Ndërprerja globale e “Cloudflare”, AKSK u kërkon bizneseve dhe institucioneve të monitorojnë shërbimet

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) kërkoi sot rritjen e vigjilencës dhe monitorim të detajuar të shërbimeve digjitale pas një incidenti të rëndë global që preku platformën ndërkombëtare “Cloudflare”. Kjo ndërprerje e papritur preku qindra mijëra faqe interneti dhe shërbime online në mbarë botën, duke shkaktuar probleme aksesi edhe në Shqipëri.
Incidenti dhe pasojat në vend
Sipas njoftimit të lëshuar nga Cloudflare, problematika teknike ndodhi sot, më 18 nëntor, rreth orës 12:48. Defekti ndikoi në disponueshmërinë e disa shërbimeve thelbësore të platformës, si rrjeti global Edge dhe API-të, duke shkaktuar vështirësi në aksesimin e shërbimeve digjitale.
AKSK konfirmoi se ndërprerja shkaktoi probleme të ngjashme edhe në Shqipëri, duke prekur disa institucione dhe sektorë që përdorin shërbimet e kësaj platforme.
Edhe pse Cloudflare raportoi se përgjigja ishte e shpejtë dhe se rreth orës 15:42 po punohej për rikthimin e shërbimeve në normalitet, Autoriteti kërkon kujdes maksimal.
Kujdesi i kërkuar nga AKSK
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike bën thirrje për rritje të kujdesit te të gjithë përdoruesit e platformës, sidomos te ato subjekte që ofrojnë shërbime kritike.
Kërkesat kryesore të AKSK-së janë monitorim i vazhdueshëm dhe se përdoruesit duhet të monitorojnë me kujdes nëse shërbimet e prekura kanë funksionuar siç duhet pas rikthimit në funksion.
Rekomandohet identifikimi i menjëhershëm i mundësive për të siguruar funksionimin bazë të shërbimeve, në rast se problemet e shërbimit të Cloudflare do të vazhdojnë në të ardhmen.
AKSK theksoi angazhimin e tij të vazhdueshëm për “garantimin e sigurisë kibernetike të infrastrukturave të informacionit dhe për informimin në kohë reale të publikut mbi çdo rrezik të mundshëm”, duke treguar rëndësinë e reagimit të shpejtë kombëtar ndaj incidenteve globale.”
/rtsh.al/