E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncimi kundër policëve për ngacmim seksual, prokuroria nis hetimin

Nga ana e përfaqësuesve të akuzës është hedhur poshtë pretendimi për presion mbi 26-vjeçaren

GJIROKASTËR- Prokuroria e rrethit Gjirokastër po heton mbi pretendimet e ngritura nga 26-vjeçarja me shtetësi franceze, Marjola Karagjozi Bonnet ndaj tri efektivave të Sektorit të Qarkullimit Rrugor.

Burime zyrtare nga organi i akuzës në Gjirokastër kanë bërë të ditur për "Shekulli"-n se në datën 26 shkurt oficerë të policisë gjyqësore kanë nisur procedurat hetimore për të hedhur dritë mbi ngjarjen.

Të njëjtat burime kanë hedhur poshtë pretendimet e Karagjozit se njëri prej oficerëve gjyqësorë ka ushtruar presion psikologjik tek ajo në seancat pyetësore gjatë dhe pas kallëzimit penal.

"Pas depozitimit të kallëzimit nga ana e shtetases, nga instutucioni ynë nisi procesi hetimor. Nuk mund të deklarojmë asgjë më shumë në lidhje me këtë çështje, pasi gjithçka është në procedurë", shprehet kryeprokurori Alfred Saliu.

Ndërkaq, burime konfidenciale bëjnë të ditur se në lidhje me këtë çështje janë pyetur edhe tri uniformat blu, persona të akuzuar nga 26-vjeçarja për ushtrim dhune fizike, psikologjike, madje deri në ngacmime seksuale.

Nga ky institucion po hetohet edhe lidhur me pretendimet e policisë, për drejtim automjeti pa leje qarkullimi nga ana e Marjola Karagjozi Bonnet.

Një ditë pas denoncimit publik, 26-vjeçarja Bonnet është shprehur mjaft e zhgënjyer nga reagimi i policisë për ngjarjen, duke thënë se "nuk vuaj as për grada dhe as për të bërë shfaqje. E vetmja gjë që dua është të vihet nderi im në vend".

Këshilltari ligjor i saj, Bernard Aliko, është shprehur se "pas njohjes me ngjarjen e datës 23 shkurt, në rastin e dytë të shoqërimit të saj për në polici, në datën 26 shkurt, kam shkuar për të qenë i pranishëm, por nuk jam lejuar të hyja brenda mjediseve të komisariatit".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›