E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një votë që u shërbeu të gjithëve

Hajro Limaj / Studiues

Zhurma e gjithanshme e zgjedhjeve të përgjithshme të 23 Qershorit përfundoi. Shqiptarët ndihen më të qetë dhe më të heshtur në pritje të qeverisë së re, të kryesuar nga Edi Rama. Kanë shpresën e ndryshimit, të vendosjes së ligjit dhe të demokracisë kushtetuese. Ndërsa nga ana tjetër, Partia Demokratike, ka filluar procedurat e zgjedhjes së liderit të ri, në vend të z. Sali Berisha që dha dorëheqjen mbas humbjes së rëndë të 23 qershorit. Për këtë humbje, duke i dhënë të majtës, me në krye Partinë Socialiste, 2 / 3 e kuvendit, pra 84 deputetë, është tronditur dhe nuk mundi të bënte analizat përkatëse. Shumë analistë të djathtë, apo mbështetës të majtë, ata që kanë “pushtuar” në vazhdimësi kanalet televizive, sorollaten me thënie e kundërthënie. Lidershipi i Partisë Demokratike u ndëshkua nga qytetarët shqiptarë, sepse qeveria nr.2 e Sali Berishës, në vitet 2009-2013, nuk u shërbeu atyre dhe nuk jetonte më me hallet dhe problemet e tyre. 

Nëse në 4-vjeçarin e parë pati ritme zhvillimi dhe flitej me këmbë në tokë, në 4- vjeçarin e dytë ranë të gjithë treguesit e domosdoshëm të zhvillimit dhe flitej me këmbët jo në tokë, por nga ajri. Ky ishte shkaku që qeveria Berisha e krahasonte zhvillimin e vendit tonë me shtetet më të fuqishme në Europë, kur ajo në fakt radhitet e fundit edhe në rajonin e Ballkanit. E gjithë vëmendja e qeverisë Berisha u përqendrua në infrastrukturën rrugore, ku me vlerë të veçantë ishte Rruga e Kombit dhe së fundi, tuneli i Elbasanit. Por edhe në këtë fushë nuk pati raporte të drejta midis Veriut dhe Jugut, e cila shprehej në gjendjen katastrofale të rrugës Lushnjë-Berat, Berat-Fier, Fier-Levan, për të mos shkuar në rrugën e Luginës së Mesaplikut, nga Vlora në Kotë-Vranisht-Kuç-Qeparo, rrugë e cila nuk mund të përshkohet as me makinat “Zis”. 

Por qeveria Berisha nuk u ndëshkua vetëm nga këto krahina dhe zona. Ajo u ndëshkua edhe në Qarkun e Shkodrës, e të gjithë Veriun, përveç Kukësit. Pra shkaqet ishin më të thella dhe më të gjera: konfliktet e ashpra politike në Kuvend, pushtimi i të gjitha kanaleve televizive nga pushtetarët, duke i përdorur ato për një luftë të egër psikologjike ndaj kundërshtarëve politikë, kthimi i pushtetit Legjislativ, Kuvendit, në vartësi të pushtetit Ekzekutiv, qeverisë, kur me Kushtetutë është krejtësisht e kundërta e këtij zhvillimi; ngjarja e 21 janarit 2011, me 4 të vdekur dhe mosndëshkimi i as-një fajtori, tejzgjatja e gjykimit të tragjedisë së Gërdecit dhe mosdënimi i aktorëve kryesorë të kësaj drame, pushti-mi i administratës shtetërore nga militantët partiakë dhe papërgjegjshmëria e saj për të realizuar në kohë dhe me cilësi detyrat që i ngarkon ligji dhe që i paguajnë taksa paguesit shqiptarë, vazhdimi për tetë vjet në qeveri i të njëjtit ekip, i shoqëruar me një korrupsion dhe krim ekonomik të paparë, pushtimi i të gjitha pushteteve dhe institucioneve të pavarura, me në krye pushtetin gjyqësor. 

Të gjitha këto janë faktorë që e gërryen përfundimisht legjitimitetin e kësaj mazhorance. Kjo atmosferë mbytëse dhe agresive e detyruan edhe SHBA-në me Bashkimin Europian që të distancoheshin 6 muajt e fundit, dhe direkt ose indi-rekt, të kërkonin rotacionin politik. Pra qeverisja e Partisë Demokratike nuk po e kuptonte që ajo ishte braktisur nga shumica e popullit shqiptar dhe nga aleatët kryesorë të vendit. Nga kjo eufori e tejskajshme nëpërmjet referendumit popullor u ndëshkua në atë masë, saqë asnjë analist apo politikan nuk e parashikonte më parë. Humbjen e parashikonin të gjithë, por me një diferencë shumë të vogël. Por ishte populli, qytetarët shqiptarë që kësaj here menduan më shumë për hallet, të drejtat ekonomike dhe sociale të tyre, për drejtësinë ligjore dhe barazinë para tij. Edhe pse shumë me vonesë, populli i dha mësimin e duhur politikanëve. “Më shërbe të të votoj. Nëse nuk më shërben, të ndëshkoj dhe të largoj nga qeverisja”. Këtë përfundim duhet të ketë në vë-mendje edhe qeveria e re e Edi Ramës që pritet të vijë në qeverisjen e vendit në fillimet e shtatorit. Nëse nuk do të jetë tepër i vëmendshëm dhe i përgjegjshëm, edhe atë do ta ndëshkojë populli mbas 4 vjetësh.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›