E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njerëz të mirë të ndyrë

Arti i përdorur për pushtet dhe fytyra e vërtetë e njeriut. Mbi këto dy linja ngrihet "Koleksioni i përhershëm" i Thomas Gibbonsit, premierë në Teatrin Kombëtar me regji të Clarence Gilyardit. Regjisori në një intervistë për idetë e tij për teatrin dhe aktorin, po edhe për nevojën e njeriut për pak përulësi


Qysh prej 1 Majit regjisori amerikan Clarence Gilyard, po punon në Teatrin Kombëtar për shfaqjen "Koleksioni i përhershëm", shkruar më 2005-ën nga Thomas Gibbons, një dramaturg rezident në Interact Theatre në Filadelfia.


Vitet e fundit, dramat e tij kanë për objekt racizmin, ndarjen e madhe që ekziston mes jetës së të bardhëve dhe afrikano-amerikanëve në Amerikë dhe moskuptimin e njerëzve me njeri-tjetrin.


Në fokus të "Koleksionit të përhershëm" është sjellja brutale e njerëzve kundrejt të ndryshmëve të tyre dhe drama e atyre që nëpërkëmben.


Sapo filloi punën me veprën, Gilyard e kuptoi që është drama e duhur për çdolloj audience. Ka besim që atyre që do të shkelin në teatër, do t'u komunikohet diçka me rëndësi për natyrën e njeriut.


Kjo është edhe detyra e një teatri të mirë, sipas mendimit të Gilyard-it aktor, regjisor dhe pedagog në Universitetin e Nevadës në Las Vegas. Ai i ka të njohura sjelljet raciste në Amerikë. Kanë filluar qysh atëherë, më 1980, kur shkoi në Los Angeles për t'u bërë aktor.


Ende sot e shquajnë me dy filmat aksion televizivë: "Texas Rangers" dhe "Matlock". Karriera e tij përfshin role në teatër dhe kinema.
"Koleksioni i përhershëm" mendohet të shfaqet më 3 qershor.


Për këtë dramë janë zgjedhur aktorët: Mirush Kabashi, Tinka Kurti, Fatos Sela, Ema Andrea dhe Esmeralda Metka dhe vetë regjisori Gilyard do të ketë një rol. Vepra është shqipëruar nga Pirro Dollani. As/regjisore Adriana Tolka, skenograf Bashkim Zahaj, kostumografe Edlira Qyshka.


Zoti Gilyard, përse duhet shfaqur për publikun shqiptar vepra "Koleksioni i përhershëm"?


Kur fillova të punoja me këtë vepër, nuk e dija që do të ishte një shfaqje e përshtatshme për çfarëdolloj audience. Është një dramë e përshtatshme për çdo shoqëri të margjinalizuar apo ku një pjesë e shoqërisë nëpërkëmbet. Është drama e duhur për ato vende ku një grup njerëzish nuk e kuptojnë si i trajtojnë grupet e tjera. Arsyeja e këtij diferencimi mund të mos jetë raca.


Mund të jenë diferencat ekonomike, religjioze, gjeografike, etnia, mosha, gjinia. Drama "Koleksioni i përhershëm" në thelb të saj ka mungesën e integritetit brenda një shoqërie.


Në takimin e sotëm me median, kur u pyetët për rolin, ju u shprehët: "Prania ime në skenë jep një mesazh, edhe pa hapur gojën". Ç'doni të thoni me këtë?


Për fat të keq, sapo dikush sheh ngjyrën time të lëkurës, bën një cilësim. Ajo që ata mendojnë për mua nuk përputhet me ato që unë them. Ata kanë një gjykimin të tyrin. E njëjta gjë ndodh edhe me një grua të bukur që kalon dhe njerëzit kanë një mendim për të. Kur ajo hap gojën, ata fillojnë mendojnë gjëra të tjera, ndryshojnë mendim. Këto mendime janë shumë prezente në këtë shfaqje.


Pra, do të shohim modele njerëzish të diskriminuar?


Kategorizimin e njerëzve dhe paragjykimet që bien mbi ta. Nuk janë vetëm të bardhët racistë kundrejt të zinjve, por edhe anasjelltas. Në shfaqje, publiku do të zbulojë që unë, me këtë ngjyrë lëkure, jam racisti më i madh. Kështu, që racistët e ulur në sallë, do të ndihen në siklet, kur të kuptojnë që mendojnë njësoj si unë.


Çfarë kërkoni nga secili prej aktorëve?

Aktorët e zgjedhur për këtë dramë janë me të vërtetë shumë të mirë. Unë jap mësime aktrimi dhe interpretoj në të njëjtën kohë. Shpesh më duhet të bëj një ndarje të mësimdhënies dhe punës së aktorit.


Në këtë rast më duhet të kërkoj maksimumin nga aktorët. "Koleksioni i përhershëm" është një shfaqje në dy gjuhë dhe më duhet të zbuloj se si të sillem me secilin aktor dhe të përcaktojë sesi të hyj në karakterin e tij çdo aktor.

Më konkretisht, si i keni ndarë personazhet?


Cubi (Esmeralda Metka) është mëshirimi i pafajësisë. Ajo është plot dritë dhe e vërtetë. Ajo udhëton përgjatë veprës. Ky karakter plot dritë dhe gjatë udhëtimit, kupton sesa e errët është jeta.


Personazhi i saj, i Kanika Weaverit, përfaqëson udhëtimin që bëjnë njerëzit në jetë. Ella Franklin, në rol aktorja Tinka Kurti, ka qenë si Kanika dikur. Për shumë vite ka arritur t'i bëjë ballë vështirësive të jetës.


Personazhi im, Sterling North është gjithë kohën i trishtuar dhe i duhet ta mposhtë trishtimin, të mos e shfaqë në sy të botës, në sy të kundërshtarit të tij. Prandaj është vazhdimisht i acaruar, i nervozuar, konfuz.


ersonazhi e lufton trishtimin që i gërryen shpirtin. Nuk ka asnjeri që ta kuptojë dhe ta dëgjojë. As Kanika, as gruaja, as fëmijët. Unë po flas nga ana e regjisorit. Personazhi nuk e di këtë. Nëse do ta dinte, ai do të ishte emocionalisht i shëndetshëm.


I njëjtë është edhe karakteri i Paul Barrow, në rol Mirush Kabashi. Ata duhet të ishin vëllezër, por nuk e dëgjojnë njeri-tjetrin.


Gillian Crane, në rol Ema Andrea, është gazetare. Përfaqëson një personalitet të veçantë. Të fundit po prezantoj zotin Morris, në rol Fatos Sela. Brenda trupit të këtij burri jeton një fëmijë, është kapriçioz dhe vazhdimisht luan. Është shumë i pasur dhe vazhdimisht kontrollon jetën e të gjithë të tjerëve në dramë.


Edhe pse ka vite që ka vdekur, ata vazhdimisht e përmendin sepse ka ndikim në jetët e tyre. Të tjerët nuk e kanë statusin e tij. Ëndërrojnë të kenë akses në çdo gjë që ka lënë ai. Të marrin në dorë muzeun që ka lënë ai.

Vepra ndjek dy linja: artin dhe shoqërinë. Ç'probleme dalin në pah në secilën?


Arti duhet të jetë i lirë. Drama tregon sesi njerëzit e përdorin atë për të patur pushtet. Personazhet e veprës duan që çdo gjë ta kenë në kontroll. Te "Koleksioni i përhershëm" publiku do të shohë sesi njerëzit përpiqen të tregohen njerëzorë


Njëherë personazhet na shfaqen shumë të këndshëm, më tej të ashpër dhe në fund tregohen vërtet të ndryrë. Pjesa më e pastër e tyre është në fillim të pjesës. Qenia njerëzore e kupton se çfarë është e mirë, çfarë është e keqe, çfarë është e drejtë, çfarë e gabuar. Zgjedh të luajë "të mirin", por në të vërtetë jemi shumë të ndyrë.


E keni me merak çështjen e dygjuhësisë në vepër?


Mendoj se kjo është një dhuratë. Jam i gëzuar për këtë eksperiencë sepse komunikimi i vërtetë mes njerëzve është energji, është shpirtëror. Ne zgjedhim që të mos e kuptojmë njëri-tjetrin. Ne fshihemi pas kësaj gjëje. Për shembull që gjuha të jetë pengesë kur në fakt gjuha nuk duhet të jetë pengesë.


Pak më parë ju dëgjuam të thoshit: "Dua të punoj me Fatosin tani, është mjaft energjik." I shfrytëzoni momentet e duhura me aktorët?


Unë jam vetë aktor dhe e di që disa aktorë kanë nevojë që të ngrohen. Ashtu siç ndodh me një makinë të mirë garash, kur duam të punojnë në maksimumin e tyre. Kështu që intelekti dhe emocionet duhet të vihen më së mirë në shërbim të tekstit. Unë e di që në atë gjendje energjike, aktori Fatos Sela mund të zbulojë gjëra të reja që nuk i ka bërë më parë.


Me pak fjalë, cili është teatri i mirë?


Teatri i mirë bëhet kur aktori është i përulur ndaj fjalëve të tekstit. Ky është mësimi që duhet të mësojnë aktorët. Shfaqja përmblidhet në fjalët e tekstit. Aktori nuk është aty për të treguar veten.


Teatri i mirë realizohet kur një artist i shërben dramaturgut. Nëse aktori mendon se më ka ardhur mundësia të tregoj veten time, atëherë teatri i bëhet i pakuptimtë. Prandaj shumë njerëz nuk shkojnë në teatër. Për ketë arsye njerëzit nuk punojnë gjatë në teatër. Teatri i mirë ka të bëjë me të qenit vazhdimisht i përulur.


Në mediat e huaja thuhet se në Amerikë, "Koleksioni i përhershëm" e ka "shkundur" publikun, e ka nxitur të reflektojë. Mendoni se do të ndodhë kjo këtu?


Po. Nëse publiku vjen në teatër për ta parë. Dua që njerëzit të vijnë dhe të ndihen në siklet duke parë sjelljet e tyre në skenë.


Dramaturgu, Thomas Gibbons në intervista është shprehur se racizmi është në AND-në e amerikanëve. Ju ç'mendoni?


Kjo shfaqje na bën të shohim brenda vetes sonë të mos vazhdojmë të sillemi kështu.
Pas aparteidit në Afrinë e Jugut, kishte një periudhë paqeje dhe pajtimi. Kurrë nuk mund të harrohet e kaluara. Mësimi më i mirë i zotit Mandela ishte: "Ne duhet të falim". Dëmi që i shkaktojmë tjetrit nuk është zgjidhja e duhur.


Mendoni që diçka më shumë do të ndryshojë në këtë drejtim tani që Amerika drejtohet nga një president me ngjyrë?


Nuk i përgjigjem kësaj pyetje. Po flasim për shfaqjen.

Kur shkelët në 1980 në Los Angeles, u ndjetë i diskriminuar?


Po. Gjatë gjithë kohës. Në të njëjtën mënyrë që trajtohet në shfaqje.

Dhe sot jeni në një pozicion komod.
Dhe përsëri i përulur ndaj diçkaje që është shumë më e madhe se ne, teatri.


Çfarë synoni me "Artin Protestues"?


Po punoj në Spanjë dhe Afrikën e Jugut, në mënyrë që shfaqjet që unë bëj të jenë shumë të qarta. Gjithashtu edhe nga ana artistike.


Dhe ti jap mundësi audiencës për t'i parë situatat, marrëdhëniet njerëzore, padrejtësitë, nga një kënd tjetër dhe nga salla të dalin me zgjedhje të reja të të menduarit.


Ndërsa për sa i përket anës akademike, dua që studentët e rinj të kuptojnë përse ekziston teatri.


Si profesionist, por edhe si akademik unë sjell të gjitha përvojat që kam kaluar në botë në ishullin e universitetit tim.


A ju kujtojnë njerëzit akoma me filmat "Matlock" dhe "Texas Rengers"?


Po. Sidomos po të kem një kapele cowboy në kokë.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›