E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Protestat, standard i demokracisë perëndimore

INTERVISTA
Kreu i shtetit flet për zgjedhjet, protestën e opozitës, reformën e munguar në drejtësi dhe çështjen e marrëveshjes detare me Greqinë

Meqë po bëjmë bilancin e këtij viti, një ngjarje e rëndësishme e këtij viti ishte 28 qershori, pra, zgjedhjet e përgjithshme.

Ndonjë vlerësim jo zyrtar, por formal publik i Presidentit të Republikës për këto zgjedhje, nuk di nëse është rasti sonte ta bëni këtë?

Sot, Presidenti në KQZ, me vullnetin e të dyja partive, nuk ka asnjë anëtar, çka do të thotë që në të gjithë procesin e prononcimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Presidenti nuk kishte zë.

Dhe, në përfundim, patjetër në përfundim të të gjithë procesit, duke iu referuar pozicionit kushtetues, ligjor, unë i jam referuar në mënyrë shumë të qartë vendimmarrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që është njëri element.

Duke qenë se jam edhe në pozicionin e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kam respektuar dhe vazhdoj të respektoj vendimin e gjykatave të Apelit, të cilat janë zgjedhur me preferencat e përfaqësuesve të partive kryesore, në praninë time.

Dhe së treti, meqenëse ne kemi pranuar monitorët e përfaqësuesve ndërkombëtarë të organizatave ku ne bëjmë pjesë, OSBE/ODIHR-it, i jam referuar raportit final të këtyre organizatave.

Çka do të thotë tri pika reference shumë të forta dhe do të thosha që të gjitha së bashku, përbëjnë automatikisht dhe zërin e Presidentit. Dhe asnjë nga këto elementë që unë përmenda nuk besoj se ka pasur lëshim kur unë jam shprehur për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Pra, thënë më troç zoti President, ju besoni se sovrani e tha fjalën e vet?

Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them, që këto janë tri referencat ku përfshihet edhe vullneti i sovranit.

Zakonisht kur flet sovrani të gjithë heshtin, por ne kemi parë zoti President që një pjesë e mirë e sovranit nuk heshti dhe doli për të protestuar për votën e lirë. Mendoni që ka diçka që nuk shkoi mirë, bazuar dhe në vlerësimet e ndërkombëtarëve?

Edhe një herë, nuk dëshiroj të futem në mënyrë analitike në këto çështje, sepse nuk kam qenë as aktor, as indirekt monitor i këtyre zgjedhjeve, por duke pasur besim tek institucionet, të cilat janë të realizuara me Kushtetutë dhe me ligj, siç është rasti i KQZ-së, Kolegji, si dhe duke pasur respekt për organizatat, të cilat kanë sjellë monitorë profesionistë, unë jam i detyruar t'i referohem këtyre elementëve dhe nuk mund të futem në elementë të tjerë që mund të jenë të karakterit politik. Respektoj vullnetin politik të partive, për ta pranuar, për ta kontestuar, kjo është çështje e tyre, ndërsa Presidenti i Republikës i ka referencat institucionale.

Zoti Topi, flasim pak për situatën politike në vend. Si i vlerësoni protestat e opozitës, i bëjnë ato mirë apo keq demokracisë në vend dhe situatës në përgjithësi?

Flas në aspektin parimor. Padyshim, është e drejta e çdo partie politike, e simpatizantëve të saj, e sindikatave, e grupimeve të ndryshme shoqërore.

Për t'iu rikthyer retrospektivës apo eksperiencës personale, edhe unë kam protestuar kur kam qenë i inkuadruar në partitë politike dhe nuk do të kishte guximin askush të thoshte të kundërtën, pra çdo njeri është i lirë të protestojë. Ka protesta individuale, ka në formën e grupimeve politike, të grupimeve shoqërore dhe është një nga standardet e arrira të demokracive perëndimore.

Për t'u futur në elemente specifikë, natyrisht është në vullnetin e partive të opozitës për të protestuar për diçka që mendojnë që duhet protestuar. Kështu që unë nuk mund të bëj rolin e analistit, apo të supervizorit apo të monitorit për të thënë që po bëjnë mirë apo po bëjnë keq.

Hapja e kutive, zoti President, është një moment sa ligjor, por natyrisht është dhe një moment politik. Mendoni se këtu mund të jetë çelësi i zgjidhjes të këtij bllokimi apo krize ta quajmë, s'ka rëndësi?

Unë mendoj se pozicionin tim si President e kam mbyllur për sa i përket vlerësimit të zgjedhjeve. Ky është një vlerësim i bërë dhe ju siguroj që nuk jam konformist kur bëj.

Ju e dini që në eksperiencën time politike kam bërë prononcime edhe individuale, edhe kur grupimi politik mendonte ndryshe, aq më shumë sot kur kam autoritetin e plotë për t'i thënë gjërat ashtu siç janë. Unë mendoj se vlerësimin tim për zgjedhjet e kam bërë më shumë se një herë dhe qëndroj në ato standarde që sapo i shpreha.

Për sa i përket zhvillimeve politike, mënyrën sesi e shikojnë partitë debatin politik, mënyrën e shprehjes së vullnetit të tyre politik, është një çështje ekskluzive e partive politike.

Ajo që më intereson qoftë si qytetar, qoftë si President i Republikës është që debati politik, të jetë një debat mbi bazën e një fizionomie perëndimore të realizimit të debatit dhe ka hapësirë të pafund për ta realizuar debatin, për të zhvilluar betejën politike dhe pastaj për të realizuar disa gjëra që domosdoshmërish kushtetuta i ka paraparë që kërkojnë të gjitha palët.

Dikujt mund t'i vijë keq që unë shprehem kështu, por unë flas mbi bazën e parimeve kushtetuese, flas mbi bazën e eksperiencave ndërkombëtare, mbi bazën e një eksperience të gjatë politike, gjithmonë kërkohet të bashkëpunohet. Në një bashkëpunim politik, ka mundësi të debatohet, ka mundësi të lëshohet, pra është në vullnetin e partive politike.

Nuk mund të jap unë leksione sot nga kjo zyrë. Të japësh leksione demokracie është shumë keq, sepse çdo njeri duhet të ketë vullnetin individual për t'u sjellë në mënyrë demokratike, për t'u grupuar në mënyrë demokratike, për të bërë vendimmarrjen në mënyrë demokratike.

Megjithatë, ju vetë e thatë, në rastin e KQZ-së, këto ndryshime kushtetuese edhe në mënyrën si u bënë edhe për thelbin e tyre kanë ndikim apo kanë sjellë pasoja në zhvillimet politike të këtij viti apo jo?

Për mua si President, nuk ka pasur absolutisht asnjë lloj pasoje.
Flas për mediat, jo për ju personalisht.

E hodhët pak përpara, që ju ka rënë kompetenca. Në mënyrë absolute. E rëndësishme është që ata që e kanë pasur vullnetin për të ndërtuar një ligj elektoral, duhet të mendoheshin mirë para se ta realizonin.

Në momentin që realizohen, nuk mund të bësh komente në retrospektivë, si e ke realizuar. Ka një rregull, nuk është lojë fëmijësh. Kjo është loja më e rëndësishme që ka të bëjë me demokracinë e një vendi dhe me të ardhmen e një vendi.

Njerëzit nuk duhet të bëhen qaramanë post faktum. Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm. Ku dallohet një politikan, një intelektual nga një njeri i zakonshëm. Duhet t'i bëjë profilaksinë gjërave. Pra futesh në një periudhë përgatitore, dialogu, fillon ndërton mbi bazën e ekspertëve edhe kur bën vendimmarrjen nuk ke pse qahesh më.

Qajnë zakonisht ata që humbin zoti President. Kritika juaj drejtohet drejt opozitës?

Jo në mënyrë absolute! Nuk bëj unë kritika ndaj mazhorancave apo opozitës. Ju mund ta orientoni ku të doni. Unë jam i drejtpërdrejtë, jam shumë I sjellshëm. Nuk bëj kritika. Problemi është në parim, kur shkon drejt vendimmarrjeve serioze, duhet të jesh shumë i kujdesshëm.

Nuk je në një tavolinë bixhozi, që e mbyll natën sonte dhe mund të kthehesh prapë nesër. Këto janë fatet e një vendi. Politikani ka një përgjegjësi absolute. Duhet të shkojnë shumë të përgatitur. Kemi pasur raste që kemi ndenjur me ditë dhe me net për të diskutuar një element teknik në negociata. Ju e dini fare mirë.
Opozita pikërisht ankohet se janë prishur rregullat e lojës...

Unë nuk besoj që rregullat e lojës janë ndërtuar jashtë vullnetit të palëve politike. Në rast se do të isha kritik do të ishte për momentin që; a janë pyetur të gjitha institucionet? Se kam pasur këtë lëndim, sepse e di fare mirë.

Unë kam një eksperiencë të gjatë parlamentare. Unë e njoh shumë mirë rregullin, rolin e jashtëzakonshëm të Parlamentit. Nuk është se unë e them sot për herë të parë që Parlamenti është tempulli i demokracisë, aty ku zhvillohet dialogu politik.

Aty i kemi bërë të gjitha debatet politike, i keni vënë re që njerëzit që nuk futen në Parlament, fillojnë e sfumohen. Nuk është një eksperiencë shqiptare, është një eksperiencë botërore. Pra, konsiderohesh në politikë aktive, kur je pjesë e debatit parlamentar.

Mendoni që po e dëmton opozitën mungesa e saj në Parlament?

Unë edhe një herë jam i kujdesshëm sepse duhet të ruaj ekuivalencë të plotë. Nuk kërkoj të ndërhyj qoftë edhe me analizën time, por apelet e mia unë i kam bërë shumë të sinqerta, sepse të njëjtin apel kam bërë edhe atëherë kur kam qenë pjesë e strukturave politike të Partisë Demokratike, kur ishte jashtë Parlamentit.

Rikthehuni edhe dokumenteve, kam thënë të njëjtën gjë. Unë jam i mendimit që pjesëmarrja në institucione, është mendimi im, të jep vlerë, pastaj janë taktikat politike të partive, janë këndvështrimet e tyre në vizionet e tyre, të cilat janë ekskluzive të partive, nuk mund marrin leksione nga Presidenti.

Si i keni marrëdhëniet tuaja me Sali Berishën në këto moment? Vazhdojnë të jenë vetëm institucionale?

Kur janë institucionale, janë të arrira besoj, sepse ne tentojmë që marrëdhëniet shoqërore, marrëdhëniet që ekzistojnë në kafene, apo nëpër ambiente të tjera afër partive politike, t'i bëjmë institucionale. Në momentin që themi që janë institucionale, them që janë të arrira.

Mbështetësit tuaj ose kritikët e zotit Berisha befas u zhdukën të gjithë nga Këshilli Kombëtar i PD-së. Në vend të tyre u futën të tjerë ose ndonjë figurë groteske e jetës politike që gjithsesi për respekt nuk dua t'ia përmend emrin...
Jo, duhet të keni respekt për çdo njeri!

Ose këshilltarë ose të Kryeministrit ose të Jozefina Topallit. Si e gjykoni këtë? Nuk është kjo një mënyrë reagimi ndaj jush? Ndoshta jo me artikuj në gazetë denigrues por me mënyra të tjera...

Së pari, për momentin që kalojmë, nuk është kjo tema e preferuar e imja. Pra ishte pjesë e përgjigjes ndaj një pyetje që ju realizuat për demokracinë e brendshme nëpër parti. Sigurisht që nuk mund të them që jam indiferent, por nuk është tema ime, sepse hapësira ku unë veproj është në një terren tjetër.

Njerëzit zakonisht bëjnë karriera politike për të ardhur në pozicione të tilla dhe duhet ta nderojmë një pozicion të tillë jo për qëllime karrieriste, por për qëllime të mira të karrierës politike dhe t'i shërbejmë këtij pozicioni sepse është një pozicion që i shërben të gjithëve.

Është një pozicion, i cili influencon në mënyrë të ndjeshme, të drejtpërdrejtë në stabilitetin e vendit. Të futem në çështje të jetës politike të partive pas dy vitesh e gjysmë në sensin e pyetjes që ju drejtoni, do të thotë që unë të rikthehem edhe një herë aty ku kam qenë, duke qenë anëtar i asaj kryesie, në atë pozicion.

Është një çështje që ka të bëjë me partitë respektive politike, me jetën e tyre të brendshme. Çdo individ ka të drejtën që të futet për të bërë karrierë, mund të hyjë në atë ambient, mund të dalë nga ai ambient. Nuk është një çështje që ka të bëjë me një vëmendje momentale timen.

Cili është qëndrimi i Presidentit të Republikës për Marrëveshjen me Greqinë?

Sigurisht që është një çështje shumë serioze, shumë e rëndësishme, sepse ka të bëjë me një moment, i cili përmban një detyrim kushtetues. Së dyti, ka të bëjë me një detyrim moral të çdo individi që është në një pozicion të caktuar apo që është interlokutor në një çështje kaq të rëndësishme, që ka të bëjë me marrëdhëniet midis dy vendeve.

Unë kam pasur disa prononcime ku kam kërkuar që opinioni publik, media, ku kam rastin të shpreh konsiderata shumë pozitive për rritjen e sensibilitetit, në mënyrë që kjo marrëveshje të jetë transparente.

Por nga ana tjetër kam bërë thirrje që njerëzit, përfaqësuesit e mediave, krahas shqetësimit që kanë, duhet të kenë besim tek institucionet e Shqipërisë, sepse përfaqësuesit e institucioneve të Shqipërisë, jam i sigurt jo kam bindjen, por jam i sigurt, që do të dinë të ushtrojnë me shumë përgjegjësi të gjitha detyrimet që lidhen me pozicionin e tyre. Në radhë të parë është pozicioni zyrtar, ligjor, por është edhe ...

Zoti President, ka pasur një debat të ashpër për Konferencën e Gjyqësorit. Në njërën anë shumica, e përfaqësuar me zë të lartë nga Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, e cila e ka quajtur OJQ-ë ketë Konferencë dhe ka bërë thirrje për mbledhjen e saj në çdo rast, megjithëse ka një mandate ligjor dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë....

Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje. E kam ndjekur debatin, prononcimet dhe sigurisht në një terren demokratik, gjithsecili është i lirë që të japë opsionet e veta për të dalë nga një situatë, e cila nuk është normale, sepse kur rifola dje në takimin me magjistratët, iu riktheva një apeli shumë të rëndësishëm që kam bërë rreth dy muaj para zgjedhjeve të 28 qershorit.

Duke njohur shumë mirë terrenin dhe duke ditur sa boshllëqe do dalin me kalimin e kohës nëpër institucionet e drejtësisë, duke pasur nevojën për disa ligje të cilat i dikton koha për t'i pasur në linjën e sistemit të drejtësisë dhe duke ditur që të gjitha këto ligje kërkojnë votim të kualifikuar, bëra apelin që pavarësisht nga rezultati, partitë politike duhen të prononcohen për domosdoshmërinë e vazhdimit të reformës në fushën e drejtësisë. Tani gjërat janë kështu siç janë.

E vërteta është që ka një ngërç apo jo?

Ngërçi vjen si pasojë e një situate shumë komplekse.
Atëherë zonja Topalli ka të drejtë në aspektin që nuk mund të vazhdohet më dot kështu për sa kohë që ka...

Problemi është këtu, që të mos dalim në referenca individuale... Problemi është më i madh sesa një pozicion, qoftë ky edhe i Presidentit. Këtu çështja është, e meqenëse ju u futët tek çështja e drejtësisë, do të futem në disa elementë.

Këtu biznesi prej kohësh thotë Gjykata Administrative. Të gjithë misionet e Këshillit të Evropës që na asistojnë në reformën në drejtësi, thonë Gjykatë Administrative. Problemi i KLD-së që domosdoshmërish kërkon të plotësohet me anëtarë sikurse e kërkon ligji. Pra, unë në të gjithë terminologjinë time i referohem ligjit. Ligji, ligji, ligji! Pra të gjithë duhet të kenë si dominues në fjalorin e veprimin e tyre ligjin.

Pse nuk realizohet? Atëherë ka një defekt që vjen nga politika pse nuk realizohet. Sepse Kushtetua e ka parashikuar që Parlamenti të mbledhë 84 vota. Këto 84 vota nuk vijnë nga institucionet e pavarura. Nuk vijnë nga drejtësia, por vijnë nga politika.

Pra, duhet të shkoni atje për ta përcaktuar diagnozën. Mos shkoni te terminali që pret të realizohet ligji, por shkoni atje tek burimi. Ku është burimi? Është Parlamenti.
Marrë me shkurtime nga emisioni "Top Story"

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›