Një votim me pasoja
Ligjvënësit në Shqipëri votuan për të zëvendësuar një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në prag të zgjedhjeve kombëtare të 23 qershorit, duke provokuar kritika të forta nga Bashkimi Europian dhe SHBA. Parlamenti votoi të hënën në mbrëmje 74 me 0 për zëvendësimin e anëtarit të shtatë të KQZ-së, i cili mbështetej nga një parti e vogël e cila së fundmi u largua nga koalicioni qeveritar për t’iu bashkuar opozitës. Ligjvënësit opozitarë e bojkotuan këtë votim, që sipas tyre ishte në shkelje të Kushtetutës.
KQZ-ja administron zgjedhjet dhe certifikon rezultatin. Anëtarësia e tij i korrespondon ekzaktësisht përfaqësimit të partive politike në Parlament. Por largimi i një partie nga koalicioni qeveritar, solli humbjen e mazhorancës nga kryeministri Sali Berisha i Partisë Demokratike. “Ndryshimi i rregullave në mes të lojës, në mes të procesit është saktësisht rruga e gabuar për të nxitur besueshmërinë zgjedhësve për të cilën po flasim prej kohësh”-kështu u shpreh ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvisu.
Ai shtoi se “vendimi i Parlamentit e vendos Shqipërinë në rrugën e përplasjes me komunitetin ndërkombëtar”. Edhe BE-ja nga ana e vet gjithashtu shprehu shqetësimin e vet rreth “pasojave të mundshme të votimit në parlament mbi besimin e njerëzve në procesin zgjedhor”. Është rasti të kujtohet se Shqipëria postkomuniste ka dështuar në të shkuarën në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për zgjedhjet. Gati 400 vëzhgues ndërkombëtarë do të jenë në Shqipëri për të monitoruar zgjedhjet e 23 qershorit në një proces ku 3.3 milionë zgjedhës të regjistruar do të shprehen për 140 deputetët e ardhshëm. Marrë nga Washington Post