqërimet e tenorëve e sopranove si Gaqo Çako dhe Ramiz Kovaçi, Edith Mihali dhe Inva Mula apo nën drejtimin e dirigjentëve Rifat Teqja, Ermir Krantja, Eno Koço, Ferdinand Deda.
Kujton nga ajo kohë diçka që s'e harron?
Interpretimin në solo trombë nga baleti "Lola", por në bazë të partiturave origjinale.
Drejtor i TOB-it atë kohë ka qenë Riza Hajro, i cili më sugjeroi jo muzikën e thjeshtuar dhe të fshirë për arsye të modernitetit dhe të teknikës së lartë, por "Lolën" të plotë, ashtu siç e kishte luajtur të plotë dikur, ndoshta 20 vjet përpara Mahir Karabini.
Ndihesh në gjendje për të përballuar punën me kushtet këtu?
Unë besoj tek ajo që nuk ka rëndësi sa vjeç je po sa vjeç ndjehesh. Jam 48 vjeç dhe është koha më e bukur që unë të jap më shumë nga ç'kam dhënë. Interpretimi në trombë vetëm të mira ka me pjekurinë e moshës: rritesh profesionalisht dhe jep më shumë emocionalisht.
Atëherë kërkesa jote është...?
...është shumë e thjeshtë. Duke u bazuar të aftësitë që kam, kapa të gjithë drejtuesit e institucioneve, të cilët e kanë në dorë të punësojnë një muzikant të kategorisë sime. Gjithmonë këtë e them me modesti. Përgjigja ka qenë "jo" bindëse, për të mos thënë banale.
Një përgjigje e drejtorit të TOB-it, Zhani Ciko, një figurë që e vlerësoj, ishte kjo: "vërtet jam një drejtor institucioni, por nuk jam pronar, që do të thotë nuk më pyet njeri."
Më premtoi se do të bëjë një konkurs, kanë kaluar dy vjet dhe asgjë deri tani.
Çfarë ke bërë këto dy vite?
Në Vlorë, qyteti im i lindjes, ngrita një orkestër me pedagogët e shkollës së muzikës. Bëmë disa koncerte dhe kaq. Orkestra nuk mund të mbahet pa financime.
Petrit, ti u prezantove në fillim me dy emra. Cili është emri yt i vërtetë?
Emri im i vërtetë është Petrit Hajro. Kur shkova në Greqi u detyrova të ndërroj emrin, të marr një emër kristian.
Si u detyrove?
Që të merrja lejen e qëndrimit, sipas politikës së shtetit grek dhe që të punoja në orkestrat si të Teatrit të Operës dhe Baletit në Athinë, ku konkurrova dhe fitova, apo në orkestrat e televizioneve duhej të kisha, thënë shqip, një emër kaurri. Këtu bëhet fjalë për racizëm.
Ti e pranove?
E pranova dhe s'isha nga të parët. Isha i detyruar të pranoja dhe e ndërrova nga Petrit Hajro në Kleanthi Gjika dhe sot, zyrtarisht, kam emrin Kleanthi Gjika në pasaportën shqiptare. Ishte emigracion. Për mua kjo fjalë do të thotë të jesh skllav
Ke votuar ndonjëherë në këto vite?
Asnjëherë.
Ka të bëjë me ndërrimin e identitetit?
Identiteti është ndërruar, siç jua thashë pak më përpara për arsye ekonomike. Por, sa i përket pyetjes që më bëni, ndoshta më vonë - njeriu paska nevojë të qetësohet njëherë nga ana shpirtërore dhe për mua qetësi shpirtërore është puna, - me siguri që edhe unë do të votoj një ditë. Por për momentin po kërkoj një zgjidhje për problemin tim jetik.
Çfarë do të bësh atëherë?
Shpresoj të hidhet një hap nga drejtuesit e institucioneve, për të cilët ka ardhur koha që të ndjekin një politikë për njerëzit dhe talentet që janë larguar dhe që rikthehen, sepse janë jo pak ata që kanë kërkuar të kthehen dhe nuk u hapet vend. Jam duke pritur përgjigjen e një konkursi në Kosovë.
Ndoshta do të emigroj atje.
Kisha dëgjuar se këtu duhet të militosh për një forcë politike. Shiko, unë jam thjesht një muzikant. Tërë jetën ia kam kushtuar notave, partiturave, anës profesionale. Por, mesa shoh këtu ngjyra politike paska gjithkund.