E Martë, 3 Nëntor 2026

Një varkë me emigrantë mbytet në Kanalin që lidh Britaninë me Francën, gjashtë persona humbin jetën

Gjashtë persona kanë humbur jetën pasi një varkë me emigrantë u mbyt pranë brigjeve franceze. Dy persona dyshohet se jenë ende të zhdukur, tha një zëdhënëse e autoritetit bregdetar francez Premar, pasi anija u gjend në vështirësi në det pranë Calais në orët e para të së shtunës.

Rreth 58 persona u shpëtuan nga rojet bregdetare britanike dhe franceze, thanë zyrtarët. Në Dover, një numër njerëzish u panë duke u nxjerrë nga një varkë shpëtimi, disa prej tyre me barela.

Shkalla e lëndimeve të të shpëtuarve mbetet e paqartë dhe numri i tyre ka ndryshuar që nga mëngjesi pasi u publikuan më shumë informacione.

Autoritetet franceze thanë se një anije që po kalonte në Kanalin Calais dha fillimisht alarmin se një varkë e mbingarkuar ishte në vështirësi në brigjet e Sangatte.

Kur anija franceze e shpëtimit mbërriti, ata gjetën shumë njerëz në det, dhe disa që bërtisnin për ndihmë. Anija e shpëtimit Dover, e cila ishte në Kanal dhe po merrej me një varkë tjetër që transportonte emigrantë, iu bashkua operacionit të shpëtimit.

Një vullnetar, i cili ishte në një nga varkat e shpëtimit, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se migrantët po përdornin këpucët për të nxjerrë ujin nga anija që po fundosej.

Anne Thorel tha se kishte “shumë” njerëz në bord. Ekipet e shpëtimit thonë se kjo është hera e shtatë këtë javë që u është dashur të nxjerrin njerëz nga uji.

Në përditësimin e tij të fundit, Premar tha se intervistat me të mbijetuarit japin të dhëna se 65 ose 66 persona ishin në varkë.  Shpesh varkat janë aq të mbingarkuara sa është e vështirë të dallosh sesa njerëz janë në to.

Premar tha se 22 ose 23 persona u dërguan në Dover nga ekuipazhet e shpëtimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe një varkë franceze çoi 36 të tjerë në Calais.

Dy varka franceze po kërkojnë ende për dy persona që rezultojnë të humbur. Një avion i marinës franceze dhe një helikopter iu bashkuan ekipeve të ndihmës duke zhvilluar kërkime.

Deputeti për Calais, Pierre-Henri Dumont, tha se autoritetet po intervistojnë emigrantët që janë në gjendje të flasin dhe jo shumë të sëmurë, për të marrë të dhëna se çfarë ka ndodhur dhe se nga cilat vende janë.

Edhe pse incidenti ka ndodhur në territorin francez, ekipet e shpëtimit britanike dhe ato franceze punojnë së bashku për të shpëtuar sa më shumë njerëz.

Një prokuror francez i tha agjencisë së lajmeve AFP se njëri nga viktimat ishte një burrë afgan i moshës 25-30 vjeç. Enver Solomon, shefi ekzekutiv i Këshillit të Refugjatëve, falënderoi ekipet e shpëtimit për përpjekjet e tyre, por i kërkoi qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të punojë për krijimin e një “sistemi të rregullt dhe njerëzor azili”.

Kanali anglez është një nga korsitë më të rrezikshme dhe më të ngarkuara për shkak të anijeve që lundrojnë aty me rreth 600 cisterna, si dhe të 200 trageteve që kalojnë çdo ditë. BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›