Pensionistet shperblimet mbeten pezull
Shpërblimet për moshën e tretë mbahen pezull, pasi edhe kjo javë është mbyllur pa marrë asnjë vendim lidhur me pagesën e 13 me rastin e festave. Në sportelet e tërheqjes së pensioneve, moshës së tretë nuk u është dhënë asnjë përgjigje lidhur me masën e shpërblimit, nëse do të marrin apo jo, nëse do të kenë 2500 lekë apo 5000 lekë në rast të një vendimi të ditëve të fundit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore garanton shpërndarje në kohë, pasi zotëron infrastrukturën e nevojshme për ta bërë këtë, sikur edhe tri ditët e fundit të vitit, por nga ana e qeverisë, deri tani nuk ka asnjë përgjigje, as po, as jo, as ndoshta. Nga ana tjetër, pagesa e 13 e moshës së tretë është konsideruar gjithmonë si dhurata e qeverisë për të blerë gjelin e detit, ose për të kontribuar në blerjen e produkteve për përgatitjen e tryezës natën e ndërrimit të viteve. Edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, nuk është cekur e nuk është artikuluar asnjë projekt lidhur me shpërndarjen e shpërblimeve të moshës së tretë me rastin e Vitit të Ri. Këtë vit pensionistët duhet të heqin nga lista e traditës gjelin e Vitit të Ri, i cili edhe pse mund të mos ishte i majmë, “përkëdhelte” sedrën e secilit prej 560 mijë pensionistëve shqiptarë.
Vendimi i qeverisëPor jo vetëm kaq, viti 2010 mund të ketë qenë i mirë për ekonominë shqiptare, kjo sipas shifrave të Ministrisë së Financave. Nuk mund të konsiderohet i mbarë për nëpunësit e shtetit. Punonjësit e administratës publike nuk do të marrin shpërblim për rezultate të mira në punë, madje nuk do të organizojnë festa për fundviti, siç ka qenë tradita e përvitshme.
Buxheti i varfër ka detyruar Kryeministrin e vendit Sali Berisha që me një vendim të Këshillit të Ministrave, që mban datën 17 nëntor 2010, numër 929, i cili nuk është publikuar as në Fletoren Zyrtare, të urdhërojë të gjithë administratën shtetërore që, duke filluar nga data 2 dhjetor 2010, nuk mund të zhvillojnë asnjë aktivitet social kulturor.
Shpërblimi
Po ashtu, sipas vendimit për vitin 2010, fondi i veçantë nuk mund të përdoret as për shpërblimin e punonjësve me rezultate të mira. Ky urdhër ka befasuar të gjithë punonjësit e administratës shtetërore, të cilët e konsiderojnë absurd. Ndonëse nuk janë dakord me këtë urdhër, nuk mund të shprehen, pasi në rast të kundërt, rrezikojnë vendin e punës. Në fakt publikimi ose jo i vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe jo vetëm, është monitoruar edhe nga Qendra për Çështjet e Informimit Publik, ku sipas raportit të transparencës së botimeve zyrtare, vetëm për vitin 2009 janë konstatuar 95 VKM, të cilat nuk janë publikuar. Ndërsa 138 vendime të tjera janë botuar një vit më vonë në një fletore zyrtare ekstra. Gjithsej, gjatë këtij viti të monitoruar, Këshilli i Ministrave ka miratuar 1305 VKM.