Një utopi sociale në Meksikën e shek. XIX

Kuadër nga dokumentari Chipilo
Nga nesër, Galeria Promenade e Artit Bashkëkohor në Vlorë prezanton dokumentarin Chipilo të artistit Pablo Helguera. Është historia e një province me të njëjtin emër, në Meksikë. Në fund të shekullit të XIX, kjo zonë do të popullohej nga emigrantë evropianë, një mbjellje e planifikuar për ta pasuruar kulturalisht dhe zhvilluar ekonomikisht këtë zonë.
Ndër evropianët e ardhur, ishte dhe një grup nga Italia e veriut që fliste venetisht. Për shkak të pozitës gjeografike dhe rrethanave social-politike ky grup do të mbetej i izoluar. Kështu, nëpërmjet këtij dokumentari, artisti meksikan Pablo Helguera (1971) që jeton në Nju Jork, dokumenton se shumica e popullatës në Chipilo flet dialektin origjinal të venetishtes, dhe tregon historinë e një komuniteti, jeta e të cilit rezulton një eksperiment utopik social në Meksikën e shekullit XIX.
Prurja e këtij dokumentari nga 4-10 prill në galerinë e Vlorës, është bërë e mundur falë bashkëpunimit me Gallery on the Move.