E Diel, 1 Nëntor 2026

PD lë pushtetin, kreu i ILDKP-së fillon spastrimet për të hapur vende pune

ILDKPNga Lindita Çela

Sapo Partia Demokratike humbi zgjedhjet, drejtuesit e institucioneve të pavarura, por që janë emëruar prej PD, kanë nisur fushatën e spastrimit të administratës për të hapur vende të reja pune.

Kështu ka vepruar edhe Zana Xhuka, ish-zv.ministre e Mbrojtjes, e zgjedhur në krye të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nga Partia Demokratike.

Xhuka ka urdhëruar uljen e më pas shkarkimin nga detyra, të katër drejtuesve kryesor të administratës së institucionit që drejton prej janarit të këtij viti.

Bëhet fjalë për Sekretarin e Përgjithshëm të ILDKP-së, Drejtoreshën Juridike, Drejtoreshën e Financës dhe atë të Burimeve Njerëzore.

Vendimi nga kreu i ILDKP-së është marrë një javë me parë, pikërisht në kohën kur u zyrtarizua humbja e zgjedhjeve të Partisë Demokratike.

Por zonja Xhuka nuk është mjaftuar me kaq. Për të zbatuar  vendimin e saj, ajo ka urdhëruar dhe thyerjen e zyrave të katër drejtuesve të lartë e administratës.

Ngjarja thuajse ka shkaktuar një kaos në këtë institucion, ku gjithkush është, së paku pataksur, nga shkelja flagrante që Xhuka i ka bërë ligjit, duke dhunuar jo vetëm institucionin, por dhe të drejtat e këtyre drejtuesve.

Kreu i ILDKP-së ka avancuar me urdhrat e saj, pasi punonjësit nuk kanë pranuar të zbatojnë vendimin e Xhukës për uljen e tyre në detyrë, pasi e konsiderojnë atë si të paligjshëm, dhe arbitrar.

Për këtë arsye drejtuesit e lartë të ILDKP-së i janë drejtuar Komisionit të Shërbimit Civil, pasi gëzojnë statusin e  nëpunësit civil.

Por megjithëse kjo çështja ende nuk është shqyrtuar, Xhuka ka urdhëruar thyerjen e zyrave të drejtuesve të lartë duke marrë në dorëzim të gjithë dokumentacionin e paprotokolluar.

Burime të besueshme bëjnë të ditur për TemA se drejtuesit e lartë kanë vite që punojnë në këtë institucion dhe njihen si persona të përkushtuar që, deri më tani, nuk kanë kryer asnjë veprimtari që bie ndesh me ligjin.

Ndryshmet e bujshme si dhe sjelljen arrogante të kreut të ILDKP-së, punonjës së këtij institucioni e komentojnë vetëm me faktin e hapjen së vendeve të reja të punës, pasi Xhuka njihet si person që militon dhe ka bërë karrierë vetëm tek Partia Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›