E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vend ku ndodh... vetëm politikë

ATSH dhe AFP tregojnë në një ditë ngjarjet e 2008-s. Në rreth 85 fotografi u paraqitën aspekte të ndryshme të jetës nga vendi dhe bota. AFP prezantoi momentet më interesante të vitit, ATSH, arritjet e qeverisë


Ekspozita e përbashkët e Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe Agjencisë Franceze të Lajmeve, "Shqipëria dhe bota në 2008" qëndroi e hapur vetëm një ditë. Në sallën e vogël të Galerisë Kombëtare të Arteve u ekspozuan rreth 85 fotografi me pamje nga Shqipëria dhe bota. Titulli i saj sugjeron një ekspozitë me ngjarje të ndodhura në 2008-n, por realisht nuk ishte kështu. Ishte gjetur vend edhe për fotografi të hershme të ATSH-së apo edhe të ngjarjeve të dy viteve të fundit.


Temat e zgjedhura nga të dyja agjencitë për këtë ekspozitë të përbashkët ndryshonin nga njëra tjetra. Fotot e ATSH-së tentonin të jepnin një panoramë të përgjithshme të realitetit shqiptar kurse AFP kishte përzgjedhur momente jo vetëm nga 2008-a por edhe të disa viteve të mëparshme.


Agjencia Franceze i kishte kushtuar dy fotografi Presidentit të saj, Nicolas Sarkozy së bashku me bashkëshorten, Carla Bruni-Sarkozy. Një shenjë nderimi jo me foto zyrtare por të jetës së përditshme. Në përzgjedhjen shqiptare të bënte përshtypje mungesa e portretit të presidentit të republikës, Bamir Topi, i cili e mori detyrën pothuajse në të njëjtën kohë me presidentin francez, në vitin 2007. Për të "ekuilibruar" atmosferën ATSH kishte vendosur fotografitë e kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha. Këto të dyja nuk lidheshim me asnjë prej ngjarjeve të rëndësishme të vitit që shkoi. Në njërën paraqitej kryeministri gjatë një interviste në një stacion televiziv (emri i të cilit nuk ishte shkruar në diçiturë dhe as lexohej në foto).

Tjetra kishte të bënte me një ngjarje të madhe të futbollit shqiptar, ardhjen e skuadrës italiane "AC Milan". Edhe ky moment është politizuar "si duhet": një foto e përbashkët me zv/presidentin e "Milanit", Adriano Galliani, ku tregohet një fanellë e skuadrës që mban numrin 1 dhe emrin Berisha.


Nuk mungonte në ekspozitë momenti historik për SHBA, betimi i Presidentit të 44, Barack Obama që mbyllte profilin politik të agjencisë franceze.


Një hapësirë të madhe i kishte kushtuar ATSH-ja, ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, të cilën e paraqiste si një nga arritjet më të mëdha të viteve të fundit. Janë shtatë foto të cilat më shumë tregojnë punime në tunelin Thirrë-Kalimash. Diçitura shpjegojnë vështirësinë e punimeve në disa raste japin edhe vlerën financiare të projekteve, siç është rasti i Hidrocentralit të Kalivaçit për të cilin ishte shënuar vlera 200 milionë euro.
Arritje të Shqipërisë (!) ATSH-ja kishte cilësuar edhe ndërtimin e Metrosë moderne në qytetin italian të Torinos, e cila në fakt "po ndërtohet nga biznesmeni shqiptar, Adrian Kasa".


Tek "Shqipëria dhe bota në 2008" ATSH kishte përfshirë çfarë të mundte. Fotografi që tregonin dhe nuk tregonin asgjë. Për shembull, ngjarjes më të rëndësishme që kombi shqiptar anembanë përjetoi shkurtin e kaluar, Pavarësia e Kosovës, i ishte kushtuar vetëm një foto, ndërsa nga AFP dy.


Prania e politikës ishte në raport të zhdrejtë me fusha të tjera si kultura e cila paraqitej me zhvillimet e saj fare periferike.

Peizazhet malore dhe të bregdetit ishin të vetmet "vepra arti" ku nuk hyn dora e njeriut shqiptar. Si përfaqësues i spektaklit të gjallë duhej të ishte zgjedhur edhe një foto e pavend e kitaristit Bledar Sejko teksa i binte kitarrës me gjuhë. Po kështu, edhe momenti i marrjes së çertifikatës "Guinness" nga rekordmeni shqiptar Saimir Strati.

Edhe AFP kishte prezantuar një rekord "Guinness", por të një natyre tjetër. Njeriun më të gjatë në botë Bao Xishun. 2,36 metër.
Pa kursim, siç mund të kuptohet, i kishte AFP-ja fotot për kulturën franceze dhe atë botërore, zgjedhja e të cilave dukej të jetë bërë me shumë finesë.

Mes të tjerash gjendeshin fotografitë e sfilatave superluksoze të dy emrave të njohur të modës Carl Lagerfeld dhe Pierre Cardin, njëra e realizuar dhe në shkretëtirë.
Nuk mund të mungonte në galerinë e AFP-së momenti kur aktorja franceze Marion Cotillard fitoi çmimin Oscar më 2008.


ATSH e ka shfrytëzuar këtë rast për të ekspozuar edhe fotografi të vjetra bardh e zi. Por edhe kjo zgjedhje nuk paraqiste fotografi që kanë përjetësuar ngjarje.

Pothuajse të gjitha ishin fotografi artistike, si p.sh, ura mbi lumin Mat e cila paraqitej si një nga më të vjetrat në Shqipëri (fotografia ishte vendosur pranë atyre të rrugës Durrës-Kukës). Një tjetër tregonte një këmbë të zbathur teksa punon tokën me bel, pak më tutje një zog duke pirë ujë në një rubinet çezme. Me tej akoma temat e fotografive të ATSH-së përzihen si mos më keq:

Panorama të kryeqytetit (dy ditën, një natën), perspektiva të ndryshme të Sheshit Skënderbe, objekte arkeologjike, objekte kulti (në ndryshim nga ato të AFP-së që tregonin tempuj plot me njerëz, fotot e ATSH paraqisnin objekte fetare të boshatisura) dhe pak centimetra më tej një shtrëngim duarsh mes krerëve të dy komuniteteve më të mëdha fetarë në vend, Ortodoks dhe Musliman. Fotografi që ilustron tolerancën fetare, një nga cilësitë me të të cilat krenohemi si komb.


Violinistja Elena Korzhenevich koncert në Akademinë e Arteve
Orkestra Simfonike e RTSH-së kë ftuar në koncertin e radhës violinisten ruse Elena Korzhenevich. Koncerti në kuadër të Stinës Koncertore 2008-2009 është nesër në orën 19:00 në sallën e Akademisë së Arteve. Në program janë pjesë të autorëve të njohur klasikë si Tchaikovsky, nga i cili do të interpretohet "Overtur dhe Fantazi" nga "Romeo dhe Juliet". Nga Bethoven do të interpretohen "Romancë" dhe "Fantazi". Koncerti dirigjohet nga Oleg Arapi.


---------------------------------------------------------------------------------

"Marubi" shfaq Aki Kaurismäkin

Filmi i së enjtes që Akademia e Filmit dhe të Multimedias shfaq këtë javë është "Calamari Union", i regjisorit finlandez Aki Kaurismäki. Është historia e 17 burrave të quajtur Franko. Qëllimi i tyre është sigurimi i një paqeje simbolike. Ata ndërmarrin një udhëtim paqësor përgjatë qytetit të Helsinkit. Gjatë rrugës njëri prej tyre qëllohet dhe të tjerët ndahen. Vetëm dy arrijnë të shkojnë në bregdet, ku konstatojnë se deti është i mbushur me peshq të ngordhur. Komedia është prodhim i vitit 1985, zgjat 78 minuta dhe shoqërohet me titra në anglisht.


-----------------------------------------------------------------------------------------

Studentë e Fakultetit të Muzikës në koncert

Stina Koncertore e Pranverës në Akademinë e Arteve prezanton koncertin "Vokal Instrumental" të studentëve të fakultetit të muzikës. Sot në orën 19:00 në sallën e Akademisë së Arteve studentët nën drejtimin e dirigjentit Alqi Lepuri interpretojnë pjesë të repertorit shqiptar dhe të huaj. Merita Balliu interpreton pjesën për piano "Come sei veramente" të Giovani Allevi si dhe "Në fillim të verës" nga Kujtim Laro. Dorina Laro luan në violonçel "Lule të kuqe, lule të zeza", një bashkëkompozim i Kujtim Laros dhe Endri Sinës. Sopranoja Emiliana Palushi interpreton romancën "Eja vashë" të Lola Gjokës. Solistët shoqërohen nga orkestra simfonike e studentëve të Akademisë së Arteve.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›