Droga, kapet ortaku i Aldo Bares
Edmond Bego, i njohur nga policia me emrin e ri Manol Bego, u arrestua dje pas vendimit të arrestit të Gjykatës së kryeqytetit
Arrestimi u krye në kuadër të procesit të njohjes së vendimit të autoriteteve italiane, që e kanë dënuar me 13 vite burg njeriun e Alfred Shkurtit
TIRANE- Arrestohet nga Policia e Shtetit, ortaku i Aldo Bares në trafikun ndërkombëtar të drogës, në drejtim të Italisë, i dënuar me 18 vite burg, matanë Adriatikut, ndërsa në Tiranë ishte ndërtues dhe sipërmarrës në fushën e ndërtimit. Deri në vitin 2005, Bego ka qenë gjithashtu edhe president i ekipit të futbollit të Lushnjes.
Edmond Bego, i njohur me emrat Manol Bego, Saimir Sina dhe Belul Gjahtari u arrestua dje në mbrëmje në rrugën "Dervish Hima", në një nga lokalet luksoze pranë stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa", ndërsa rrufiste i qetë një pije në lokalin ku po qëndronte.
Arrestimi është kryer vetëm pak orë pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, ka dhënë vendimin e arrestit me burg me qëllim nisjen e procesit të njohjes së vendimit të Gjykatës së Apelit të Torinos që e denonte atë me 13 vite burg, si i akuzuar për drejtimin e një prej dy grupeve të trafikut të drogës në Itali, që punonin për llogari të Aldo Bares, që po gjykohet në një proces penal në Shqipëri.
Vendimi i dënimit të dhënë nga Gjykata e Apelit të Torinos i përket datës 22 prill 2008, ndërsa tashmë ai ka mbërritur në vendin tonë ku edhe është përkthyer dhe është kërkuar njohja e tij. Lajmi është pohuar zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nëpërmjet një njoftimi zyrtar të dhënë prej saj.
"Sot më datë 24.12.2009, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar ka bërë të mundur kapjen në Tiranë të shtetasit Manol Irfan Bega, 39 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, me aktivitet privat, i njohur edhe me emra të tjerë si: Edmond Bego, Saimir Sina dhe Belul Gjahtari.
Ndaj tij u ekzekutua masa e sigurisë "arrest në burg" vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë me vendim nr.1157 datë 24.12.2009, për efekt të njohjes së Vendimit Penal nr.1735, datë 22.04.2008, të Gjykatës së Apelit në Torino-Itali, që e ka gjykuar dhe dënuar në mungesë me 13 vjet burg,- tha Policia nëpërmjet zëdhënëses së saj Kleida Plangarica.
Sipas të njëjtit njoftim, Bego është akuzuar dhe dënuar për kryerjen e veprave penale të rënda si mbajtja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë.
Një vit më parë, Bego, kishte mundur t'i shpëtonte drejtësisë, pikërisht për shkak të mosmbërritjes së vendimit të dënimit të Gjykatës së Apelit. Bego ishte ndaluar një vit më parë nga policia e kryeqytetit ndërsa më pas ishte lënë i lirë pikërisht për shkak të mungesës së këtij vendimi.
"Veprimtaria ku ai është i përfshirë përmban elementet e organizatës kriminale ku bënin pjesë dhe Aldo Bare, Enver Dondollaku, ku ai ka qenë përcaktues në mbajtjen e lidhjeve me furnizuesit, koordinonte aktivitetin e pjesëtarëve të tjerë të organizatës dhe orientonte mënyrën e shpërndarjes dhe administrimit të parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike,- tha më tej Policia në deklarimin e saj.