Një vit pa Martin Canin, flet babai, Ëngjëll Cani: Jemi të dërrmuar, mungesë e madhe. Do hapet muze me emrin e tij

Ëngjëll Cani, babai i Martin Canit, i cili mbeti i vrarë me thikën vitin e kaluar në shkollën “Fan Noli” në Tiranë ka rrëfyer dhimbjen për humbjen e tij të birit.
Duke folur për mikrofonin e RTSH-së, në emisionin “Në Kohë Reale”, Ëngjëll Cani tha se humbja e Martinit është një humbje e madhe, dhe mungesën e tij e ndjen familja, lagjja e shoqëria.
“Kanë kaluar një vit dhe ne jemi shumë të dërrmuar dhe shumë të stresuar. E ndiejmë dhimbjen e Martinit, e ndjen lagjja dhe shoqëria e tij dhe gjithë të afërmit. Është një mungesë e madhe për familjen tonë dhe një ngjarje tragjike që shpresoj të mos përsëritet te asnjë njeri dhe askush të mos ketë shembullin e Martinit. Martini ishte vetëm 14 vjeç dhe meritonte të jetonte, ishte një djalë që ishte rreze drite, i qeshur, i buzëqeshur, sportist, dashamirës i futbollit. Martini është gjithmonë i pranishëm në zemrën tonë dhe në ëndrrat tona dhe i kemi dedikuar se ëndrra vazhdon”, u shpreh Ëngjëll Cani.
Ai bëri të ditur se po ndërtohet një fushë futbolli me emrin e tij ku pranë fushës do të jetë edhe një kënd edukimi, në të cilën do t’u mësohet fëmijëve që të mos përdorin thika apo mjete të forta.
“Dua të gjej rastin këtu që të falënderoj edhe presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armando Duka së bashku me bashkëpunëtorët e tij kanë ndërmarrë iniciativën që të ndërtojnë fushën me emrin “Martin Cani”. Kjo fushë po realizohet, vetëm kanë mbetur disa detaje të vogla, që është shtrimi i barit dhe kjo fushë është në proces që mund të lozin fëmijët dhe ta kujtojnë Martinin.
Do të jetë fotografitë e tij, po të shikoni në uebsajte, martinicani.al, aty do të jetë një kënd ku do të ulen të gjithë fëmijët që do të marrin mësime që të mos mbajnë thika dhe sende të forta plus edhe bashkëshortja ime mund të japë mësim sepse ajo ka qenë mësuese që të mos ndodhnin gjëra të tilla, apo të kemi këto lloj tragjedish sepse pas ngjarjes së Martinit kanë ndodhur shumë ngjarje të tjera”, theksoi më tej Ëngjëll Cani.
Ai u shpreh më tej se “Martini nuk është vetëm i imi por u përket të gjithë shqiptarëve dhe do të jetë një simbol i rinisë që rinia të jetë gjithnjë e buzëqeshur”.
I pyetur se kur mund të përfundojë muzeu me emrin e Martinit, Ëngjëll Cani tha se shpreson të përfundojë me rastin e ditëlindjes së Martin Canit, më 13 prill.
“Shpresojmë për ditëlindje të Martinit derisa fusha po rregullohet, që është më 13 prill, ta mbajmë gjallë figurën e Martinit, ta kalojmë këtë tragjedi sadopak, sepse ajo nuk ikën gjithë jetës”, tha i ati i Martin Canit për mikrofonin e RTSH-së.
/rtsh.al/