Një vit pa legjendën Panajot Pano

Një vit më parë, më 19 janar 2010, u shua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pasojë e një ataku kardiak, në moshën 71-vjeçare zemra e legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano, ish-sulmuesi i Partizanit dhe i Kombëtares. Ai vlerësohet si njëri nga futbollistët më të mëdhenj të Shqipërisë. Djaloshi Pano e nisi karrierën e tij si portier, por cilësitë e tij të rralla e shndërruan atë si sulmuesin më të madh me fanellën e Tiranës e Partizanit, përpos ndonjë ndeshje ndërkombëtare si i huazuar me Dinamon. Dikush në Shqipëri e quan një “Pele shqiptar”, një tjetër një “Pushkash i vogël”. Një i tretë e konsideron magjistar përpara portës si një “Gerd Myler në versionin shqiptar”. I zbuluar nga “profesori pa diplomë”, Xhavit Demneri, Joti, katër herë kampion i Shqipërisë (1961, 1962-1963, 1963-1964) dhe pesë herë fitues i Kupë të Shqipërisë (1961, 1964, 1966, 1968, 1975), autor i mbi 100 golave ndërkombëtarë, e mbi 500 të tillë në 700 ndeshje gjatë karrierës së tij të gjatë futbollistike, u nda nga fusha e blertë 35-vjet më parë, në vitin 1975, por të qenë përjetësisht e lidhur me të. “Nëse Panajot Pano ndoshta nuk mund të më kujtojë më, unë e kam parasysh atë gjithmonë”, - është shprehur dikur për shtypin gjerman “Kaizeri”, Franc Bekenbauer, legjenda e madhe e futbollit botëror dhe Gjermanisë, për atë performancë të jashtëzakonshme “Jotit” në ndeshjen e Shqipërisë kundër Gjermanisë në vitin 1971. “I shpejtë si era, energjik, depërtues, i papërmbajtshëm, bomber i vërtetë”. Këto janë disa nga përcaktimet e bëra nga gazetarët dhe radiokronistët e kohës, për Panajot Panon, legjendën e futbollit shqiptar dhe ish-futbollisti i famshëm i Partizanit, që, gjatë karrierës së tij futbollistike, njeriun që ka luajtur mbi 700 ndeshje, 100 prej të cilave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato miqësore të klubeve dhe ekipeve Kombëtare dhe Olimpike. Pano ka luajtur dhe ka shkëlqyer kundër lojtarëve të mëdhenj nga Gjermania, Jugosllavia, Polonia, Turqia apo Bullgaria. Ish-sulmuesi i madh nuk mundi të luajë për asnjë ekip të huaj, edhe pse pati disa oferta nga vëzhgues nga Gjermania, Holanda, Danimarka, Zvicra, Irlanda e Veriut, apo Turqia, të ardhur së bashku me ekipet e tyre Kombëtare për llogari të klubeve të huaja. “Unë të them të drejtën kam pasur lidhje me shumë politikanë në atë kohë, anëtarët e byrosë që kanë qenë atëherë, me përjashtim të Enver Hoxhës, që nuk e kam takuar asnjëherë, por me të gjithë të tjerët si Ramiz Alia, Petrit Dume, Beqir Balluku, Adil, Çarçani e shumë të tjerë jam takuar shpesh, sepse ato vinin te klubi “Partizani” dhe luanin tenis. Ne shkonim dhe i shikonim, ndërsa ata na përkrahnin në të gjitha mënyrat për rritjen e cilësisë sportive në futboll”, - tha gjatë një interviste për “Albania”-n, Panajot Pano, një vit para se të ndahej nga jeta.
Në nëntor të vitit 2003, me rastin e jubileut të UEFA-s, ai u shpall “Lojtari i artë” i Federatës Shqiptare të Futbollit. Në vitin 2005, ai u shpall “Futbollisti i më i mirë i shekullit”, një listë kjo e publikuar nga FIFA me 100 sportistë nga një për çdo vend, ndërkohë që vitin e kaluar, pikërisht më rastin e 70-vjetorit të lindjes, u nderua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me medaljen “Nderi i Kombit” - medalja e tij e tetë personale. “Panajot Pano nuk ka qenë vetëm një personazh brilant i sportit, por dhe një njeri shumë i respektuar, një njeri me të gjitha parametrat qytetare”, - u shpreh Topi, një ish-president nderi i Klubit të Futbollit “Tirana”. “Mjeshtri i Merituar i Sportit, Panajot Pano, mbetet sportisti më popullor në Shqipëri, një “Pele” shqiptar. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në mbledhjen e kabinetit të tij, e shpalli ditë zie kombëtare ditën e zhvillimit të ceremonialit funebër në nderim të legjendës shqiptare të futbollit, Panajot Pano. Homazhe për Panajot Panon, katër herë kampion i Shqipërisë, pesë herë fitues i Kupës së Republikës, autor i 4 golave në 24 ndeshje me Kombëtaren, autori i golit të parë të Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatit Europian 1964, në fitoren 1-0 kundër Danimarkës, do të kryejnë figurat më të larta të vendit, përfshirë Presidentin e Republikës, Bamir Topin, kryeministrin Sali Berisha, ministra të kabinetit, njerëz të botës së sportit, tifozë por dhe njerëz të thjeshtë.
Panajot Pano
(7 mars 1939-19 janar 2010)
EKIPET
1955-1957: “17 nëntori” (të rinjtë)
1957-1959: “17 nëntori” (të rriturit)
1960-1975” Partizani
1962: Dinamo (për Kupën Ballkanike)
TROFE KOLEKTIVË
4 herë më Partizanin: 1961, 1962-1963, 1963-1964, 1970-1971
5 herë fitues i Kupës së Shqipërisë: 1961, 1964, 1966, 1970, 1973
TROFE INDIVIDUALË
3 herë golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar: 1960 (12 gola), 1961 (17 gola), 1969-1970 (17 gola).
MEDALJET NDËRKOMBËTARE
Medalje argjendi në Turneun e Ushtrive të Lindjes, Hanoi 1963
TITUJ SPORTIVË
“Mjeshtër Sporti”
“Mjeshtër i Merituar i Sportit”
“Nder i Sportit Shqiptar”
DEKORATAT
Urdhri i Artë “Mjeshtër i madh”
Urdhri i Punës i Klasit të II-të
Urdhri i “Naim Frashëri” i Klasit të III-të
Urdhri i “Naim Frashëri” i Klasit të II-të
Urdhri i “Naim Frashëri” i Klasit të I-rë
Urdhri i Artë “Naim Frashëri”
Medalja e Meritës për 100-vjetorin e FIFA-s
Medalja “Nderi i Kombit”
I ZGJEDHUR
President Nderi i Klubit të Futbollit “Partizani”
President Nderi i FSHF-së
- Hobi: muzika popullore shqiptare dhe ajo greke.
- Idhulli: si futbollist, Pele; si skuadër, Gjermania.
- Karriera si futbollist: e filloi në vitin 1954 dhe e mbylli në maj 1975.
- Trajnerët që e kanë stërvitur: A.Karapici (në moshën 14-15 vjeçare), Xh.Demneri (16-17), M.Alla (18-19), R.Spahiu (trajneri i parë te Partizani), L.Boriçi, R.Resmja, K.Kraja, B.Birçe, I.Shuke, Z.Konçi (trajneri i parë me kombëtaren), Bolanesku (rumun).
“Golden Player”
Panajot Pano është një nga 52 fituesit e çmimit “Golden Player” apo “Lojtari i artë” (të fituar nga një lojtar për çdo vend) dhënë nga UEFA në vitin 2003. Kjo listë me 52 lojtarët më të mirë të kontinentit u hartua me rastin e 50 vjetorit të qeverisë europiane të futbollit dhe nëeë tillë të mëdhenj si italiani Dino Xof, portugezi Eusebio, bullgari Hristo Stojçkov, gjermani Fritz Valter, hungarezi Ferenc Pushkash, anglezi Bobi Mur.
Katër golat e
me Kombëtaren
Goli i parë
Shqipëri-Danimarkë 1-0
Goli i dytë
Shqipëri-Rumani 1-2
Goli i tretë
Shqipëri-Kinë 3-0
Goli i katërt
Kinë-Shqipëri 1-1
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Merkure, 19 Janar 2011