Puç në Egjipt, ushtria rrëzon Morsin, presidencën e merr kreu i Kushtetueses
(E PERDITESUAR)- Ushtria ka rrëzuar nga pushteti presidentin e Egjiptit, Mohammed Morsi.
Ky grusht shteti do të thotë se për herë të parë në histori po largohet nga pushteti një president i zgjedhur në mënyrë demokratike.
Kreu i ushtrisë egjiptiane doli live në televizion për të deklaruar pezullimin e Kushtetutës.
Gjenerali Abdul Fattah Al- Sisi, i rrethuar nga liderët fetarë dhe ata ushtarakë, tha se kreu i Gjykatës Kushtetuese do të marrë përsipër presidencën deri në zgjedhjet e reja.
Deklarata e tij nënkupton se tashmë presidenti Morsi nuk është më në pushtet.
Gjenerali tha se ushtria po përmbush një përgjegjësi historike për të mbrojtur vendin.
Gjatë deklaratës së tij, turmat në Sheshin Tahrir brohorisnin.
Pas gjeneralit foli edhe lideri i opozitës, Mohammed ElBaradei. Ai tha se synimi është që të arrihet një pajtim kombëtar.
Ushtria e ka zhvendosur presidentin Morsi në një vend, që nuk është bërë i ditur.
Tani në vend do ketë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale, do ngrihet një panel që do të rishikojë Kushtetutën, ndërsa një lëvizje e fuqishme do jetë ngritja e një komiteti për pajtimin kombëtar, ku do përfshihet edhe lëvizja e të rinjve.
Përpara se të skadonte afati i vendosur nga ushtria për një marrëveshje, Morsi përsëriti se nuk ka ndërmend që të dorëhiqet, kurse një nga këshilltarët e tij kryesorë tha se vendi po përjeton një grusht shteti.
Por ushtria lëvizi me shpejtësi duke zënë pikat kyçe, për të mos lejuar lëvizje nga përkrahësit e presidentit.
Në minutat e fundit, Morsi tha se mund të formojë një qeveri të përkohshme që do e çonte vendin në zgjedhjet e parakohshme.
Megjithatë ai tha se duhet bërë një rezistencë paqësore ndaj këtij veprimi të paligjshëm të ushtrisë.
Sheshi Tahrir, që përjetoi më shumë se një vit më parë revolucionin për rrëzimin e ish- presidentit Hosni Mubarak, ishte mbushur plot me njerëz.
Një helikopter fluturoi mbi kokat e njerëzve, kurse ata këndonin të lumtur: Ik, ik.
Kjo ishte dita e katërt e protestave të mëdha për rrëzimin e presidentit Morsi, që thuhet se ka keqpërdorur pushtetin e fituar me votë për të instaluar një regjim me tendenca autoritariste dhe islamike.
Këto protesta madje janë edhe më të mëdha se protestat që rrëzuan presidentin Mubarak.
Që nga e diela, të paktën 39 njerëz kanë gjetur vdekjen nga përplasjet mes palëve./ep