Rikthehet pas 8 vitesh Festivali Folklorik Kombëtar, Margariti: Nuk e mposhti dot as pandemia

Festivali Folklorik Kombëtar është rikthyer pas 8 vitesh mungesë në qytetin e Gjirokastrës i cili po transmetohet në Radio Televizionin Shqiptar.
E pranishme në këtë event kulturor, ministrja e Kulturës, Elva Margariti theksoi se festivali Folklorik Kombëtar rikthehet pas kësaj mungese të gjatë. Ajo theksoi se përgatitjet për ta rikthyer këtë festival nuk i pengoi dot as pandemia.
“Për të pasur këtu sot të gjithë emocion, për të gjithë ne që jemi të lidhur me trashëgiminë material dhe jo materiale është vërtetë një gëzim.
S’dua të ndalem se çfarë vlere ka trashëgimia materiale për të gjithë ne.
Do të ishte e tepërt, por besoj se të gjithë biem dakord se kemi shumë arsye për të festuar. Arsyeja e parë është që rikthejmë festivalin pas 8 vitesh mungesë.
Këtë sofër bujare të trashëgimisë sonë e cila ka ditur që të ruhet brez pas brezi dhe nuk e mposhti as pandemia”, u shpreh Margariti.
Margariti theksoi se Festivali Folklorik Kombëtar shoqërohet edhe me simbolikën e kahershme të tij siç është kupola e kalasë së Gjirokastrës.
“Patjetër që festojmë jetën, jetën që e çmuam edhe më shumë pas atyre viteve të vështira të pandemisë dhe patjetër që sot na bën edhe më të ndërgjegjshëm që çdo element i bukur i jetës sonë duhet festuar të gjithë bashkë.
Kur nisëm përgatitjet për këtë festival shumë persona më kanë pyetur; a do ta mbani ende atë kupolë në kala, jo vetëm e kemi mbajtur, sepse tashmë është kthyer në emblemën e kësaj kalaje por e kemi risjellë tek ju me simbolin e fijeve të trashëgimisë sidomos për të nderuar ata që mbajnë të gjalla rrënjët e lashta”, theksoi Margariti.
/rtsh.al/