E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vend i pabesueshëm

I nominuari për Turner Prize, artisti britanik, Nathan Coley, sjellë në Prishtinë veprën e tij të fundit artistike. Është kjo një strukturë madhështore, e lartë 6 metra, në të cilën me shkronja të ndriçuara shkruan: “A Place Beyond Belief” (Një vend i pabesueshëm) - për të shënuar kështu fundin e Pavarësisë së Mbikëqyrur të Kosovës.

Nathan Coley u kthye në Prishtinë. Shumë muaj më parë, kur ende ishte lagshtë e ftohtë, dhe kur fundit të pavarësisë së mbikëqyrur s’i përmendej emri as në lajme, Nathan qëndroi për herë të parë në Prishtinë.

I ftuar që të reflektonte për një ngjarje politiko-historike, e cila do të ndërronte kahjen e një vendi të tërë, Coley s’mund të vinte me ide nga qielli. I duhej ta nuhaste këtë tokë, të takonte njerëzit e saj, dhe të vendoste për frazën e radhës.

Kjo është vepra e pestë e artistit, në serinë e veprave që bazohen në tekst, e ku Coley i përvetëson frazat në të cilat ka hasur përmes dëshmive, literaturës dhe teksteve të këngëve që ndërlidhen me temën e tij të vazhdueshme: marrëdhënia mes hapësirës publike dhe ndjenjës së përkatësisë personale.

“A Place Beyond Belief” ishte një shprehje e përdorur nga një njujorkeze gjatë një emisioni në radio, në 10-vjetorin e 9/11. Derisa po kujtonte një incident në metro, pak ditë pas sulmeve në World Trade Centre, ajo e përdori pikërisht këtë frazë që të tregonte shpresën për të ardhmen e qytetit dhe të qytetarëve të tij.

Në vizitën e parë hulumtuese të Coley’t, fraza “A Place Beyond Belief” u përzgjodh në mesin e shumë frazave të tjera, njëra nga të cilat ishte edhe e famshmja “There Will Be No Miracle Here” (Këtu s’do të ndodhë kurrfarë mrekullie) - një shprehje kjo e të njëjtit artist, por që sot është përvetësuar nga disa institucione të mëdha arti nëpër botë.

Në tërë vargun veprave të tij, Coley ka reflektuar në hapësirën publike, derisa ka eksploruar sesi arkitektura, e cila vjen në shprehje si element i investuar dhe kuptimplotë, kthehet më vonë në një element konfliktuoz, krejt kjo si rezultat i praktikave konkurruese. Së këndejmi, edhe erdhi evitimi i frazës “There Will Be No Miracle Here”, dhe përzgjedhja e “A Place Beyond Belief”, sepse në një kontekst kaq të veçantë social dhe arkitektural, mrekullitë vërtet ndodhin.

Ndryshe, kjo është vepra e fundit e artistit, ku ai eksploron natyrën e ritualizuar të protestës dhe të vajtimit publik, por e fokusuar në strukturë, hapësirë dhe vegla të përdoruara anekënd botës, për po këtë protestë. Si një varg i plotë i veprave, ekspozita e tij në Londër – me po të njëjtin emër - përbëhet nga elemente të ndryshme, si pllakat dhe flamujt që ngrihen lartë në protesta, por edhe gurët e varreve dhe tempujt që porositen për ndërtim - si nderim dhe kujtim për humbjet individuale. Gjithçka në këtë përmbledhje përcillet nga një ndjenjë botërisht familjare dhe përplot mbushje emocionale, apo natyrshëm politike.

Pjesë e këtij vargu të veprave janë edhe mbi 30 fotografi e skulptura, të shfaqura në katër katet e galerisë Haunch of Venison, në Londër.

Vepra kryesore në këtë ekspozitë, e cila në Londër u hap javën e kaluar, është ajo me tekstin e ndriçuar, të ngjitur në shufra të metalta. Është kjo një vepër madhështore, që ngrihet 6 metra lart, e në të cilën shkruan: A Place Beyond Belief (Një vend i pabesueshëm).

Dhe, kjo është ajo që artisti ka sjellë në Prishtinë, veprën “A Place Beyond Beilef”, dhe të instaluar në qendër të qytetit, për të festuar jo vetëm një ngjarje historike. Kjo vepër e artit madhështon hapësirën ku është vendosur, gjegjësisht ia kthen integritetin katrorit të gjelbër, që dikur mbështeste objektin e Bibliotekës Kombëtare e Universitare, e cila sot është në konflikt me të gjitha llojet e arkitekturës dhe planeve urbanistike. Është kjo hapësira që mban në këmbë agresionin e një kishe ortodokse të lënë përgjysmë, dhe një të objekti tjetër po aq agresiv e gjysmak, por që i takon historisë së sotme.

“A Place Beyond Belief” e kremton shpirtin e njerëzve dhe përcaktimin e tyre për të parë përtej, për të dalë përtej, dhe për të jetuar përtej secilit standard vizual të kontekstit kosovar.

Sipas Coley’t, “A Place Beyond Belief” sugjeron rëndësinë e besimit, jo të definuar nga një moral strikt apo nga ndonjë kod religjioz, por më shumë besimin në humanitet - në të gjitha paraqitjet e tij individuale dhe kolektive.

Vepra “A Place Beyond Belief” do të zbulohet të martën (sot), në praninë e vet artistit, dhe të dhjetëra fytyrave eminente politike e kulturore, për të shënuar kështu Fundin e Pavarësisë së Mbikëqyrur të Kosovës.

Në një notë verbale, presidenti Martti Ahtisaari, për veprën e Coley’t është shprehur:

“Kjo vepër e re artistike e Nathan Coley do të mund të shndërrohet në simbolin e këtij kapitulli të ri për Kosovën”.

Vepra “A Place Beyond Belief” është iniciuar dhe është mundësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, British Council, Kosovo Talks EU, dhe nga Galeria e Arteve e Kosovës. Qëllim i përbashkët ishte shënimi i Fundit të Pavarësisë së Mbikëqyrur të Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›