Një udhëtim në botën e skulpturës, çelet ekspozita me veprat e artistëve klasik dhe bashkëkohor

Nga skulpturat me veshjet tradicionale të grave dhe burrave, tek portretet klasike, për të ardhur në bashkëkohësi, me format moderne të shprehjes së artit, siç janë instalacionet, kjo është panorama e ekspozitës “The Sculpture Show”.
Artistët e këtyre veprave artistike si emërues të përbashkët kanë artin e skulpturës, por ndasia midis tyre qëndron në stilin, teknikën, zhanrin që secili prej tyre përfaqëson.
Ajo bën bashkë emrat më përfaqësues të këtij zhanri artistik, si Mumtaz Dhrami, Adrian Çene, Skënder Hyseni, Billy Mazreku, Benard Lekgegaj, Helidon Xhixha dhe të ndjerin Arben Bajo.
Në këtë mozaik artistik na shpaloset si zhanri klasik, po ashtu edhe ai bashkëkohor i artit të skulpturës, ndaj në këtë rast publiku vendos një kontakt midis të tashmes dhe të ardhmes.
Ekspozita, e cila mbështetet nga Instituti i Politikave të qëndrueshme Tiranë dhe Ministria e Kulturës është e çelur në Galerinë Zenit dhe do të qëndrojë e hapur deri në datën 3 Korrik.
Gazetare: Ornela Ceka
/rtsh/