PD, lëreni helmin të helmohet nga helmi!
Robert Qafzezi / Artist, Francë
Partia e ëndrrës, e iluzioneve, e dhimbjes, e guximit, e mëngjeseve të reja, e emigracionit u tradhtua me një skenar të detajuar nga zyrat e errëta të regjimit të shkuar. Analiza e tradhtisë ndaj saj, sot është detyrë jo vetëm e ish-anëtarëve, po e gjithë ndërgjegjes kombëtare dhe jam i sigurt që ajo do të bëhet një ditë, duke hedhur dritë mbi të gjitha njollat e errëta, të këtyre 23 viteve të tranzicionit.
Sot në mënyrë urgjente duhet që anëtarët e thjeshtë të saj, së pari të distancohen nga ata që bënë sikur e udhëhoqën, duke e shndërruar në një vegël për përdorim familjar, thjesht për të mbajtur pushtetet e përfitimet dhe për të bërë amortizimin me regjimin e kaluar. Ata sot duhet të largohen nga “koteci” i Sali Berishës që i mbajti në një politikë të paracaktuar e që ngjan shumë me fluturimin e pulave. Sot, ju siguroj që të gjithë ata që udhëhoqën PD-në nëpër errësirat e krimit politik e ekonomik, nuk ka pasqyrë që ua rregullon fytyrat e nxira nga krimi, të cilat sot ngjajnë me një “tarama”, salcë bajate.
PD-ja nuk u thye, ajo ishte një “artific” i qëllimshëm i ndërtuar me një strategji të caktuar për qëllime tepër të errëta, e sot ajo është bërë thërrime, që nuk ka më “lider” që e ngjit, prandaj është i logjikshëm krijimi i grupimeve të reja solide me ide të vërteta të djathta europiane, nga të cilat duhet të ndërto-het një linjë e fuqishme opozite konstruktive që të ndihmojë për ecjen e vendit përpara. Lëreni Berishën dhe gjithë anëtarët familjarë të lozin “domino” edhe pak kohë, sa t’u vijë dita e dhënies llogari, se britma e thellë e drejtësisë sapo ka filluar të dëgjohet dhe ju siguroj që ajo do të buçasë me gjithë fuqinë e saj.
Braktiseni “vathën” e tij familjare, të dalë tashmë boje e aq qesharake, sa ai po mundohet t’u vërë në udhëheqje një “dele” shytë, të transformuar në një “dash” me brirë kartoni butaforie. Asgjë nuk del nga komandat e një eunuku, që nuk ka as iniciativë dhe që është futur thjesht rastësisht në atë valle vetëm si “pion” i Sali Berishës. ish-anëtarët e PD-së duhet të shkojnë drejt një ndërgjegjësimi të vërtetë dhe duhet ta kuptojnë që asgjë nuk ndërtohet në mënyrë solide me amatorizëm, ta kuptojnë se ka ardhur koha e vlerave të vërteta në çdo sektor; po ikën koha e magazinierëve të “ushtrisë popullore” që të drejtojnë si “padron” mediat, apo infermierëve të “synetit” të drejtojnë forca politike. Po ikën koha kur institucionet drejtohen nga injoranca më e thellë e vendit, që akoma shtypin këpucën mbrapa këmbës për të pasur më pak dhimbje tek kallot e gishtave, e që i duhet ta mbajë lidhur në trup kostumin “Armani”, apo “Versace” që të mos i ikë!
Kohë shumë e humbur! Mos pranoni t’ju vinë mbrapa ata që ju tradhtuan duke tërhequr zvarrë ëndrrën tonë, se jam i sigurt që ata do të mundohen t’ju vijnë mbrapa, do t’ju kërkojnë të falur, do justifikohen për “paaftësitë”, për krimet etj.. Po për KriMiN nuk ka falje! Mos harroni kurrë që keni qenë për 23 vjet instrumente të një njeriu të vetëm dhe liria juaj në PD ka qenë e është krejt fiktive, si edhe vetë vullneti i popullit ka qenë krejt fiktiv. Mos u bëni përsëri “mbushje topi” për të mbajtur akoma të “ndezur” individë që nuk kanë asnjë frymëzim të vërtetë për t’ju udhëhequr e që nuk janë lindur për të qenë liderë; individë që kanë si qëllim vetëm shfrytëzimin e pozitës që ju do t’jua dhuroni. Lëreni helmin të helmohet nga vetë helmi!