Berisha braktis ceremoninë e betimit të ministrave në Presidencë
Vetë kryeministri Berisha ka preferuar të presë mbledhjen e qeverisë për t’i uruar ministrat e sapoemëruar. Në mbledhjen e parë të kabinetit “Berisha 4”, kryeministri ka uruar ministrat e rinj dhe ka kërkuar si zakonisht në këto tre vite reforma të thella në arsim dhe shëndetësi, natyrisht pa lënë pa përmendur dhe arritjet e qeverisë së tij dhe vetëdijen e shqiptarëve për këto arritje, vetëdije që kryeministri preferon ta përsërisë shpesh. “Shqiptarët sot, janë të vetëdijshëm se shkollat dhe sistemi arsimor është një nga sektorët që ka ndryshuar më shumë në këto tre vjet. Kështu, u vendos Matura Shtetërore, një standard shumë i rëndësishëm për vendin. Një arsim modern dhe praktikë e re kjo, tërësisht e pacenuar nga korrupsioni, zëvendësoi praktikën e korruptuar të pranimeve në universitete. Gjithashtu, u bënë përpjekje serioze për reformimin e arsimit të lartë dhe sukseset janë të qartë. Projekti i shtrirjes së internetit në të gjitha shkolla po ecën më shpejt se sa ishte parashikuar. Zoti Fatos Beja, një nga politikanët më të sprovuar, por njëkohësisht një personalitet me background universitar dhe që e njeh arsimin, do të vazhdojë thellimin e këtyre reformave të rëndësishme. Reformimi i arsimit, konsolidimi i tij është jetik për të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Në këtë drejtim, jam i bindur se zoti Beja do ta shtyjë përpara këtë proces”, - tha Berisha.