Nje tufe mimoza per Krishtlindje gazetes Shqip
Sot, në ditën e Krishtlindjeve 2010, në tryezën e kryeredaktorit të gazetës “Shqip”, ndodhet një tufë me lule mimoza, dhuratë e artikullshkruesit për gazetën “Shqip”. Një dhuratë besoj tepër e rrallë, ndoshta e paparë dhe e padëgjuar së paku në Shqipëri në këtë festë dimri. Dhe kjo, jo për shkak të fantazisë së dhuratëbërësit, por thjesht se nuk mbahet mend ndonjë vit kur lulet e mimozës të çelin në dhjetor. Shumëkush kujton se kjo lule, sa rebele dhe naive, çel plot në mars e fëmijët rendin t’u dhurojnë mësuesve e bijtë nënave tufa mimozash për festat e 7-8 Marsit. Shumëkush kujton buqetat e mimozave në duart e të dashuruarve në ditën e Shën Valentinit më 14 Shkurt. Ndër vitet e fundit, dikush mund të ketë parë lulet e çelura të mimozave edhe në fillim të Vitit të Ri. Dhe ja në vitin 2010, që nga NASA konsiderohet dhe më i ngrohti ndër 131 vitet e fundit, pikërisht menjëherë pas solsticit të dimrit, çelin mimozat, pra paradoksalisht fillimi i dimrit duket si fillim i pranverës. Lulet e mimozave për Krishtlindje janë një fakt jetësor që Ndryshimi i Klimës po ndodh, po ndodh edhe në Shqipëri, edhe pse shumë fatkeqësisht vazhdojnë ta konsiderojnë ndryshimin e klimës si diçka që ndodh diku larg, në pjesën tjetër të botës. Nuk mund t’i shmangesh ndodhisë së përmbytjeve në Shkodër, për të kuptuar më mirë këtë fenomen. Ndryshimi i klimës është faktor që Shkodra po e ka përmbytjen kaq frekuente, por edhe që batica detare po ha tokë e lagunë në Lezhë, që toka po rrëshqet në të katër anët e vendit e shtëpitë rrëzohen sikur të ishin prej kartoni, që bora bie në fillim të dimrit e mbulon vendin edhe atje ku nuk bie borë si në Myzeqe, e të nesërmen bora shkrin sikur të ishte muaji maj, ndërkohë që vajzat nuk e kanë problem të sfidojnë dimrin, duke përgatitur dekoltetë për Krishtlindje.
Tufa me mimoza dhuratë për Krishtlindje gazetës “Shqip” dhe nëpërmjet saj gjithë shqiptarëve është urim e gëzim, por për cilindo nuk mund të mos jetë një lloj simbol–kujtesë, që tregon se klima po ndryshon dhe që njerëzit duhet të ndryshojnë, që mendimi duhet të ndryshojë dhe të ndryshojë menjëherë dhe thellësisht. Ndryshim i madh pritet nga hartuesit e politikave e vendimmarrësit në vend. Në përmbytjen e fundvitit të kaluar të Shkodrës u përmend ndryshimi i klimës nga vendimmarrësit, madje nga vetë Kryeministri. Në përmbytjen e madhe të këtij fundviti përsëri u lakua dendur ndryshimi i klimës. Nëse po pranojmë që klima po ndryshon lind pyetja; ç’duhet bërë që të zbutet (mitigation) efekti i ndryshimit të klimës dhe ç’duhet bërë për t’u përshtatur (adaptation) ndaj këtij ndryshimi? Nëse padrejtësisht pranohet se roli i Shqipërisë në zbutjen e efektit të ndryshimeve të klimës, nëpërmjet pakësimit të emetimit të gazrave serë në atmosferë, është i papërfillshëm në shkallë planetare, nuk mund të pranohet që Shqipëria dhe shqiptarët të injorojnë nevojën për përshtatje ndaj ndryshimit të klimës. Nëse sot shumë banorë në Tiranë e gjetkë i gëzohen çeljes së luleve të mimozës, ata të Shkodrës i tmerrohen shkrirjes së borës që mund t’i ripërmbytë. Ne nuk mund të mos reagojmë ndaj këtij kërcënimi të madh, sa të egër e tinëzar (si në rastin e përmbytjeve në Shkodër) aq edhe ledhatues (si në rastin e çeljes së hershme të mimozave). Reagimi duhet të vijë së pari nga vetë individi. Individi duhet të përpiqet së pari të ketë një fizik më të fortë dhe ta kultivojë këtë te pasardhësit, në mënyrë që të përballojë më lehtë streset nga ndryshimi i klimës. Individi që do ndërtojë një shtëpi të re, veç llogaritjeve të tjera, duhet të llogarisë që do të ketë ditë shumë më të nxehta dhe ditë shumë më të ftohta në vitet e ardhshme dhe të përfshijë në projekt të shtëpisë termoizolimin e saj. Nëse është zonë me mundësi më të mëdha për t’u përmbytur kati i parë i banimit do të duhej të ngrihej në lartësi. Nëse ndërton në pjerrësi duhet aplikuar koeficient më i madh sigurie ndaj rrëshqitjeve. Fermeri që do investojë në një plantacion me fruta do të duhet të konsiderojë varietete që veç të tjerave janë më rezistentë ndaj sëmundjeve, temperaturave shumë të larta, thatësirave të zgjatura apo lagështisë më të madhe tokësore. Kështu çdo individ duhet të konsiderojë faktorin ndryshim klime, në një tërësi elementesh të jetës së përditshme. Roli i shtetit në adaptimin ndaj ndryshimit të klimës është domosdoshmëri dhe duhet të jetë pjesë integrale e planeve, strategjive e vendimeve qeveritare, ndryshe nga ajo e individit që më së shumti mbetet në vullnetin e tij, pasi shteti është përgjegjës për një popull të tërë dhe nuk mund të jetë mospërfillës ndaj fenomenit të ndryshimit të klimës. Reagimi, pra përshtatja ndaj ndryshimit të klimës kërkon dhe fonde më shumë dhe kur ato mungojnë duhet të funksionojë optimizimi i fondeve ekzistuese, duke konsideruar këtë faktor deri tash totalisht të neglizhuar. Në këtë kontekst nuk mund të mos përmendet apo ripërmendet reagimi ndaj rastit të përmbytjeve në Shkodër. Shkodra po vuan edhe më shumë si pasojë e injorimit në terma praktikë i efektit prej ndryshimit të klimës dhe mund ta vuajë edhe më si rrjedhojë e efektit kumulativ. Mbushjet e shtretërve të lumenjve me inerte dhe llumra prej erozionit gjithnjë e më të madh, edhe për shkak të tokës gjithnjë e më të zbuluar nga bimësia; saturimi me ujë i tokave fushore dhe dëmtimi i bimëve shumëvjeçare, argjinaturat e dëmtuara e kanalet kulluese të shkatërruar apo bllokuar, pra një mosveprim apo keqveprim për vite me radhë, mosndërtimi i hidrocentralit të Skavicës, pjesë shumë e rëndësishme e menaxhimit të kaskadës së lumit Drin e projektuar prej dekadash më parë pritet të sjellin situatë kronike përmbytjesh, atje. Është vërtet e pashpjegueshme që, edhe pse një krahinë e tërë u plagos rëndë me këtë përmbytjen e fundit, qeveria synon ta shërojë këtë plagosje me aspirina në vend të një ndërhyrje të plotë kirurgjikale, që duhet të fillojë që nga liqeni i Ohrit e deri në derdhje të Bunës në Adriatik. Qeveria nuk pati kurajën që të ndryshonte buxhetin e vitit pasardhës, edhe pse e klasifikoi përmbytjen si të shkaktuar nga ndryshimi i klimës, duke lënë përsëri banorët e Shkodrës në mëshirë të fatkeqësive natyrore dhe tekave të klimës që ndryshon. Ka të ngjarë se të tjera plagosje do të pësojë trupi i Shqipërisë nëse nuk kujtojmë që çelja e mimozave për Krishtlindje është edhe përkëdhelje e natyrës, edhe thirrje për punë të mençura nga sot e mot. Sidoqoftë le t’i gëzohemi sot në ditën e Krishtlindjeve përkëdheljes së natyrës që ajo na dërgoi me tufën e mimozave.