Tërhiqet banka, nuk konfiskohet shtëpia e deputetit të vrarë
XHINDI/ Gjykata pushon çështjen e mospagimit të kredisë nga familjarët e Fatmir Xhindit pas vrasjes së tij
TIRANË - Togat e zeza vendosin pushimin e çështjes për konfiskimin e shtëpisë së Fatmir Xhindit, deputeti i Roskovecit, i cili u vra më 2 maj 2009. Kërkesa ishte bërë nga banka, deputeti kishte marrë kredinë dhe që shprehej se ai nuk kishte shlyer një shumë prej 3,5 milionë lekësh të reja, të marra për mobilimin e apartamentit të blerë në Tiranë.
Pasditen e djeshme, gjyqtari i vetëm i çështjes, Ilir Mustafaj, pasi konstatoi se në seancën gjyqësore nuk është paraqitur përfaqësuesi ligjor i bankës, ku deputeti i ndjerë kishte marrë kredinë, vendosi pushimin e gjykimit të çështjes.
Sipas dispozitivit të vendimit të firmosur nga gjyqtari Mustafaj, pala kërkuese, pra banka, në seancën e djeshme gjyqësore kishte për të paraqitur të gjitha dokumentet e nevojshme, si kontratën e kredisë bankare, kontratën e kolateralit (hipotekën e banesës), analizën e pagesave mujore që nga marrja e kësaj kredie dhe disa të tjera. Por, në orën 15:30, kur ishte parashikuar zhvillimi i seancës, pala kërkuese nuk është paraqitur duke mos dhënë asnjë shkak për këtë mungesë.
Bazuar në Kodin e Procedurës Civile ku parashikohet se në rastet e mosparaqitjes së palës kërkese që ka bërë një padi, çështja pushohet, gjyqtari Mustafaj vendosi pushimin e çështjes.
Sipas vendimit të pushimit që mban nr.903, edhe gjatë shqyrtimit të dy seancave të mëparshme gjyqësore, pala kërkuese nuk ka paraqitur dokumentet e nevojshme, mbi bazën e kërkesës, për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të kontratës së kredisë bankare dhe të hipotekës me nr.1850 rep. Nr.762 kol. të datës 29 mars 2007, ku deputeti Xhindi kishte marrë një kredi prej 3,5 milionë lekësh të reja.
Ndërkaq, ka qenë data 17 mars 2010 kur njëra nga filialet e bankës së nivelit të dytë në Shqipëri, ka dorëzuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet një kërkesë për urdhër ekzekutimi të kontratës së kredisë bankare dhe të hipotekës, të marra më 29 mars 2007 nga Xhindi.
Kjo kërkesë u bë nga banka për shkak se që pas vrasjes së deputetit të Roskovecit më 2 maj 2009, familja e tij nuk ka shlyer këstet bankare të kredisë së marrë për mobilimin e apartamentit të blerë në Tiranë në vitin 2003 me sipërfaqe prej 2+1 (2 dhoma dhe 1 kuzhinë).
Por, duke parë gjendjen jo të mirë financiare të familjes Xhindi dhe padisë që banka ka bërë në gjykatë për konfiskimin e apartamentit për shkak të mosshlyerjes së kredisë, deputetët e Partisë Socialiste kanë vendosur që deri në përfundim të mandatit të tyre të kontribuojnë me nga 1 mijë lekë të reja në muaj për të ndihmuar familjen e kolegut të tyre për të shlyer kredinë që mos t'i konfiskohet banesa.
Edhe kreu socialist Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit të deputetëve socialistë është shprehur se detyrimet e mëparshme të pagesës së kësteve janë shlyer nga disa deputetë të PS-së, duke bërë të mundur mosrrezikimin dhe heqjen e sekuestrimit nga gjykata për apartamentin e familjes Xhindi.
Gjithashtu, mësohet se deputeti Xhindi ka për të shlyer edhe një kredi tjetër të marrë në shtator të vitit 2000 me vlerë 5 milionë lekë të reja për blerjen e banesës 2 + 1 në Tiranë për një afat 25-vjeçar, këste këto që po paguhen nga deputetët socialistë.