E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një verë e qetë për kriminelët e komunizmit

Mbaroi dhe një sesion tjetër i parlamentit shqiptar dhe ish-komunistët, kriminelët dhe dëshmitarët e gjyqeve politike do të shkojnë edhe këtë herë për të bërë pushimet verore të qetë. Ligji për hapjen e dosjeve dhe dënimin e krimeve të sistemit komunist me gjithë angazhimin e mazhorancës për kalimin e ligjit në sesionin që sapo mbaroi, u sabotua nga partitë e majta. Megjithëse për rreth një muaj mazhoranca kërkoi konsensusin e opozitës për miratimin sa më parë të këtij ligji, edhe sipas udhëzimeve të Këshillit Evropian, të majtët, me një strategji të qartë, vononin dita-ditës konsensusin në parim, deri ditën kur në mënyrë të turpshme dolën nga mbledhja e komisionit. Atëherë, përse mazhoranca nuk e aprovoi ligjin vetëm me votat e saj, të cilat ishin të mjaftueshme? Është më se e sigurt që opozita kurrë nuk do ta japë konsensusin mbi këtë ligj, sepse do të thoshte vetëdenoncim dhe vetëshkatërrim. Bashkërelatori i këtij projektligji, deputeti Aldo Bumçi, deklaroi se “nëse deri në shtator opozita nuk do ta japë konsensusin, atëherë mazhoranca do ta kalojë vetë në votim këtë ligj.” Në të njëjtin qëndrim është dhe kryetari i grupit parlamentar të PD, deputeti Patozi, duke theksuar se “do apo nuk do opozita, ky ligj do të kalojë sezonin tjetër për miratim”.

Përse ka frikë opozita të hapë dosjet e atyre që merren me politikë dhe bëjnë jetë publike? Nëse ata janë vërtet të pastër, s’kanë përse të kenë frikë. Ne nuk kërkojmë të persekutojmë njeri. Ne kërkojmë pastrimin e jetës sonë politike e sociale. Ne nuk kërkojmë të dënojmë asnjë që ka zbatuar ligjet e asaj kohe, paçka se kanë qenë ligje kriminale. Ne kërkojmë të denoncojmë ata që kanë tejkaluar këto ligje. Ata që në emër të ligjit kanë ushtruar dhunë fizike dhe terror psikologjik mbi ish-të përndjekurit. Ata që me dëshmitë e rreme kanë çuar përpara togave të pushkatimit poetë dhe mësues, avokatë, dijetarë e patriotë. Ata që kanë abuzuar me nënat, motrat e vajzat e atyre që i arrestonin. Ata që me dëshmitë e rreme çuan nëpër kampet famëkeqe të burgimit e të punës ajkën e rinisë shqiptare, faji i vetëm i të cilëve ishte se donin një Shqipëri të lirë dhe evropiane. Ja, këtë kërkojmë ne ish-të përndjekurit politikë. Atëherë, përse ka frikë opozita të aprovojë një ligj të tillë? Do të ishte në nderin e saj të kërkonte sa më shpejt aprovimin jo vetëm të këtij ligji, por dhe të ushtronte trysni mbi qeverinë dhe mazhorancën për integrimin sa më të shpejtë të asaj shtrese, të cilët viti ‘91 i gjeti të rrënuar. Por, nëse nuk e bën këtë, do të thotë që opozitarët e sotëm ose prindërit e tyre janë të inkriminuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›