E Martë, 3 Nëntor 2026

VIDEO/ Shiste lëndë narkotike në doza të gatshme, policia e Sarandës prangos një 38- vjeçar

Rritja e numrit të turistëve në zonat bregdetare, kryesisht në jug të vendit, ka çuar edhe në rritjen e përpjekjeve të disa individëve apo dhe grupeve kriminale, për të shitur lëndë narkotike.

Rast më i fundit është konstatuar në Sarandë, ku në prangat e policisë ka rënë një 38- vjeçar, i cili dyshohet se u shiste lëndë narkotike të ndara në në doza të gatshme, turistëve vendas dhe të huaj.       

Sipas policisë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës intensive të kryer në kuadër të sezonit turistik 2023, kundër veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në doza, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Parts 16”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi G. M., 38 vjeç, banues në lagjen nr. 3, Sarandë.

“Gjatë kontrolleve fizike ndaj këtij shtetasi dhe në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan sasi të lëndëve narkotike heroinë dhe cannabis sativa, të cilat ky shtetas i kishte siguruar dhe i kishte ndarë në doza, me qëllim shitjen e tyre, në zona të ndryshme të qytetit të Sarandës.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas saj, dozat e lëndëve narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 celularë dhe se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Vetëm disa ditë më parë, në data të ndryshme, policia e Vlorës prangosi 3 persona me akuzat se shisnin kokainë pranë lokaleve dhe shtëpive të banimit në Himarë dhe Palasë.

Atyre u janë sekuestruar sasi të lëndëve narkotike, të ndara në doza të gatshme për shitje, peshore elektronike, shuma parash në euro dhe në lekë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›