Një shans që Shqipëria të hedhë pas tranzicionin
Xhavit Haliti/ Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës
U zhvilluan dhe u konfirmuan rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Shqipërisë. Ndjeshmëria jonë për ecurinë e procesit, përfundimin dhe pranimin e tij nga aktorët relevantë politikë, natyrshëm, ka qenë e konsiderueshme. Kjo ndjeshmëri është tërësisht legjitime, ngaqë degët e kombit janë të interesuara për shëndetin dhe ecurinë e shëndetshme demokratike të trungut të tyre - Republikës së Shqipërisë. Mendoj se pritshmëria jonë për zgjedhjet në Shqipëri u bë brenda kuadrit dhe në realizim të kësaj dëshire. Rotacioni i pushtetit, në zbatim të verdiktit të votës popullore po kryhet në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Procesi i ndërrimit të pushtetit i realizuar pa shqetësime, në rrugë e mjete demokratike ka qenë i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët, por dhe nga politika dhe diplomacia e vendeve demokratike euroatlantike.
Ecuria dhe rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit mendoj dhe besoj se i hapën rrugën një epoke të re në historinë moderne të politikës shqiptare, siç deklaroi menjëherë pas 23 qershorit, ambasadori i SHBA-së në Tiranë. Rezultati befasues i zgjedhjeve në favor të koalicionit të majtë, mendoj se ishte jo tërheqja, por shkulja publike e veshit për koalicionin e djathtë nga votuesit- qytetarët e Shqipërisë. Ky rezultat, njëkohësisht është jo vetëm dëshmi besimi, por dhe një test vlerësimi për seriozitetin, realizimin e premtimeve elektorale, por sidomos të objektivave programore, për shmangien sa më shpejt të defekteve qeverisëse të derisotme.
Dhe mbi të gjitha për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur të Shqipërisë për kalimin nga diktatura në demokraci. Fitorja plebishitare e koalicionit të majtë mendoj se është lexuar e vlerësuar me objektivitet prej tij. Duke i dhënë 84 ulëse në Kuvendin me 140 deputetë, votuesit e Shqipërisë i dhanë mundësi maksimale të majtës për të realizuar programin elektoral dhe sidomos programin qeverisës. Vota popullore ia hoqi mundësinë bllokuese opozitës së djathtë për miratimin e reformave dhe ligjeve tepër të rëndësishme, që do t’i vlejë ndarjes dhe veçmas, funksionimit efektiv të tre pushteteve. Lënia e mandatit të deputetit për t’u bërë ministër, është një tentativë për të vendosur kufijtë ndarës mes ekzekutivit dhe legjislativit, që uroj të gjejnë dhe zgjidhje të tjera balancuese mes tyre.
Vota e 23 qershorit u ka krijuar të gjitha hapësirat e nevojshme ligjore fitimtarëve të qeverisin, në zbatim të programeve të shpallura. Por kjo votë duhet menaxhuar me shumë respekt, kujdes dhe mbi të gjitha, me shumë përgjegjësi. Uroj që humbësit e zgjedhjeve ta përjetojnë humbjen nën ndikimin e sentencës popullore: “Pësimi bëhet mësim”. Kurse fitimtarët i uroj: “Mbetshin të kënaqur prej jush gjithë zgjedhësit!”. Këto zgjedhje mendoj se ishin një test tejet i saktë i sundimit të zhgënjimit ndaj premtimeve. Politika realiste është e suksesshme.
Marrë nga zëri.info