Rezident në Tiranë, shans për të guxuar dhe për të dështuar
Instituti i Artit Bashkëkohor në Tiranë (T.I.C.A.) fillon sot punën me programin e ri rezidencial AIRLAB 2012. Gjatë muajve prill-maj, tre artistë nga Serbia, Shqipëria dhe Kosova punojnë mbi temën Ri-dekretimi si strategji artistike.
Vahida Ramujkic (1973) është një nga artistët fitues të kësaj rezidence. Ajo vjen nga Serbia. Ramujkic ka punuar, ndër të tjera, për një sërë eksplorimesh në hapësirat publike bazuar dhe në studime sociale. Ndërsa Armando Lulaj (1980) që jeton dhe krijon ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, zakonisht dëshiron të analizojë ndryshimet e fundit në shoqërinë bashkëkohore. Artisti tjetër është Astrit Ismaili (1991) nga Kosova. Ismaili përpiqet të paraqesë trupin e mashkullit si një simbol perceptimi, si një model komunikues, si një vend takimi i vetes me pjesën tjetër të botës.
Këto janë në mënyrë koncize profilet e tre artistëve të rinj përkufizuar nga kuratori i artit bashkëkohor Edi Muka dhe themelues i programit rezidencial AIRLAB.
Po çfarë përfaqëson në artin bashkëkohor dhe në punën e një artisti fenomeni i ri-krijimit apo ri-dekretimit? Si mund të rivlerësohet dhe fitojë peshë në të sotmen një ngjarje, një fenomen, apo një vepër arti nga e kaluara? Dhe çfarë pritet nga tre artistët që do ta aplikojnë këtë temë gjatë qëndrimit dhe hulumtimit të tyre artistik në Tiranë? Puna e tyre finalizohet me ekspozitë në qershor.
Një bisedë prezantuese me kuratorin Edi Muka.
Çfarë të reje sjell programi rezidencial që filloni sot?
Këtë vit ka një temë të përcaktuar që është rikrijimi. Rikrijimi si strategji e artistike. Me rikrijim nënkuptohet që artistët të rikrijojnë ngjarje historike, apo punë të artistëve që kanë lenë gjurmë në artin bashkëkohor ose edhe punë të vetat, të cilat janë bërë më parë dhe sot duken me interes nëse përsëriten për të parë ndryshimin.
Mbi çfarë kriteresh i keni zgjedhur artistët?
Përzgjedhja është bazuar në një lloj studimi të portofoleve artistike, për të parë se cilët nga këta artistë kanë qasje të qartë për artin bashkëkohor, e që mund të kenë bërë më parë projekte të kësaj natyre, projekte të cilat janë punë në proces që mund ti zhvendosësh nga njëri vend në tjetrin. Ky projekt vazhdimisht zhvillohet sipas vendit në të cilin e zhvendos atë. Prandaj dhe tek ne duhet të përshtatet në kuadër të Tiranës.
Sa efiçencë mund të ketë një temë e tillë në realitetin shqiptar?
Ky është një rrezik që ne e marrim përsipër sepse rezidenca këtë presupozon që ti japësh artistit shansin që të provojë kufij të cilët nuk janë provuar deri tani, të ketë guximin dhe të dështojë. Sepse e rëndësishme ngelet që artisti të stimulohet dhe të kalojë kufijtë e mbyllur. Kjo jo domosdoshmërisht është diçka që ka të bëjë me realitetin shqiptar. Ajo që duhet të ndodhë është që realiteti shqiptar të përputhet me realitetin global. Pra të zbulojmë tendencat artistike globale të cilat duhet të funksionojnë në Shqipëri.
Mund të jepnit shembuj nga historia e artit bashkëkohor ndërkombëtar të artistëve që kanë lënë gjurmë mbi idenë e ri-krijimit e njëherësh të ndryshimit?
Në vitet 60 ka pasur një numër shumë të madh performancash. Performanca ishte një nga shprehjet artistike që u zhvillua në kuadër të artit pamor nga një sërë artistësh, si Marina Abramovic, Chris Burden etj., të cilët punuan me qëndrimin kritik mbi çfarë kishin bërë shoqëritë gjatë viteve 1960-70 dhe i sollën në këndvështrimin se sa ka ndryshuar shoqëria.
Mund të parashikoni, mbi bazë të njohjes së tre artistëve të rinj edhe të asaj çka ofron realiteti shqiptar, se çfarë pritet nga kërkimi i tyre në ekspozitën finale të qershorit?
Ne ftojmë artistë që kanë projekte që fokusohen në rikrijimin si strategji artistike, por ata nuk i kanë përcaktuar ende temat. Sepse duhet të vijnë të shohin qytetin, të njihen me terrenin, me skenën, me problemet këtu dhe pastaj të vendosin se cila nga punët e tyre mund të rikrijohet në Tiranë. Ata mund të merren me diçka që ka ndodhur në të kaluarën por çfarë domethënie ka ajo në të sotmen? Kjo është një nga praktikat me të cilën shumë artistë punojnë nëpër botë.
Rezidencat, një tabu
Me këtë hap që ka hedhur vitet e fundit Instituti i Artit Bashkëkohor në Tiranë, thyen një tabu në fushën strategjive për të cilat kanë nevojë artet dhe kultura. Të gjithë e dimë se sa pak i hapur është mentaliteti i institucioneve qeveritare dhe atyre kombëtare të kulturës për të mbështetur projekte alternative që dalin përtej programeve buxhetore. E dimë që edhe ndjeshmëria e investitorëve privatë për të mbështetur kulturën nuk ka lëvizur nga kutiza e akullt. Është folur shpesh se sa e nevojshme është që Ministria jonë e Kulturës të ndihmojë për një stabilitet të revistave letrare, të botimeve për artet pamore dhe deri për shtëpi shkrimtarësh në bazë të programeve rezidenciale.
Gjetja e burimeve financiare për kulturën në këto kohë të vështira është privilegj, e kur përdoren për të vënë në lëvizje një brez artistësh të rinj që punojnë në terren dhe brenda një kohe të shkurtër e ndajnë rezultatin e punës së tyre me banorët e këtij terreni, është përligjje e këtij privilegji.
Edhe TICA në sajë të këtyre programeve kërkon ta rivendos kulturën si një nga mënyrat më efektive në nxitjen e të menduarit kritik në lidhje me gjendjen tonë bashkëkohore. Të sjellë së bashku të gjitha energjitë, njohuritë dhe kontaktet e të gjithë anëtarëve të tij themelues, për të krijuar një platformë të pavarur për artin bashkëkohor.
Rikrijimi
Në thelb të rikrijimit si strategji artistike, qëndron përsëritja. Roli i saj është i rëndësishëm nisur nga pikëpamja e një ideje teatrale të historisë, siç është shtjelluar nga filozofi francez Gilles Deleuze në veprën Ndryshimi dhe Përsëritja (1968). Sipas Deleuze, funksioni i përsëritjes është që të krijojë një gjendje lëvizjeje sajë të cilës diçka efektive është prodhuar në histori.
Pikërisht kjo është ideja e Ri-krijimit, kjo përsëritje që bashkë me ndryshimin do të japë diçka të re, është në fokus të programit AIRLAB për vitin 2012. Artistët rezidentë do duhet ta realizojnë projektin e tyre në një kuadër të Tiranës.
Në foto
Kuadër nga vdieoja Erotika epike e Ballkanit e artistes serbe Marina Abramovic. Kjo artiste shquhet për krijimin e veprave të artit ku me guxim ajo përballon përmes ritualit dhimbjen dhe rrezikun. Në performancën Ritmi 0 të vitit 1974, Abramovic performoi në një hapësirë galerie duke qëndruar për gjashtë orë pa lëvizur dhe pa folur. Pranë saj ndodhej një tryezë ku ishin vendosur 72 objekte që shkaktojnë kënaqësi ose torturë e që mund të përdoreshin nga vizitorët si të donin ata. Fillimisht hezituan e pak nga pak ishin në gjendje të tregonin anën e tyre agresive. Një thikë që ndodhej në tryezë u përdor jo vetëm për të grisur rrobat e artistes, por edhe për ta prerë atë në pjesët e zhveshura të trupit. Një armë me një plumb të vetëm iu drejtua artistes nga një vizitor ndërkohë që një tjetër ia largoi nga balli. Më vonë Abramovic do të shprehej në lidhje me këtë performancë se po ti lësh vendimet në dorë publik, ke për ta parë veten të vdekur.
