Një vend bosh në PD/ Nga Lulzim Basha e Admir Mulaj, të gjithë në garë
Që kur Sali Berisha dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, vendin e tij e synojnë jo vetëm anëtarë të kryesisë së kësaj partie, por dhe persona, të cilët meritë të vetme kanë faktit e të qenit demokrat apo dhe me prejardhje nga Tropoja.
E ndërsa afati i dorëzimit të dosjeve është deri të premten, ku sipas Berishës çdokush është i lirë të pretendojë vendin e tij, sot ka shpallur kandidimin Admir Mulaj.
Në fakt, dhe pse vetëdeklarohet si anëtar i kësaj partie në një vit të vështirë si ai 97-të, të dhëna për Mulajn nuk gjen as në Google.
Admir Mulaj thotë se për të qenë në lartësinë e duhur të garimit për kreun e Partisë Demokratike, ka marrë zyrë tek Kullat Binjake, përkarshi Berishës, i cili pritet të jetë në kryeministri së paku deri në fillim të shtatorit.
Admir Mulaj e prezanton vetën si ish-dhjetorist, ish-bashkëpunëtor i Azem Hajdarit dhe si i vetmi që ka guxuar për të dhënë mendime ndryshe nga Berisha.
Por juristi nga Tropoja nuk është i vetmi që synon të jetë sfidues në garën e hapur në partinë më të madhe opozitare tashmë në vend.
Një person krejt anonim, por që deklarata e Berishës e ka bërë që të ëndërrojë me sy hapur, është dhe Bujar Nallbani.
Militanti i kësaj force politike ka prezantuar veten si kandidat për kryetar partie dhe si njeriu i duhur që do të transformojë atë.
Një tjetër kandidaturë e paraqitur në sekretarinë e Partinë Demokratike, ka qenë dhe Erjon Nikolli.
Aspiranti për kreun e PD-së ka dorëzuar dosjen e tij, por nuk ka pranuar të komunikojë me media.
Në garë Basha e Biberaj
Por krahas militantëve, apo dhe njerëzve që me sa duket besojnë se gara për kryetar të PD-së do të jetë e hapur për çdo anëtar, të mërkurën kanë bërë publike kandidaturën e tyre Aleksandër Biberaj dhe Lulzim Basha.
Ky i fundit, duke mbajtur një fjalim, në të njëjtin vend ku dhe Berisha dha dorëheqjen, u betua se do të ndiqte vijën e Sali Berishës.
Ndërsa Aleksandër Biberaj, deri më tani mbetet vetëm aspiranti publik për kreun e Partisë Demokratike.
Sekretaria e partisë nuk ka pranuar dosjen e paraqitur mesditën e së mërkurës.
Ky i fundit, këtë e komentoi si një vendim të marrë nga drejtuesit e partisë dhe deklaroi se kjo nuk do ta detyronte të hiqte dorë nga gara për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike.
Ndërkohë që të martën ka bërë publik kandidimin e tij Sokol Olldashi.
Në fakt, gara për kreun e PD-së do të jetë mes Ministrit të Transporteve dhe kryebashkiakut të emëruar, Lulzim Basha.
Njëri me një të shkuar politike në Partinë Demokratike dhe tjetri i katapultuar nga KOP-i dhe i favorizuar nga Berisha.
