Kisha ruse kërkon dënimin e krimeve të komunizmit
Ky udhëtim kombëtar nëpër histori u përcoll nga shembja e komunizmit e pastaj nga shembja e Bashkimit Sovjetik. Presidenti i parë i Rusisë, Boris Yeltsin, evoluoi si një antikomunist pasionant dhe dëboi sundimin e frikës dhe shtypjes që kishte pllakosur kombin për shtatë dekada. Gjatë viteve që erdhën, qeveria dhe organizatat publike filluan të rregullojnë raportet historike.
Por, presidenti i ardhshëm i Rusisë, Vladimir Putin, e distancoi veten nga pikëpamja e paraardhësit të tij. Gjatë presidencës së tij, antikomunizmit iu zvogëlua fuqishëm rëndësia. Disa simbole komuniste, duke përfshirë himnin kombëtar të Stalinit, u kthyen dhe referencat ndaj krimeve të Stalinit, u zhdukën nga diskursi zyrtar. Retorika qeveritare e promovimit të Rusisë si një shtet i fortë dhe paralajmërimet për botën armiqësore perëndimore, e cila dëshiron ta dëmtojë shtetin, e rritën admirimin për Stalinin, i cili në fakt kurrë nuk vdiq tërësisht gjatë viteve postkomuniste dhe një nostalgji e vërtetë për kohërat sovjetike. Iniciativa antikomuniste e Kishës mund t’u shërbejë interesave të udhëheqjes ruse, e cila duket se kërkon mënyra për ta denoncuar komunizmin e, në anën tjetër, t’u ikë pyetjeve rreth regjimit të sotëm dhe lidhjet e tij me të kaluarën komuniste.
Interesi në denoncimin e komunizmit mund të ketë të bëjë me apelet nga ish-shtetet sovjetike për një dënim ndërkombëtar të masakrave dhe krimeve të tjera të kryera në territoret e tyre nga ana e regjimit sovjetik. Ukraina, për shembull, kërkon të mbajë Rusinë përgjegjëse për urinë e madhe të fshatarëve të saj gjatë kolektivizimit të Stalinit. Zyrtarët rusë mund të nxjerrin tym, por nuk janë në pozitë që të thonë se numri i të vdekurve është fals, aq më pak ngaqë fshatarët rusë ishin viktima të krimeve të njëjta. Andaj, dredhia e Rusisë do të ishte t’i pranojë këto krime, por të mos e merrte fajin, se mos Ukraina apo shtetet e tjera do kërkojnë kompensim.
Kisha, aleatja tradicionale e shtetit, është një kandidate e përshtatshme për këtë mision. Për shkak të bashkëpunimit famëkeq të saj me regjimin sovjetik, ka arsyet e veta që të mos shkojë shumë thellë në denoncimin e komunizmit. Në një sërë deklaratash gjatë javëve të kaluara, një zëdhënës i Kishës kërkoi që qeveria, me shprehje shumë të përgjithshme, të nderojë kujtimin e viktimave; të ndërrojë emrat e qyteteve dhe rrugëve që kanë lidhje me figurat e shquara komuniste në të kaluarën; që të heqë “statujat e udhëheqësve gjakpirës nga sheshet”, e më shumë. Ky “dekomunizim” nuk përmendi Stalinin apo kryesit e Tmerrit të Madh, apo forcat monstruoze të sigurimit të shtetit që torturuan dhe ekzekutuan miliona, me urdhër të Partisë Komuniste.
Thirrja e Kishës për dekomunizim ndihmon që shteti edhe më tej të margjinalizojë përpjekjet publike të udhëhequra nga Memoriali, grupi rus për të drejtat e njeriut, i cili, që nga fundi i viteve ’80 ka hulumtuar dhe publikuar informata mbi krimet komuniste. Ndryshe nga Kisha Ortodokse Ruse, Memoriali nuk do ta mbante denoncimin e komunizmit përbrenda ‘kufijve të arsyeshëm.” Nuk është çudi që fushata antikomuniste e Kishës jep përshtypjen se Kisha është e vetmja organizatë që merret me kundërshtimin e tmerreve komuniste. Kremlini i Putinit vazhdimisht shtrëngoi organizatat që nuk donin ta komprometonin autonominë e tyre dhe të cilat kishin axhenda që nuk përshtateshin me vijën zyrtare. Në kohën e fundit, Memoriali ka ngritur brenga të reja: ashtu si më tregoi kryetari i Bordit të Memorialit, Arseny Roginski, përkrahja publike për këtë organizatë është rritur. Përkrahja e iniciativave antistaliniste, shpjegon ai, mund të shihet si një formë e butë e opozitës nga njerëz, të cilët e shohin aktivitetin e hapur politik si të rrezikshëm dhe të kotë. Për shembull, themelimi i një memoriali kombëtar për viktimat e Gulagut, sërish është temë e diskutimit publik. Gorbachev dhe figurat e tjera të shquara publike po marrin një rol aktiv. Dhe “Novaya Gazeta”, gazetë e cila është pjesërisht e Gorbachev-it, ka publikuar një seri këtë vit, që iu përkushtohej viktimave dhe pjesëmarrësve në Tmerrin e Madh.
Interesi ndaj anës së errët të historisë sovjetike tani është modest krahasuar me etjen kombëtare në fund të viteve ‘80 për të vërtetën rreth krimeve të regjimit sovjetik. Por mund të jetë e mjaftueshme që të bëjë që Kremlini të dëshirojë të përvetësojë apo të kontrollojë interesime të tilla. Nëse plani i saj në fakt është të punësojë Kishën në një fushatë të butë antikomuniste, e me këtë të margjinalizojë Memorialin, qeveria ka fuqinë dhe burimet ta bëjë këtë. Natyrisht, edhe një dënim i kufizuar i komunizmit sovjetik është më mirë se asgjë, por këto gjysmë punë politike nuk mund të zëvendësojnë një përpjekje kombëtare që të ballafaqohet historia e Rusisë.
Autorja është redaktore e revistës “Pro et Contra” të qendrës “Carnegie” të Moskës, shkruan artikuj mujorë për “The Washington Post”