Kryesia e PS: Bojkot zgjedhjeve të 15 Nëntorit
Deputeti i PS-së, Ben Blushi, shprehet kundër vendimit."Kjo i heq vetes mundësinë për të ekzistuar"
TIRANË- Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale, që do të mbahen më 15 nëntor në 5 njësi vendore, të cilat mbetën pa kryetar për shkak të kandidimit dhe zgjedhjes së tyre deputetë.
Ky ka qenë vendimi i marrë me shumicë votash dje në mbrëmje nga kryesia e Partisë Socialiste, i cili do të ratifikohet të shtunën e ardhshme edhe nga Asambleja Kombëtare, si institucioni më i lartë vendimmarrës mes dy kongreseve.
Ndërkohë, që në këtë mbledhje, janë përcaktuar edhe dy grupe pune, që do të merren me procesin e mbledhjes dhe përpunimit të propozimeve për ndryshimet në statutin dhe programin politik të partisë, të cilat pritet të miratohen në muajin Prill kur kjo forcë politike do thërrasë edhe Kongresin e saj të radhës.
Bojkoti
Në më pak se një orë diskutim, kryesia e Partia Socialiste ka miratuar vendimin e propozuar prej kryetarit të saj, Edi Rama, për të mos marrë pjesë në procesin zgjedhor për kryetarë të pesë njësive vendore, që do të mbahet më datën 15 nëntor.
Ashtu siç edhe pritej, në vazhdën edhe të debatit të mëparshëm, kryesia është ndarë sërish në diskutimet e saj në pro dhe kundër pjesëmarrjes në zgjedhje. Shumica e anëtarëve të kryesisë kanë mbështetur propozimin e bojkotit të tyre, duke argumentuar se në vend nuk ekzistojnë kushtet për të pasur garanci se zgjedhjet e pjesshme do të zhvillohen jo si ato të 28 qershorit, për të cilat kjo forcë politike kërkon hetim.
Kështu, mësohet se me radhë, Majko, Leskaj, Dade, Baraj kanë mbështetur idenë për të mos u bërë pjesë e këtij procesi zgjedhorë, pasi, sipas tyre, ky është vullneti që shpreh anëtarësia socialiste dhe se mazhoranca nuk ka pranuar ende që të bëjë transparencën e një procesi tjetër zgjedhor të kontestuar.
"Shumica e anëtarëve të kryesisë janë të mendimit që PS-ja të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme, që do të mbahen në 15 Nëntor. Partia Socialiste e Shqipërisë, nuk mund dhe nuk do të behet pjesë e një tjetër procesi zgjedhor të manipuluar, jashtë standardeve, që shkel ligjin dhe deformon vullnetin e shqiptarëve", - u shpreh Arta Dade në emër të kryesisë pas mbledhjes.
Qëndrimi kundër
Por ndërkohë nga pala tjetër, pra nga grupi i përfaqësuesve të "Lëvizjes për Mendim Ndryshe" është këmbëngulur në mbledhje që PS-ja të mos ndërmarrë një tjetër bojkot pasi kjo do të ishte edhe më e rëndë, së pari për vet PS-në, dhe së dyti për imazhin që përcillet tek ndërkombëtarët.
Mësohet se drejtuesi i këtij grupi Ben Blushi ka theksuar në mbledhje se, kërkesat e PS-së kundrejt mazhorancës lidhen me procesin zgjedhor të 28 qershorit dhe ato nuk duhet të prekin të ardhmen politike të kësaj force, ndërkohë që përfaqësuesi tjetër i këtij grupimi, Kastriot Islami, ka theksuar se ndërkombëtarët nuk mund t'i kuptojnë dhe t'i pranojnë kurrë dy bojkote të njëpasnjëshme.
Mësohet se gjatë mbledhjes kreu socialist, Edi Rama, nuk i ka kthyer përgjigje dhe as ka ndërhyrë për asnjë nga qëndrimet, që kanë mbajtur të gjithë ata që s'kanë qenë dakord me bojkotin.
Të gjendur në minorancë, përfaqësuesit e kësaj lëvizje janë shprehur pas mbledhjes se vendimi i marrë prej kryesisë ishte vetëm një vendim personal i kryetarit Edi Rama. "Ishim kundër bojkotit të zgjedhjeve, kërkuam të hynim, pasi është një mundësi për të treguar se socialistet dinë të mbrojnë votën. Një parti që nuk hyn në zgjedhje i heq vetes mundësinë për të ekzistuar", - tha Blushi pas mbledhjes.
Rama
Ndërkohë vet kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama duke folur pas mbledhjes e ka konsideruar vendimin të imponuar nga mosreagimi i mazhorancës ndaj kërkesave që opozita ka paraqitur në vijimësi për transparencën e zgjedhjeve parlamentare.
"Një vendim që është një vijim krejt i natyrshëm, në një rrugë e cila është rruga e domosdoshmërisë jetike të të gjithë popullit opozitar, për të mbrojtur lirinë dhe të drejtën e vet, për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur votën si një liri dhe e drejtë që nuk mund të tjetërsohet, nuk mund të shkelet, nuk mund të transferohet dhe nuk mund të deformohet", - tha Rama. Ai ka bërë të ditur se PS-ja është e vendosur që t'i shkojë deri në fund qëllimit të saj për të rikthyer në vend institucionin e votës.
"Në këtë rrugë ne jemi shumë të vendosur dhe ky është një proces i cili ka të bëjë ma fatet e një demokracie të kapur pengë dhe të futur në krizë në të gjitha funksionet jetike të saj dhe nuk ka të bëjë me asnjë lloj taktike apo çfarëdoqoftë tjetër që lidh interesat e PS-së, këto janë interesat e një vendi të tërë dhe e një populli të tërë, që në vitin 2009 nuk mund dot të merret peng në mes të Europës nga një pushtet familjar i ricikluar përmes grabitjes së votës", - përfundoi Rama.