E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet intensive të shiut – Situata mbetet emergjente, në veri të vendit, uji “përpin” banesat

Përmbytje të tokave bujqësore, prezencë uji në banesa dhe biznese është situata e raportuar kryesisht në qarkun e Lezhës, Bashkia Kurbin, si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet të dendur.

Rreth 80 familje në fshatin Shpërdhet mbeten të izoluara, pasi prurjet e mëdha të lumit Drojë kanë shembur rrugën hyrëse në një gjatësi prej rreth 100 metrash.

“E gjithë lagjja jemi bllokuar. Jemi rreth 80 familje dhe jemi të bllokuar”, shprehen banorët.

“Zonat problematike ku ne po ndërhyjmë është në fshatin Zhej, për shkak të prurjeve të menjëhershme të përrenjve nga malet. Problemi kemi pasur edhe me argjinaturën e lumit Drojë”, tha Kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara,

Vështirësi të mëdha raportohen edhe në rrugën që lidh fshatin Gallatë me Vinjollin në Kurbin, e cila vijon të jetë e bllokuar si pasojë e vërshimit të ujërave malorë që kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën.

Në qarkun Durrës, në Sukth janë prekur disa banesa në fshatrat Kullë, Hamallë dhe Rrushkull, ku ka edhe rrugë të bllokuara. Në Manzë raportohen rreth 48 shtëpi me prani uji.

Situata janë shënuar edhe në Tropojë, Kukës, në aksin Skurraj–Burrel, me rënie gurësh dhe inertesh në trupin e rrugës. Edhe në akset Ersekë–Leskovik–3 Urat, Elbasan–Rrogozhinë–Qafë Thanë ka pasur rënie inertesh. Grupet e punës së ARRSH janë në terren, ndërkohë edhe punonjës të policisë rrugore.

Për sa i përket furnizimit me energji elektrike, OSSH ka vënë në dispozicion rreth 1500 punonjës. Aktualisht janë jashtë pune 26 fidera të rrjetit të tensionit të mesëm. Rrjeti që furnizon hidrovorët është funksional dhe pa defekte, ndërsa po mbahet nën monitorim situata në Fierzë ku parashikohen reshje deri në 80 mm dhe në Koman–Vau i Dejës ku parashikohen rreth 130 mm reshje në basen. Furnizimi me ujë është normal në të gjithë vendin.

Në porte, probleme me ankorimin pati vetëm në Vlorë, ku trageti që vinte nga Brindizi priti 4 orë në radë, ndërkohë Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nuk raporton probleme apo ndërprerje të operimeve.

RTSH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›